E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti i ri Republikës merr mesazhe urimi me rastin e zgjedhjes në detyrë.

24 korrik 2007

Presidenti i Republikës, Bamir Topi ka marrë mesazhe të shumta urimi me rastin e zgjedhjes në detyrën e lartë të Presidentit të Republikës së Shqipërisë.

Horst Këler
President i Republikës Federale të Gjermanisë

“Me rastin e fillimit të detyrës Suaj si President i Republikës së Shqipërisë Ju përcjell, edhe në emër të bashkëatdhetarëve të mi, urimet e mia të përzemërta.

Me zgjedhjen e datës 20 korrik vendi Juaj ka bërë një hap të rëndësishëm përpara në drejtim të vijimit të programit të tij të pasur me reforma.

Gjermania do të vazhdojë të mbështesë në mënyrë aktive Shqipërinë në procesin e përafrimit euroatlantik si edhe në kuadër të reformave ende për t’u realizuar.

Ju uroj sukses, energji dhe fat të mbarë në ushtrimin e detyrës Suaj me përgjegjësi të lartë”, - thuhet në mesazhin e z. Këler.

* * *

Angela Merkel
Kancelare e Republikës Federale të Gjermanisë

“Shumë i nderuar zoti President,

Me rastin e zgjedhjes Suaj si President i vendit Tuaj, Ju përgëzoj përzemërsisht dhe Ju uroj fat të mbarë, sukses dhe bekimin e Zotit.

Gjatë mandatit Tuaj, Shqipëria do të gjendet para disa reformave vendimtare, të cilat kanë të bëjnë me afrimin e saj me NATO-n dhe me Bashkimin Evropian.

Lidhur me këtë, Shqipëria mund të mbështetet edhe më tej në përkrahjen aktive të Qeverisë Federale”, - thuhet në mesazhin e zj. Merkel.

* * *

Branko Cervenkoski
President i Maqedonisë

“I nderuar z. President,

Me rastin e zgjedhjes Suaj si President i Republikës së Shqipërisë është nderi dhe kënaqësia ime e veçantë t’Ju shpreh urimet dhe përgëzimet e sinqerta për përmbushjen tuaj të suksesshme të këtij funksioni të përgjegjshëm.

Jam i bindur se përkushtimet tona të përbashkëta për të ndërtuar marrëdhënie të fqinjësisë së mirë, për të kontribuar drejt bashkëpunimit rajonal dhe për të ndarë vlerat europiane dhe euroatlantikase do të vazhdojnë të mbetet prioritetet tona më të larta edhe në të ardhmen.

Miqësia tradicionale midis dy vendeve tona, përpjekjet dhe vizionet e përbashkëta për një rajon të qëndrueshëm dhe të begatë na detyrojnë të hapim një prespektivë të re, të vazhdojmë, të intensifikojmë dhe ta pasurojmë bashkëpunimin tonë për të cilin me këtë rast unë shpreh gadishmërinë time të plotë gjithashtu”, - thuhet në mesazhin e z. Cervenkovski.

* * *

Filip Vujanoviç
President i Malit të Zi

“Përfitoj nga ky rast që t’Ju shpreh urimet për zgjedhjen Tuaj si President i Republikës së Shqipërisë.

Shpreh bindjen time në vijueshmërinë e bashkëpunimit mes dy vendeve tona mbi bazën e intersit të ndërsjellë dhe nivelit të kënaqshëm të marrëdhënieve tona solide. Jam i sigurtë se Shqipëria, gjatë mandatiti Tuaj presidencial do t’i afrohet gjithmonë e më shumë Bashkimit Evropian, që është njëkohësisht edhe qëllimi i vendit tim.” – thuhet në mesazhin e Presidentit Vujanoviç.

* * *

Mesazhe të përzemërta urimi për zgjedhjen si President i Republikës së Shqipërisë, z. Bamir Topi ka marrë edhe nga:

Kryetari i Radhës së OSBE-së, Ministri i Jashtëm i Spanjës, Migel Anhel Moratinos.
Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare të Maqedonisë, Menduh Thaçi.
Konsulli i nderit i Republikës së Shqipërisë dhe President i "Hokkoku Shimbun INC", Aidekazu Jobita.
Kryetari i Partisë Bashkimi Demokratik Kombëtar i Maqedonisë, Hysni Shaqiri.
Kryetari i Unionit të Bashkësive Shqiptare në Republikën e Kroacisë, Tom Marku.
Kryetari i Partisë Lëvizja për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut, Ligoraq Karamelo.
Kryetari i Konferencës së Rektorëve të Universiteteve të Shqipërisë, Prof. Dr. Shezai Rrokaj.
Rektori i Universitetit të Prishtinës, Prof. Dr. Enver Hasani.
Komandanti i Trupave të Mbrojtjes së Kosovës, Gjeneral Lejtnant Sylejman Selimi.
Akademiku Mark Krasniqi, Kryetar i PSHDK-së.
Drejtori i Përgjithshëm i Hotel "Rogner" Tiranë, Peter Bros.
Kryetari i PAMECA-s, Tiranë, Klaus Shmid.

Kryetarin e shtetit e kanë uruar dhe qytetarë të thjeshtë e dashamirës shqiptarë anembanë botës.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›