E Diel, 1 Nëntor 2026

FJALA E PRESIDENTIT TOPI NË MBLEDHJEN E RADHËS SË KËSHILLIT TË LARTË TË DREJTËSISË.

7 korrik 2008

Të nderuar anëtarë të Këshillit të Lartë të Drejtësisë!
Të nderuar pjesëmarrës!

Mbledhja e radhës e këtij Këshilli i takon të zhvillohet në një kohë procesesh dhe diskutimesh të shumta që kanë përfshirë shumë subjekte dhe institucione qendrore, e që kanë si emërues të përbashkët sferën delikate të drejtësisë, dhe këtu me cilësinë e Kryetarit të Shtetit dhe njëkohësisht të këtij Këshilli të nderuar, më lejoni të rishpreh përpara jush angazhimin e plotë, së pari, për të qenë një balancues institucional dhe kjo do të thotë përkushtim i plotë në të gjitha fushat, ku Presidenti i Republikës ka kompetenca, ku Kushtetuta i atribuon kompetencat, pa lejuar influencën e ndërvarur të tyre nga njëra-tjetra dhe së dyti, për të drejtuar dhe mbështetur vendimmarrësit drejt këtij organi kushtetues, me një qëllim final: konsolidimin gjithnjë e më shumë të shtetit të së drejtës.

Në pozicionin drejtues të këtij Këshilli, duke ju falenderuar për përkushtimin tuaj të deritanishëm, ju ftoj të reflektoni në ato parametra që masin rëndësinë e kësaj mbledhjeje dhe që çojnë në mirëfunksionimin e këtij organi, pra, vullneti i mirë dhe ndërgjegja e fortë. Dhe nuk i referohem kështu vetëm diskutimeve cilësore, por dhe konsensusit dhe të vërtetës së tyre, si shenjë e vullnetit të mirë. Nuk i referohem vetëm barrës së rëndë të përgjegjësisë që ju keni, por dhe harmonisë dhe gatishmërisë profesionale për të dhënë vendimin e duhur si shenjë e ndërgjegjjes së fortë. Historia e shoqërisë njerëzore ka treguar se suksesi i një shteti nuk qëndron në retorikat e qëndrimit personal, që mund të çojnë në një acarim tensionesh ndërinstitucionale, dhe madje, edhe në përkeqësim të tyre. Përkundrazi, dialogu dhe kompromisi, ndërmjetësimi dhe mirëkuptimi janë pjesë e vizionit të demokracisë, pasi kjo e fundit, aq sa reflekton soliditet, aq ka edhe brishtësi.

Të nderuar anëtarë!

Mesazhi im për ju sot lidhet me nevojën për të insistuar në kauzën, së cilës ju keni zgjedhur t’i shërbeni, drejtësisë dhe ligjit. Dhe do të kërkoj ta bënit këtë, për të qenë parimorë në qëndrimin tuaj. E them këtë, sepse është e rëndësishme të theksohet se problemet politike të një shteti, në asnjë rast nuk duhet të infektojnë sektorin e drejtësisë. Drejtësia bazohet në parime universale dhe ka një shprehje që thotë se “Parimi nuk pranon as mëdyshje, as shkallëzim”. Parimet vlejnë në çdo kohë. Ato nuk lidhen me legjislatura apo mandate dhe janë garancia juaj më e mirë në llogaridhënien përpara vetes, shtetit dhe shoqërisë. Sigurisht, më lejoni të ndaj me ju bindjen time se të gjitha këto nuk janë një përpjekje për të bërë moral dhe për t’ju bërë moral, por shprehje e nevojës për përmbushjen e atyre angazhimeve që shteti ynë ka marrë 12 vjet më parë, në kohën kur anëtarësoheshim si anëtarë të Këshillit të Evropës. Citoj nenin 3 të Statutit të kësaj organizate evropiane që thotë: “Çdo anëtar i Këshillit të Evropës njeh parimin e përparësisë të së drejtës, që është parimi sipas të cilit, gjithëkush që vihet nën juridiksionin e tij, pra të shtetit anëtar, lypset të gëzojë të drejtat e njeriut dhe liritë themelore. Ky Këshill është padyshim një ndër rojtarët e shtetit demokratik, për respektimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, që Konventa Evropiane dhe Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë proklamojnë dhe që përbëjnë bazën e rendit juridik.

Duke iu referuar rendit të ditës të kësaj mbledhjeje, që është vënë në dispozicion, do të kërkoj vëmendjen tuaj në dy drejtime: së pari, të jepet shembulli i duhur që në respektim të vendimeve të autoriteteve të larta, gjyqësori të rishikojë vendimet e këtij Këshilli, sikurse janë Gjykata e Lartë dhe ajo Kushtetuese. Këshilli i Lartë i Drejtësisë është organi qeverisës, një sistem gjyqësor me dy nivele të para, por që në disiplinimin ndaj tyre funksionon si kuazi gjykatë dhe megjithatë nuk renditet i fundit në dhënien e verdiktit mbi fatin e gjyqtarit. Fryma e punës së Këshillit të Lartë të Drejtësisë duhet të zhvillojë konceptin e respektit institucional, e organeve gjyqësore që rishikojnë vendimet e këtij Këshilli në mënyrë që të mos vuajë më gabimet e së kaluarës dhe të mos i hapim rrugë gabimeve për të nesërmen. Si gjyqtarë, në veprimtarinë tuaj të përditshme, ju respektoni vendimet e Gjykatave më të larta. Si anëtarë të këtij Këshilli gjithashtu, duhet të jeni të vëmendshëm jo vetëm për të respektuar vendimmarrjen e Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese, por edhe që kjo të ndodhë brenda parametrave kohorë të arsyeshëm. Së dyti, promovimi i gjyqtarëve të mos shihet i shkëputur nga investimi për një sistem gjyqësor karriere, që do të thotë se mundësitë për përgjegjësi më të mëdha në gjykim u jepen padyshim më të mirëve.

Veprimtaria e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, që përfshin sot edhe plotësimin e një vendi vakant në Gjykatën e Apelit për Krime të Rënda, duhet të jetë në sinkron të plotë me respektimin e standarteve të larta profesionale që ky Këshill pretendon nga i gjithë komuniteti gjyqësor. Investimi i këtij Keshilli sot në Gjykatën e Krimeve të Rënda është garancia që u jepet qytetarëve për vënien e drejtësisë dhe që do të vlejë për shumë kohë. Ndaj, të gjithë së bashku, le të bëjmë investimin e duhur.

Ju faleminderit!

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›