E Shtunë, 31 Tetor 2026

FJALA E PRESIDENTIT TË REPUBLIKËS, BAMIR TOPI GJATË CEREMONISË SË BETIMIT NË KUVENDIN E SHQIPËRISË.

24 korrik, 2007

I Nderuar z.Moisiu !
E Nderuar zj. Kryetare e Kuvendit të Shqipërisë!
I Nderuar z. Kryeministër, z. Ministra, z. Deputetë!
Shkëlqesi ambasadorë, miq e të ftuar!
Të dashur bashkatdhetarë,

Më lejoni të shpreh falenderimin tim për praninë në këtë ngjarje ceremoniale të shënuar për betimin e Presidentit të Republikës.

Një falenderim i veçantë i adresohet Departamentit të Shtetit të Sh.B.A, i cili përshëndeti i pari zgjedhjen e Presidentit të Republikës.

Gjithashtu, kam rastin të shpreh vleresimin tim për deklaratën e Këshillit të Ministrave të BE-së, që konfirmuan pëlqimin e zgjedhjes së Presidentit brenda kornizës kushtetuese.

Dëshiroj solemnisht të falenderoj mijëra e mijëra qytetarë shqiptarë kudo ku ata jetojnë, për urimet me rastin e zgjedhjes në krye të shtetit shqiptar.

Sot, ne të gjithë kemi nevojë të ndryshojmë, duke u përballur me sfida të reja, të cilat janë jo vetëm nevojë historike për të ardhmen e Shqipërisë por më shumë se kurrë një aspiratë e shprehur e shqiptarëve kudo ku ata jetojnë dhe punojnë.

Shqipëria përjeton sot momente historike, që lidhen me të ardhmen e saj demokratike, të rrugës pa kthim në vlerat e familjes euroatlantike.

Në këto çaste, ju mendoj të gjithëve të bashkuar rreth interesave kombëtare, përreth qëllimeve themelore, jetike për vendin, për të kapërcyer pengesat reale dhe psikologjike, pjesë e trashëgimisë, por edhe të momentit, për një imazh të ri të institucioneve të konsoliduara zyrtare dhe përfaqësuese.

Për këtë kam bindje të thellë, pasi stadi i pjekurisë së klasës politike dhe i shoqërisë, pavarësisht nga problemet është më i avancuar.

Të nderuar zonja e zotërinj!

Më lejoni të shprehem solemnisht në fjalimin e parë si President i Shqipërisë se do të përmbush me korrektësi dhe vendosmëri, të gjitha detyrimet kushtetuese, që burojnë nga ligji themeltar i shtetit, Kushtetuta e Shqipërisë, ligjet e vendit, duke u bërë garant i tyre dhe ruajtës i lirive dhe të drejtave themelore të popullit tim.

Dëshiroj të paraqes angazhimin e palëkundur, se do të jem i vendosur dhe thellësisht i motivuar në respektimin e marrëdhënieve institucionale e njerëzore me të gjithë faktorët politikë, për të krijuar kushtet për emancipimin e mëtejshëm të politikës, bashkëveprimin për kryerjen e reformave për të ardhmen e vendit, duke qenë jashtë palëve dhe mbi to.

Jam përfshirë në politikë për qëllime të larta, për të dhënë kontribute intelektuale e qytetare, për të zhvilluar debatin politik ne funksion të rritjes së standarteve të demokracisë në mjedisin politik shqiptar.

Sot, dal nga politikat partiake dhe bindjet përkatese, jo vetëm formalisht, por edhe në mënyrë të qenësishme për misionin që kam mbi supe të kryej. Pozicioni im nuk i takon më një pjese, qenia ime i takon së pari qytetarit, i cili projekton bindjet e tij demokratike në partitë politike, që do të thotë se nga ky çast e gjithë veprimtaria ime shndërrohet në institucionale në respekt të ligjeve dhe interesit kombëtar.

Ky angazhim adresohet në mënyrë të veçantë tek partitë e opozitës, duke i garantuar se do të gjejë hapesirat e nevojshme në reformat për forcim dhe ballancim të institucioneve të pavarura e kushtetuese si kusht themelor për rritjen e efektivitetit dhe të besueshmërisë publike.

Jam i prirur të besoj dhe të inkurajoj mazhorancën politike, që të japë mesazhet e bashkëpunimit dhe të krijimit të hapësirave të nevojshme demokratike për opozitën në realizimin e reformave në institucione, në ekonomi dhe jetën shoqërore, ku në fokus duhet të jetë reforma në sistemin e drejtësisë.

Kam bindjen se debati i kualifikuar parlamentar e publik do të ballafaqojë vazhdimisht qeverinë dhe opozitën, si rregulli themelor i demokracisë parlamentare.

Zonja e zotërinj!

Angazhimi dhe përkushtimi im i palëkundur do të orientohet gjithashtu drejt promovimit të rimëkëmbjes së vlerave morale të shoqërisë. Asnjëherë kriza e vlerave nuk ka qenë në këtë nivel kritik, sikurse nevoja për t’i patur ato nuk ka qenë kaq e fortë.

Promovimi i vlerës së punës, përpjekjes, meritës dhe respektit janë themelet e dinjitetit njerëzor dhe kusht i progresit social.

Në nevojën për ndryshim të shpejtë, asnjëherë mefshtësia nuk ka qenë kaq e rrezikshme për Shqiperinë, e cila kërkon t’i bashkohet botës së shpejtësisë dhe zhvillimit, ku çdo vonesë është mjaft e kushtueshme.

Në këto kushte politika dhe institucionet duhet të çlirojnë hallkat e pengesave për interesat themelore të Shqiperisë, hapësirat për vlerat intelektuale, të nxitet karriera e tyre në funksion të orientimit tek prioritetet e vendit duke stabilizuar në mënyrë përfundimtare çështjen e pronave, zvogëlimin e ndryshimeve të papranueshme sociale, zgjerimin dhe liberalizimin e mëtejshem të klimës së biznesit, decentralizimit të pushteteve, rritjes së cilësisë në arsim e shëndetësi, që do të krijonin kushtet për uljen e papunësisë, kësaj plage reale në shoqërinë shqiptare.

Frymëzuese për politikën dhe besoj një nga standartet e realizuara të shoqërisë shqiptare është mirëkuptimi dhe harmonia fetare, virtyt i çmuar i traditës dhe i së sotmes.

Forcimi i kësaj fryme dhe roli i çmuar i institucioneve fetare do të ndikojë në vlerësimin e Shqipërisë dhe njerëzve të saj si pjesë e trashëgimisë kombëtare dhe si pjesë natyrale e qytetërimit modern.

Të nderuar miq !

Shqipëria është dhe do të jetë faktor mirëkuptimi në politikat rajonale dhe aktive në sfidën e integrimit në NATO e BE si aspiratë e pjesës dërrmuese e popullit shqiptar.

Një mesazh të veçantë dëshiroj t’u dërgoj nga kjo foltore popullit të Kosovës dhe institucioneve të saj, duke garantuar bashkëpunim të ngushtë midis vendeve tona në dobi të paqes, sigurisë në rajon, lirive dhe të drejtave të njeriut dhe interesit të përbashkët për integrim euroatlantik.

Shqipëria do të vijojë me përkushtim të kontribuojë në përpjekjet e vendeve partnere të kryesuara nga SHBA-të si lokomotivë drejt zgjidhjes përfundimtare të statusit të Kosovës, duke iu referuar mesazhit të rëndësishëm të Presidentit Bush në Tiranë.

Unë shpreh bindjen se pavarësia e Kosovës eshte garanci për paqe e stabilitet në rajon, e cila së bashku me vendet fqinje shkojnë drejt ambicieve të përbashkëta për integrim në familjen euroatlantike dhe duke lënë pas hijet e luftës.

Të nderuar zonja e zoterinj!

Jam i bindur se në sherbim të Shqipërisë dhe shqiptarëve nuk ka ndarje dhe kampe. Ka vetem vullnet të mirë nga ata që e duan këtë vend.

Të gjithë atyre, që duan t`i shërbejnë Shqipërisë dhe shqiptarëve u deklaroj se jam gati të punoj me ta pa i’u kërkuar të heqin dorë nga bindjet e tyre, pa i detyruar të tradhëtojnë miqësitë e tyre, pa i’u kërkuar të harrojnë historinë e tyre.

Ka ardhur koha që gjithësecili të vendosë se si dëshiron t`i shërbejë këtij vendi, si njeri me shpirt dhe besim të lirë.

Ju faleminderit!

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›