E Diel, 1 Nëntor 2026

FIFA konservatore: Jo gjyqtarëve të zonës

Pasi Komiteti Organizator i Kupës së Botës publikoi katër vazot me nga tetë skuadra për shortin që do të hidhet sot në Afrikën e Jugut, Komiteti Ekzekutiv i FIFA-s shprehu qëndrimin rreth skandalit të trukimit të ndeshjeve dhe çështjeve të tjera të futbollit. Shpërndarja e skuadrave u bë sipas renditjes së muajit tetor dhe gjeografisë, ndërkohë që largimi i Francës nga vazoja me ekipet kryesore bëri shumë bujë. Gjithçka ndodhi vetëm pak ditë pas faullit me dorë të Tierri Henrisë në aksionin e golit që kualifikoi "gjelat" përballë Irlandës, megjithatë zyrtarët e "qeverisë" së futbollit kanë mohuar që kjo lëvizje ishte një penalizim për skuadrën e Domenek. Veprimi i sulmuesit do të shqyrtohet nga Disiplinori i FIFA-s, madje Henri rrezikon që të humbasë ndeshjet e Botërorit 2010 për shkak të një pezullimi të mundshëm. "Komisioni i Disiplinës do të studiojë sjelljen e Henrisë në sfidën me Irlandën", deklaroi Sep Blater gjatë një konference për shtyp. "Nuk është çështja nëse personi në fjalë është Henri apo një lojtar tjetër. Veprimi ishte i padrejtë dhe e gjithë bota e ka parë atë që ndodhi. Nuk po them me siguri të plotë se kapiteni i francezëve do të ndëshkohet, po them vetëm që episodi do të merret në shqyrtim nga Disiplinori". Presidenti i FIFA-s i kërkoi falje edhe Federatës Irlandeze të Futbollit (IFA), për publikimin e kërkesës së tyre që skuadra e Trapatonit të pranohej si skuadra e 33-të pjesëmarrëse në evenimentin që do të zhvillohet në qershor në Afrikën e Jugut.
Gjithashtu, Blater hodhi poshtë propozimin për të rritur numrin e gjyqtarëve që drejtojnë një ndeshje futbolli. Në Botërorin 2010 do të vazhdojë të funksionojë sistemi me një arbitër kryesor, dy vijërojtës dhe një gjyqtar të katërt, e nuk do të ndodhë revolucioni i përdorur në disa ndeshje të Ligës së Europës, ku dy "xhaketa të zeza" qëndrojnë mbrapa portave, për të vëzhguar gjithçka që ndodh në zonë. "Gjyqtarët shtesë, ose përdorimi i teknologjisë, siç është Moviola, duhet të presin edhe pak kohë", tha 73-vjeçari. Ai theksoi se Komiteti Ekzekutiv ka mbështetur edhe krijimin e një "Task-Force ndërkombëtare" për të ndaluar bastet ilegale dhe trukimin e ndeshjeve të futbollit. Blater theksoi se FIFA ka mbështetjen e plotë të Interpolit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›