E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Mos i kurseni kartonët edhe në minutën e fundit"

Gabimet e gjyqtarëve nuk kanë ndikuar në renditje. Ky është përkufizimi i presidentit të FSHF-së, Armand Duka, i cili u del kështu në mbrojtje "bluzave të zeza", që në javët e fundit kanë qenë në qendër të kritikave të klubeve shqiptare, por edhe të shtypit, për shkak të disa gabimeve të pafalshme në disa ndeshje të Kategorisë Superiore dhe asaj të Parë. Gjyqtarët janë akuzuar shpesh nga klubet apo presidentët e tyre për paaftësi në drejtimin e ndeshjeve, por dhe akuza për blerje nga klube të ndryshme. Numri një i organit të lartë të futbollit në vendin tonë, ka dalë para gazetarëve menjëherë pas një analize me gjyqtarët për arbitrimin deri në këtë moment të sezonit 2009-2010. Presidenti i FSHF-së vlerësoi me nota pozitive punën e bërë nga gjyqtarët gjatë këtij edicioni, pavarësisht se klubet e futbollit të të gjitha kategorive në shumë raste janë shprehur të pakënaqur për arbitrimet e "xhaketave të zeza". Ai nuk ka ngurruar edhe të japë opinionin tij në lidhje me punën e tyre në 1/3 e sezonit. "Bëmë një analizë pune me gjyqtarët, i përcaktuar nga vetë sektori i gjykimit ku marr edhe unë pjesë. Bëmë analiza konkrete me specialistë, për të korrigjuar gjërat që nuk kanë shkuar mirë. Opinioni im është se, gjykimi i këtij viti nuk ka qenë i keq, nuk ka qenë faktor në renditjen e skuadrave në tabelën e klasifikimit". Bosi i FSHF-së nuk mohoi në asnjë moment parregullsitë e vërejtura gjatë gjykimit të ndeshjeve në dy kategoritë kryesore, por ai theksoi se bëhet fjalë thjesht për gabime njerëzore. Ndërsa shtoi se masat e FSHF-së për raste të tilla do të jenë edhe më të pranishme në të ardhmen. "Nuk mund ta mohoj që ka pasur gabime, por bindja ime personale është se ato kanë qenë gabime njerëzore. Absolutisht që ka masa në çdo lloj fushe. Kur ka gabime ka masa edhe për gjyqtarët, por sot është dita për të analizuar, për të ndërgjegjësuar për gabimet që kanë bërë dhe për të qenë koshient për episodet e ndodhura nëpër fushat e Superiores, le të themi për gabimet teknike. Por masat merren në vazhdimësi nga FSHF-ja". Presidenti i FSHF-së i ka mëshuar më fort dhënies së kurajës gjyqtarëve, të cilët jo rrallëherë gjendet në presionin dhe trysninë e ndeshjeve përkatëse dhe bëjnë ndonjë tolerim. Duka i ka mbështetur ata, duke u kërkuar të jenë korrektë deri në sekondat e fundit të ndeshjes, të mos nënvlerësojnë asnjë episod, që të mos u japin shkak klubeve dhe presidentëve që t‘i sulmojnë. Numri një i qeverisë së futbollist shqiptar u ka thënë drejtpërdrejtë gjyqtarëve: "Mos u trembni, se janë minutat e fundit për të dhënë kartonë, mos ngurroni të nxirrni edhe 2-3 kartonë të kuq, të jepni penallti e faulle në afërsi të zonës. Nëse jeni korrektë, sido të jetë, më shumë do ju duan", përfundoi Duka.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›