Kryeministri Berisha pret Kryetarin e Komitetit Ushtarak të NATO-s, Admiralin Giampaolo Di Paola
- Admiral Di Paola: “Unë dua të rikonfirmoj rëndësinë e mbështetjes që Shqipëria po ofron për Aleancën dhe të shpresojmë se Shqipëria të behet anëtare me të drejta të plota në muajt e ardhshëm.”
Kryeministri Berisha priti sot në takim Kryetarin e Komitetit Ushtarak të NATO-s, Admiralin Giampaolo Di Paola. Pas takimit, Kryeministri Berisha dhe Admirali Di Paola në një deklaratë për mediat u shprehën:
Admiral Di Paola: Z. Kryeministër, së pari, dua t’ju falënderoj për pritjen. Ky është një nder i madh për mua.
Unë dua të rikonfirmoj rëndësinë e mbështetjes që Shqipëria po ofron për Aleancën dhe të shpresojmë se Shqipëria të behet anëtare me të drejta të plota në muajt e ardhshëm. Ky është një vlerësim për shqiptarët, Shqipërinë, qeverinë shqiptare dhe një vlerësim i punës jashtëzakonisht të madhe që ky vend ka bërë për t’u bërë një anëtar i respektueshëm i komunitetit ndërkombëtar dhe një anëtar i ardhshëm i NATO-s.
Shqipëria tashme po mbështet NATO-n në shume operacione, jo vetëm NATO-n, jo vetëm në Afganistan, por edhe disa misione të BE-së dhe me anëtarësimin e Shqipërisë kontributi do të jetë edhe më i madh dhe për këtë jemi shume mirënjohës ndaj jush, Z. Kryeministër.
Edhe njëherë, dua t’ju falënderoj dhe presim që Shqipëria të bëhet anëtare me të drejta të plota, si dhe ne do të punojmë krah për krah për sigurinë dhe prosperitetin jo vetëm në rajon, por edhe më tej.
Kryeministri Berisha: Në takimin që pata me Kryetarin e Komitetit Ushtarak të NATO-s, Admiralin Di Paola shfrytëzova rastin për t’i shprehur mirënjohjen më të thellë Admiralit Di Paola, i cili i ka dëshmuar Shqipërisë dhe shqiptarëve ndjenjat më miqësore si gjatë periudhës që ka qenë Shef i Shtabit të Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të vendit mik, Italisë dhe tani në cilësinë e Kryetarit të Komitetit Ushtarak të Aleancës së Atlantikut të Veriut.
Falënderova gjithashtu me shumë mirënjohje Aleancën, Sekretarin e Përgjithshëm, Komitetin Ushtarak dhe misionin e NATO-s në Tiranë për inkurajimin dhe mbështetjen tejet të çmuar që i kanë dhënë Shqipërisë në rrugën e anëtarësimit.
Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO është arritja më e madhe historike e Shqipërisë dhe shqiptarëve, pasi ata bashkohen me këtë Aleancë si një vend i lirë dhe i pavarur, në të cilën do të jenë të sigurt në ndërtimin e të ardhmes së tyre dhe do të konsolidojnë një bashkëpunim miqësor me të gjitha vendet e kësaj Aleance politike dhe ushtarake më të madhe të të gjitha kohërave. E sigurova Admiralin Di Paola se reformat do të jenë ‘perpetum mobile’ dhe se ato do të interesojnë të gjitha fushat, nga reformat politike, me të cilat Shqipëria do konsolidojë të gjitha standardet e një demokracie funksionale, reformat e tregut, me të cilat Shqipëria do të garantojë një ekonomi tregu të lirë dhe funksionale, reformat e Forcave të Armatosura, me të cilat Shqipëria do të ketë një ushtri profesionale të vogël, të mirëstërvitur dhe të aftë për të përmbushur të gjitha detyrimet që rrjedhin nga anëtarësimi në këtë Aleancë.
Edhe një herë dëshiroj ta përgëzoj shumë Admiralin Di Paola për këtë vizitë.