E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi niset për në Mal të Zi ku do të marrë pjesë në punimet e SEECP-it

29 qershor 2011

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi në krye të delegacionit zyrtar, u nis sot për në Mal të zi, ku do të marrë pjesë në Samitin e Kryetarëve të Shteteve dhe Qeverive të Procesit të Bashkëpunimit të Vendeve të Evropës Juglindore (SEECP), i cili do të zhvillohet në Budva, në datat 29-30 qershor 2011.

Gjatë punimeve të këtij Samiti pritet të diskutohet rreth situatës aktuale në rajon, po ashtu dhe të miratohet raporti vjetor i Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Bashkëpunimit në Evropën Juglindore për vitin 2010-2011. Në kuadër të punimeve të SEECP-it, Kryetari i Shtetit shqiptar pritet të zhvillojë takime me homologë të vendeve të pranishme në të. Në përfundim të Samitit do të mbahet një konferencë e përbashkët për shtyp e pjesëmarrësve në Samitin e SEECP-it.

SEECP-i është një forum për dialogun diplomatik dhe politik midis Shqipërisë, Bosnje-Hercegovinës, Bullgarisë, Greqisë, Kroacisë, Malit të Zi, Maqedonisë, Moldavisë, Rumanisë, Serbisë, Sllovenisë e Turqisë. Kjo nismë synon bashkëpunimin e vendeve pjesëmarrëse për forcimin e stabilitetit, sigurisë dhe marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, zhvillimin ekonomik, si dhe për çështjet humanitare, sociale e kulturore, për drejtësinë, luftën kundër krimit të organizuar, etj.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›