E Shtunë, 31 Tetor 2026

FJALA E PRESIDENTIT TE REPUBLIKES, BAMIR TOPI NE CEREMONINE E MARRJES SE MANDATIT PRESIDENCIAL.

Pallati i Brigadave
24 korrik, 2007

I nderuari Zoti Moisiu,
E nderuara Zonja Kryetare e Kuvendit,
I nderuari Zoti Kryeminister,
Zonja e Zotërinj Ministra
Zonja e Zoterinj Deputetë e Kolegë,
Shkëlqesi Ambasadorë dhe përfaqësues të trupit diplomatik,
Zonja e Zotërinj,

Ndihem i nderuar që jam zgjedhur në detyrën më të lartë të shtetit shqiptar dhe i privilegjuar që të mund të flas e të veproj në emër të popullit tim! E natyrisht, që këtë privilegj do të di ta justifikoj, për të dhënë gjithçka nga eksperienca e vetja ime në shërbim të vendit tim.

Kam qenë jo pak vite protagonist aktiv i një partie politike, por tashmë nuk e kam më të drejtën të mendoj si i tillë.Tani duhet te mendoj si President i Republikes e në lartësinë e përgjegjësisë që kërkon kjo detyrë.

Duke falenderuar të gjithë ata që besuan tek unë, do doja të garantoja se pavarësisht nga eksperienca ime politike do të punoj me të gjitha energjitë e mia për të qenë presidenti i të gjithë shqiptarëve duke patur si bazë ndershmerinë, vlerat qytetare dhe transparencën me të cilat jam edukuar e të cilat më kanë shoqëruar gjatë gjithë jetës time.

Zonja e zotërinj,

Kushtetuta dhe ligjet e shtetit do mbeten pikat e mia të vetme të referimit. Duke e pasur të qartë se realiteti politik që ofron vendi domosdoshmërisht kërkon emancipim, unë do të jem garant i marrëdhënies korrekte institucionale që opozita kërkon, por edhe gardiani i respektimit kushtetues të ligjeve nga mazhoranca.

Shqipëria është tashmë në rrugë të mbarë drejt integrimit në familjen e madhe europiane dhe më pranë integrimit në familjen euroatlantike. E për të ecur të sigurtë në këtë rrugë të gjithë jemi të ndërgjegjshëm për reformat që duhet të ndërmarrim, natyrisht jo në mënyrë të njëanshme, as me presione e bojkote, por me një bashkëpunim luajal e konstruktiv.

Shqiptaret presin nga politika që të jetojnë më mirë, të ndihen më të sigurtë e të integruar dhe është detyrim i të gjithëve ne permbushja e këtyre aspiratave.

Ne nuk kemi më kohë për të humbur por duhet të ecim me ritmin e hapave të Bashkimit Europian e të NATO-s. Krizat politike, veçse na e zgjasin këtë rrugë e natyrisht ndikojnë edhe në të ardhmen e Kosovës, e cila ndodhet pranë aktit përfundimtar e të shumëpritur të pavarësise si një proces që do legjitimojë vullnetin e popullit të Kosovës për të ndërtuar një shtet të pavarur dhe demokratik, që respekton pakicat e të denjë për të qenë pjesë e familjes europiane.

Të nderuar kolegë,

Vlerat dhe interesat që na bashkojnë janë shumë më të mëdha se ato që na ndajnë. Le të punojmë të gjithë së bashku për të çuar përpara reformat duke respektuar Kushtetutën dhe pavarësinë e institucioneve në të mirë të atdheut tonë.

Dua t’i garantoj partnerët tanë dhe të gjitha vendet mike se jemi të vendosur të përballemi me sfidat e reformave, për t’u dhënë një nxitje reale dhe të shpejtë proceseve të konsolidimit demokratik, shtetit të së drejtës, bashkëpunimit rajonal dhe integrimit euro-atlantik.

Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe shqiptarët!
Ju faleminderit!

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›