E Diel, 1 Nëntor 2026

Blank, letër juventinëve: Tifo të zjarrtë, jo sharje

Vetëm pak orë përpara sfidës me Interin, Zhan Klod Blank kërkon bashkëpunim nga tifozët e Juventusit dhe mbështetje sportive. Kërkesa e presidentit të klubit bardhezi është bërë nëpërmjet një letre të hapur. "Tetë ditët në vazhdim janë shumë të rëndësishme për sezonin tonë: ndeshjet kundër Interit dhe Bajernit përfaqësojnë një test shumë të rëndësishëm, për t‘u treguar të gjithëve forcën e vërtetë të skuadrës", shkruante Blank. "Do t‘i përballim këto ditë me impenjim maksimal dhe krenarinë me të cilën përgatiten sfidat e mëdha. Juve është e detyruar që të zbresë gjithmonë me objektivin për të fituar. Në të njëjtën kohë jemi të vetëdijshëm për rolin dhe rëndësinë që ka klubi ynë: mbështetja juaj, mënyra e pastër për të bërë tifozllik e juventinëve do të shërbejë si shtytje dhe do të jetë përgjigjja më e mirë për ata që mundohen t‘i paraqesin tifozët tanë si jo të civilizuar. Kam besim te ju, se dy ndeshjet e ardhshme do të jenë një betejë në fushë dhe një festë jashtë saj, me tifo të zjarrtë, por jo të tepruar dhe aq më keq ofensiv". Në dyshim për Juventusin është vetëm Felipe Melo, ndërsa Trezege do të qëndrojë në stol. Kamoranezi, Poulsen e Sisoko konfirmohen në mesfushë, ndërsa Diego do të luajë pas dyshes sulmuese, Del Piero-Amauri.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›