E Shtunë, 31 Tetor 2026

FJALA E PRESIDENTIT TOPI NË TAKIMIN ME DREJTUES DHE STUDENTË TË SHKOLLËS SHQIPTARE TË STUDIMEVE POLITIKE.

21 prill 2009

Përshëndetje! Mirë se keni ardhur! Unë, së pari, ju uroj mirëseardhjen në Institucionin e Presidentit! Së dyti, dëshiroj t’ju përgëzoj dhe t’ju inkurajoj për angazhimin që keni marrë në funksion të sfidave jo thjesht personale, në funksion të përsosjes dhe rritjes së cilësisë së demokracisë në Shqipëri!

Natyrisht, Shkolla e Politikës ka një traditë mjaft të re në Shqipëri, por gjithmonë ka një fillim dhe ka një përsosje të traditës. Ishte e domosdoshme që të realizohej kjo shkollë edhe në Shqipëri, kjo falë edhe Këshillit të Evropës, falë edhe gatishmërisë së institucioneve shqiptare, se në çdo lloj ndërmarrje, kuptohet, ka një bashkëpunim, por ky bashkëpunim nuk do të kishte sens, në rast se nuk do të kishte interes nga njerëzit, nga politikanët e rinj dhe unë shoh që nga viti i parë në vitin e tretë të kësaj shkolle, ka një rritje të pjesëmarrjes. Natyrisht, nuk më lejohet të bëj vlerësime përsa u përket cilësive, kjo do të ishte e palejueshme, por gjithsesi, çdo ditë e re që vjen, shton mundësinë për rritje të cilësisë. Ky është parim dhe të flasësh për parimet, besoj nuk bën gabim. Kështu që, uroj që ky vit realisht të ketë sjellë cilë si të reja dhe besoj do jeni mirëkuptues që vitet që vijnë, do të sjellin kualitete të tjera. Unë kam rastin, në shikim të pare, të shikoj fytyra të njohura, por edhe të panjohura, por mbi bazën e informacionit që unë kam marrë, është shumë e rëndësishme që ka një pjesëmarrje që do ta quaja komplekse përsa i përket përfaqësimit institucional. Ka nga partitë politike, ka nga institucionet, nga administrata qendrore dhe lokale, ka nga media, dhe besoj që i jep kuptimin e vërtetë pikërisht qëllimit për të cilin është ngritur kjo shkollë. Në rast se do të merrnim thjesht atë definicion, i cili keqpërdoret në Shqipëri, do ta konsideronim Shkollën e Politikës si një shkollë partiake, ose më mirë si një shkollë të politikave partiake. Ky do të ishte një gabim, do të ishte një hap i paabsorbueshëm në këtë mënyrë, sepse qysh në fillim, do të merrim në konsideratë që do të kishte një tregues inflacionist, që të gjithë po shkojnë në një drejtim, por mënyra se si është konceptuar, dhe kjo pjesëmarrje mjaft interesante, tregon që edhe Shkolla e Politikës është pozicionuar qartë, por edhe njerëzit po orientohen qartë. Pra, të bësh politikë, nuk do të thotë të bësh thjesht politikë të karakterit ideologjik, por secili në fushën e vet, kudo që të jetë, qoftë në institucionet qendrore, qoftë në ato lokale, qoftë në institucionet e medias, në administratë në përgjithësi, ka nevojë që të bëjë politikat e fushës.

Ne kemi një tranzicion disi të zgjatur. Kjo ka ardhur jo thjesht për shkak të paaftësisë për t’u orientuar. Nuk ka ardhur në mënyrë të vullnetshme dhe nuk po shkon në mënyrë të vullnetshme tërësisht. Ka ardhur dhe vazhdon të shkojë në këtë linjë, edhe për shumë shkaqe objektive. Gjithsesi, mund t’ju them që pas kaq vitesh, ka filluar që të përdoret gjithmonë, edhe në mënyrë më të shpeshtë, togfjalëshi që “jemi në fund të tranzicionit”. Kemi arsye të themi që “jemi në fund të tranzicionit”, sepse, pa dashur të rikap tema, të cilat kanë qenë të ditës, juve i keni trajtuar, të gjithë së bashku i kemi trajtuar, kemi qenë pjesëmarrës qoftë drejtpërdrejtë, qoftë nëpërmjet ndjesisë që çdonjëri e ka marrë nëpërmjet kanaleve të medias, se Shqipëria sot është vend i NATO-s. Përfytyroni, është një nga 28 vendet e NATO-s! Përfytyroni retrospektivën historike të vendit tonë, që shumica prej jush nuk e kanë ndjerë dhe perceptuar në mënyrë të drejtpërdrejtë, por gjithsesi, jeni një brez që ka marrë patjetër të gjithë informacionin më të freskët për ato që ka kaluar Shqipëria gjatë viteve të izolimit. Të jesh një vend i NATO-s, do të thotë të jesh pjesë e Aleancës më të madhe politike për paqen dhe sigurinë. Të jesh në vendimmarrje, dhe vendimmarjet në Aleancën e Atlantikut të Veriut janë shumë interesante, janë një leksion i vërtetë demokracie. Aty nuk merret në konsideratë, besoj, as madhësia e vendit, as forca e institucioneve dhe politikës së një vendi, as forca ushtarake, por merret ajo që është bazë, që është themel i demokracisë, vendimi konsensual. Ky ishte dhe perceptimi i parë, eksperienca e parë, edhe e jona në atë tavolinë, ku gjëra mjaft të rëndësishme shkojnë për t’u vendosur me konsensus të plotë. Dhe të japësh konsensus, do të thotë që të jesh i ekuilibruar, të jesh i maturuar, të dish të trajtosh një çështje, dhe besoj që ju e kuptoni që diskutohet për çështje mjaft të rëndësishme, të dish të japësh dhe të marrësh, dhe besoj që kjo është një nga arritjet më të mëdha dhe besoj një leksion shumë i rëndësishëm për demokracinë në Shqipëri dhe mbi të gjitha, për brezin e ri politikan. Është mesazhi më i rëndësishëm që unë mund të jap sot, që Shqipëria, gjatë gjithë këtyre viteve të tranzicionit, ka futur në lojën e institucioneve të politikës njerëz që kanë qenë të spikatur në fushat e tyre respektive, por nuk kanë pasur një shans për shkak të kushteve konkrete që ka kaluar vendi ynë. Nuk janë përgatitur në shkolla të tilla të politikës.

Sot mundësitë janë të jashtëzakonshme. Mjaft studentë shqiptarë studiojnë jo thjesht në universitetet shqiptare, studiojnë në universitetet më në zë të botës, ndjekin kurse pasuniversitare, por sot, ne kemi fatin që të kemi një institucion, një institucion që çdo ditë po konsolidohet, që është Shkolla e Politikës dhe besoj që, juve duhet të kuptoni që gjithçka vjen jo në mënyrë bruske. Mos mendoni që sot ju merrni një diplomë dhe nesër jeni plotësisht të gatshëm për të përballuar sfidat dhe kompeticionin, qoftë në politikën partiake, qoftë në politikat e fushës! Ju keni shans, keni një mundësi më shumë, jeni më të përgatitur, keni një çertifikatë dhe nuk do ta konsideroja kurrë çertifikatën si një letër, e cila mund të demonstrohet për të pasuruar CV-në. Kur them “keni një çertifikatë”, nënkupton se keni një çertifikim nga një shkollë, e cila është e çertifikuar nga Këshilli i Evropës. Pra, ajo që mund të japim ne sot si mesazh është që politika shqiptare sot ka një shans më shumë. Institucionet e Shqipërisë kanë një shans më shumë dhe padyshim që ju do të keni shumë bërryla në karrierën tuaj, sepse bërrylat asnjëherë nuk do t’i paralelizoja me garën, por ky është terreni kudo, ka kompeticion, natyrisht ka dhe bërryla. Duhet të jeni të përgatitur fort për sfida që, vërtet unë jam i bindur, që ju do të dini t’i përballoni! Bota është ndërtuar në mënyrë të tillë. Perëndimi ecën në traditën e vet nëpërmjet një rruge evolucionare, çdo ditë kanë progresin e tyre mbi bazën e objektivave dhe synimeve të qarta, ndërsa ne kemi edhe eksperiencën e lëvizjeve të papritura, revolucionare, që në kuptimin e zhvillimit shoqëror, natyrisht në momente shumë të rëndësishme historike, kanë pasur vlerat e tyre, por në zhvillimin e mendimit evolucionar, kanë dhënë edhe drama, pra, duhen parë në një aspekt kompleks dhe unë kam parasysh që, në situata revolucionare mund të kemi edhe një ngritje në detyrë, pa precizuar asgjë, mund të kemi edhe njerëz që s’janë cilësorë. Sot fatmirësisht, pas kaq vitesh, edhe politika shqiptare, edhe institucionet shqiptare kanë mundësinë që të ekstraktojnë vlera të mira intelektuale e profesionale. Kam parasysh një shprehje të Cvajgut, tek “Fusheja”, libër që e lexonim kur ishim në kohën e gjimnazit, që mund t’i shkojë ndoshta situatave, për të bërë të mundur vlerësimin relativ midis kapërcimit revolucionar dhe evolucionit, rritjes çdo ditë dhe progresit çdo ditë të vlerave individuale. “Revolucioni kish ngritur lart gjithçka”, thotë Cvajgu, aq sa kish ngritur lart. Pra, “gjithçka që ishte në fund, kishte shkuar sipër”. Mos i jepni konotacionin e keq, sepse po bëj vetëm një vlerësim krahasimor midis asaj që njeriu duhet të bëjë çdo ditë, duhet të studiojë çdo ditë, dhe atyre katapultimeve që vijnë në mënyrë shumë të rastësishme. Pra, juve sot mund të jepni shembuj që dikush pa ndonjë meritë, ka shkuar në një pozicion. Mos u dekurajoni! Mos u dekurajoni, sepse e ardhmja pa diskutim, jo vetëm në politikë, por e ardhmja në çdo fushë të jetës është e njerëzve të ditur! Kështu që instruksioni që ju keni marrë, motivimi me të cilin ju jeni brymosur për të shkuar e ndjekur një shkollë, është një vlerësim i jashtëzakonshëm dhe ky vlerësim duhet të bëhet nga të gjithë! Duhet të bëhet nga të gjithë, sepse ne sot duhet të jemi kudo, duke filluar nga unë, që jam në krye të shtetit sot, dhe të gjitha institucionet e tjera, duhet të jemi shumë të kujdesshëm në marrjen e kualiteteve! Vërtet janë rregulluar mjaft procedura, por procedurat s’duhet të qëndrojnë gjithmonë në letër, sepse shteti ynë ka nevojë të forcohet. Ka nevojë të shkojë në ato standarde, të cilat ne i përmendim çdo ditë, por këto standarde realisht duhet t’i realizojmë, ku në çdo fushë tek njerëzit të ketë një besim, që në çdo fushë të ketë njerëz që janë cilësorë, sikurse thashë, që i dalin për zot punëve të tyre dhe krijojnë një imazh të fortë të një shteti, i cili, pas anëtarësimit në NATO, patjetër do të shkojë të anëtarësohet në Bashkimin Evropian! Këto janë rrugë të pakthyeshme, këto janë tendenca, dhe në politikë njeriu duhet t’i shohë tendencat qartë. Nuk ka shans tjetër. Shqipëria e ka zgjedhur rrugën e integrimit. Është bërë një punë e jashtëzakonshme në të gjitha këto vitet e tranzicionit. Mundej që ky tranzicion të kishte qenë më i shkurtër dhe duhej të ishte më i shkurtër, por kemi kaluar edhe trauma, dhe traumat e karakterit politik dhe shoqëror, duhet patjetër t’ju japin një eksperience, që ato të mos ripërsëritem më. Sot, kompeticioni, jo vetëm në nivel kombëtar, por dhe internacional, është bërë i jashtëzakonshëm, dhe unë besoj që ky kompeticion nuk mund të përballohet nga njerëz të cilët nuk e ndjekin ritmin e jetës së këtyre institucioneve.

Ju mund ta keni parë dhe do ta shikoni që kur futesh në një institucion të rëndësishëm të Evropës, marrim në konsideratë Këshillin e Evropës, atje ka një dinamizëm të jashtëzakonshëm. Ka njerëz të cilët, në kuptimin e vërtetë të fjalës, kthehen në makineri të forta për të përballuar të gjithë ritmin e dialogut, ritmin e punës, ato standarde që kërkohen, kërkohen mjaft çështje që të realizohen me dinamizëm dhe me shumë cilësi, dhe patjetër që, edhe ne që shpresojmë të jemi në familjen evropiane, duhet patjetër ta përballojnë në këtë mënyrë. Pra, sot, me pak fjalë, sfidat janë të shumta. Kërkesa për ju, detyrimisht do të jetë e nevojshme, do të jetë në rritje. Lum ata drejtues institucionesh që dinë të vlerësojnë dhe të marrin pikërisht nga këto kontigjente, që ofrojnë vërtet shanse për rritjen e cilësisë së punës, kudo, në të gjitha fushat!

Sigurisht politika nuk ka qenë profesioni im i parë, në një moment të jetës vjen dhe realizohet edhe atëherë kur ti nuk e ke menduar. Pra, e tillë është jeta, por gjithësesi vjen dhe bëhet pjesë e një vendimmarrjeje, që është sa e vështirë, aq edhe e lehtë. E vështirë, sepse duhet të analizosh në kompleksitet shumë gjëra. Nuk është e lehtë të braktisësh një profesion, por nga ana tjetë r, kur mendon që sfidat për profesionin tënd janë të tilla që ti duhet të jesh në vendimmarrje, atëherë njeriu bën një hop dhe bën të domosdoshëm pikërisht atë mision, kur ti do që vendimmarrjet për profesionin tënd t’i marrin të tjerë, që nuk mendon që janë vizionarë për ta zhvilluar atë profesion. Kjo është sfida e brendshme, që ndodh brenda qenies së një individi, i cili nga profesioni kalon në politikë.

Të jesh në politikë padiskutim shumë vetë thonë që është biznesi më i vështirë. Unë jam në gjendje të bëj këtë lloj krahasimi, sepse nuk jam marrë me biznes, por gjithsesi jam i prirur që t’i referohem literaturës dhe njerëzve që i kanë zhvilluar të dyja. Të bësh një biznes, qoftë ky edhe në politikë në kuptimin e mirë të fjalës, do të thotë t’i kesh llogaritur mirë aftësitë, patjetër të dish, të kesh artin e komunikimit, artin për të bërë për vete sa më shumë njerëz dhe sigurisht artin e të ndërtuarit të raporteve që do të sjellin një produkt në favor të shoqërisë. Eksperienca e çdo njeriu është specifike. Nuk ka rregulla të shkruara, ka rregulla orientuese padiskutim, por nuk ka rregulla fikse. Çdo njeri di të komportohet vetë dhe patjetër, ajo që unë mund t’ju them, t’ju kë shilloj, është të mos dilni asnjëherë nga detyra juaj. Duhet të jeni vetvetja, sepse kjo është garancia maksimale, që mund të ketë një politikan i ri në karrierën e tij. Ka raste të dhimbshme nga eksperienca në politikë, kur njerëzit dalin jashtë karakterit të tyre, dalin jashtë natyrshmërisë së tyre, mundohen të bëjnë veprime të sforcuara, disa prej tyre dhe klonohen, nuk kanë fytyrën e tyre, marrin fytyrën e liderit, sjelljen e tij, gjestet e tij dhe natyrisht nuk kanë jetëgjatësi. Njeriu duhet të dijë të jetë shumë luajal, duhet të jetë shumë konstruktiv në ndërtimin e marrëdhënieve, por nuk ka nevojë të jetë imitues. Njeriu mund të përqafojë një model, por jo të jetë imitues. Nga kjo pikëpamje mund t’ju them që ju keni shansin sot të jetoni në një botë të lirë. Askush nuk e detyron tjetrin sot që të jetë i skllavëruar. Mund të bëhesh skllav i vetvetes, por askush nuk të detyron që të jesh skllav. Ju e dini dhe jam i bindur që do të dini të ndërtoni personalitetin tuaj dhe atëherë nuk keni nevojë të shkoni ju, do t’ju kërkojnë të tjerët. Sfidat e viteve që vijnë janë të tilla, që kërkojnë njerëz me më shumë personalitet. Sot jemi në gjendje të gjithë së bashku të bëjmë vlerësimet tona, të diskutojmë për njerëz të politikës, për njerëz të medias, për njerëz të cilët janë personalitete të lira dhe këtë e bëjmë pa frikë. E ardhmja natyrisht që është e sigurtë, në kuptimin që nuk jemi një pjesë e izoluar e botës. Jemi futur tashmë në disa marrëdhënie të rëndësishme institucionale, në marrëdhënie të tilla, në të cilat çdo lëvizje e gabuar është e padukshme, sepse të korrektojnë të tjerët shumë shpejt.

Sfida më e madhe që ne kemi përpara, padiskutim, meqë po flasim për politikën, është ajo që ka të bëjë me zgjedhjet e 28 qershorit. Gjatë këtyre ditëve unë jam pyetur shpesh për çështjen e aplikimit për letërnjoftimet dhe padyshim kam mbajtur qëndrimin, që duhet të mbajë Presidenti i Republikës. Një miku im në momentin që do të shkoja për të aplikuar më thotë, që është përhapur si opinion që njerëzit që kanë pasaportat nuk duhet të shkojnë. “Është e vërtetë, - i thashë, - sepse këtë informacion e marr çdo ditë”.

Atë që duhet të bëjë Presidenti i Republikës është që të demonstrojë vullnetin dhe të japë një mesazh publik që të gjithë njerëzit duhet të aplikojnë. Dhe Presidenti i Republikës nuk futet në debatin politik të ditës, por patjetër jep mesazhin, i cili duhet të shkojë tek çdo qytetar. Pse dola tek kjo çështje? Dola tek kjo çështje, sepse jemi afërsisht dy muaj larg nga dita e zgjedhjeve dhe fatkeqësisht, fatkeqësisht në fokus është çështja “a do të pajisen, apo nuk do të pajisen me letërnjoftim”, “si do të pajisen”? Do të thoja që ky është një hap, dhe e them sot për herë të parë në këtë ambient, një hap mjaft i gabuar i politikës shqiptare, e cila ka pasur kohën e mjaftueshme të merret me këtë problem dhe të mos e kthejë në fokus pikërisht dy muaj përpara zgjedhjeve çështjen e letërnjoftimeve, që mund të kthehen dhe në një kaos psikologjik për qytetarët. Sot do të ishte koha që partitë politike të përballnin të gjitha projektet e tyre, vizionet e tyre. Ajo që do qytetari më shumë sot, është pikërisht të dëgjojë se cilat do të jenë programet. Sot krijohet një lloj kakofonie, e cila uroj që të zgjidhet sa më shpejt dhe duhet të zgjidhet në mënyrë definitive. Partitë duhet t’i largohen këtij debati, por duhet të gjejnë zgjidhjen, sepse zgjidhja është për qytetarët, të mos krijojnë kaos tek qytetarët, por të sinkronizojnë zërin e tyre. Kjo është detyra minimale e politikanëve, të cilët në gjykim fare të thjeshtë paguhen për këtë punë. Politika ka dhënë shembull që kur ka dashur për të marrë vendime shumë të rëndësishme, i ka marrë brenda një nate, vendime, të cilat janë përshëndetur padiskutim, por nuk mendoj që të ketë vendim më të rëndësishëm që të krijohet situatë e qetë dhe korrekte që njerëzit ta konsiderojnë kontaktin me partite, një kontakt të gëzueshëm dhe të mos i kthehet në stres. Njeriu do të dijë bilancin, çfarë është arritur, do të dijë dhe ku do të shkojë. Kjo është në detyrimin e partive, por është dhe në të mirën e partive. Duket sikur pikërisht mungesa e pregatitjes si politikanë dhe këtë e çoj përsëri në funksion të këtij auditori bën që veprimet ndonjëherë të jenë spontane. Ndërsa të jesh i përgatitur mirë, të kesh patjetër referenca të eksperiencës botërore, por të marrësh dhe leksionet bazë, atëherë njeriu di të vlerësojë çfarë është e rëndësishme dhe çfarë është më pak e rëndësishme.

Të futemi tek teoria e dominantit. Për njeriun mund të jenë shumë gjëra të rëndësishme, por në një moment të caktuar ajo që mbizotëron është dominanti, që ka dhe dominant fiziologjik, ka dhe dominant politik. Ajo që ka të bëjë me fiziologjinë e ka përcaktuar natyra dhe ndodh realisht në këtë mënyrë. Ajo që ndodh në politikë e implantojnë, e eksperimentojnë njerëzit. Në politikë vlerësohet se cila është gjëja më e rëndësishme për momentin. Gjëja më e rëndësishme është që Shqipëria në datë 28 qershor të japë provën e madhe që do të bëjë zgjedhje të lira, të ndershme, korrekte dhe zgjedhje që nuk do të kontestohen. Simptoma të konstestimit paraprak tregojnë që ka paragjykim dhe paragjykimi nuk shkon më në Shqipëri, sepse Shqipëria tashmë është vend i NATO-s. Kështu që gjërat duhet të shkojnë patjetër jo në komunikimet distante, “ma tha dhe ia thashë”, por duhet patjetër që të zgjidhim çështjet, pikërisht aty ku janë diskutuar, aty ku janë strukturuar dhe aty ku janë formëzuar si ligj. Është ngritur dhe Komisioni i Posaçëm, kështu që mendoj se ky komision duhet patjetër të aktivizohet që t’i japë një zgjidhje deçizive këtij procesi. Ne duhet të shkojmë patjetër sipas asaj që kemi përcaktuar, sipas asaj që ka Kushtetuta, sipas asaj që ka ligji, sipas asaj që ka dhe dekreti që, data 28 qershor të jetë datë kur ne duhet të zhvillojmë zgjedhje, të cilat do të jenë pikë shumë e rëndësishme referimi për anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Ne dëgjojmë zëra, dëshira jonë është e madhe dhe dëshira jonë e parë e madhe është, e çdonjërit, sado i kualifikuar të jetë, sado i thjeshtë të jetë, ka dëshirën për të lëvizur i lirë.

Tema e lëvizjes së lirë e njerëzve është e lidhur patjetër me disa momente. Të gjithë kërkojnë të lëvizin të lirë. Partnerët tanë thonë, bëni zgjedhje korrekte, të ndershme në mënyrë që të keni këtë akses, pra, duam ne, s’duam ne, kanë vënë një lloj detyrimi. Kështu që njerëzit duhet ta kuptojnë që për të lëvizur të lirë dhe nuk ka gjë më të rëndësishme se sa të kesh një pasaportë për të lëvizur aty ku dëshiron ti. Njeriu e ndjen veten më të respektuar, ka aksesin për të shkuar atëherë kurdo ai dhe jo kur e çojnë. Përfytyroni se sa zhgënjyese është kur një njeri ka një hall dhe kërkon të shkojë e nuk shkon dot. Përfytyroni sa zhgënjyese është kur detyrohet të përballet me filtrat shumë rigoroze, që kanë vendet e “Shengenit”, pra, përfytyroni që ka ndryshime esenciale dhe për të lëvizur i lirë, duhet patjetër që t’i kemi sipas standardeve këto zgjedhje dhe politikanët në radhë të parë, duhet ta kuptojnë këtë.

Gjithsesi, unë edhe një herë, në këtë auditor shumë të vlerësuar dhe të respektuar, do ta ribëja thirrjen për zgjidhjen sa më të shpejtë të çështjeve dhe të debateve, në mënyrë që njerëzit të shkojnë dhe të aplikojnë për letërnjoftimet dhe të mos vihet në dyshim asgjë për zhvillimin e zgjedhjeve më 28 qershor. Është shumë e rëndësishme kjo. Kjo tregon që institucionet pavarësisht nga interesat e tyre, e kam fjalën këtu për institucionet partiake, duhet të gjejnë ekuilibrin dhe duhet t’i japin mesazhin e tyre inkurajues, sikurse kam thënë dhe herë tjetër, ta sintonizojnë mesazhin e tyre, të jenë në të njëjtën gjatësi vale, sepse nuk duhet të rikthehem dhe një herë në atë temë që edhe për një intelektual është e vështirë të pozicionohet, kur ka debate të këtij karakteri, që venë në dyshim do bëhen, apo nuk do të bëhen zgjedhjet. Kjo është e papranueshme. Kjo ç’orienton qytetarin dhe unë jam sot këtu për të dhënë apelin, duke shfrytëzuar këtë takim me ju, që zgjedhjet e datës 28 qershor janë shumë të rëndësishme për Shqipërinë, çdo qytetar nuk duhet ta lidhë vetëm me momentin dhe ditën e zgjedhjeve kartën e identitetit. E kam thënë edhe diku tjetër dhe nuk do ta teproja, letërnjoftimi është respekt për vetveten e nuk duhet të ketë vlerën e përdorimit vetëm për ditën e zgjedhjeve. Ka njerëz që duke i pasur të gjitha dokumentet në xhep, duke pasur edhe pasaportat me të cilat mund të lëvizin të lirë, nuk preferojnë të shkojnë të votojnë. Kjo është liria që jep demokracia sot, ndonëse thirrjet nga ana jonë sot janë që të ketë një pjesëmarrje sa më të gjerë. Pra, nuk nënkupton, nuk është efekt kompatibël që ti të kesh letërnjoftimin dhe detyrimisht të shkosh për votim. Jo, letërnjoftimi është dokumenti bazë, që njeriu duhet ta ketë. Të ndihemi seriozë dhe të dimë dhe të identifikohemi tek e fundit se sa njerëz janë në Shqipëri. Shtete të tjera pa iu referuar me emra, kanë mbi një miliard njerëz dhe janë të regjistruar. Ka shtete që janë mbi pesëdhjetë milionë dhe regjistrohen në një ditë. Ka eksperienca të tilla dhe këto janë sipas burimeve zyrtare. Kështu që ne nuk duhet t’ia lejojmë vetes që të futemi në situata të tilla. Patjetër që përtej këtij mesazhi, edhe ju duhet të jepni mesazhin tuaj, sepse jeni njerëz të rëndësishëm në institucionet ku ju punoni. Cilido, në një emision të lirë televiziv, radiofonik, në një kontakt, duhet patjetër që ta shprehë me zërin e tij dhe të mbizotërojë ky zë.

Unë edhe një herë, pa dashur të merrem më gjatë me këtë problem, mund t’ju them që efekti i politikave të Shqipërisë është i dukshëm. Ajo që është më e dukshme dhe që ne e ndjejmë çdo ditë, është situata në rajonin ballkanik. Pra, nga gjërat e një karakteri global mund të kalojmë këtu, sepse në rast se vlerësohemi shumë, më shumë se për çdo gjë tjetër në politikën e jashtme, nuk është se Shqipëria është në ato përmasa që do të diktojë politikën e shteteve të mëdha. Ne jemi bashkëpunues, jemi aleatë shumë besnikë, kemi vepruar dhe do të vazhdojmë të veprojmë nëpërmjet misioneve tona dhe ajo për të cilën ne krenohemi dhe vlerësohemi është pikërisht luajaliteti dhe profesionalizmi i trupave elitë që ne kemi. Pra ne kemi kualitete, por ajo që vlerësohet më shumë në politikën e jashtme është roli moderator i Shqipërisë në Ballkan. Shqiptarët jetojnë në Shqipëri, jetojnë në Kosovë, jetojnë në Maqedoni, në Mal të Zi, emigrantë shqiptarë ka me qindra e mijëra në Greqi dhe ajo që përmendet nuk është thjesht roli i politikës, por edhe roli i faktorit njerëzor në terren. Të gjithë janë bërë shumë të ndë rgjegjshëm që rajoni ballkanik në mënyrë definitive duhet t’i largohet retrospektivave të grindjeve dhe të luftrave ndëretnike dhe kjo situatë ka ardhur.

U zhvilluan zgjedhje të vlerësueshme në Kosovë. Administrimi i pushtetit nga lidershipi i Kosovës po realizohet me sukses, po merren nota pozitive. U realizuan zgjedhje ndryshe nga një vit më parë në Maqedoni, ku dhe që ndrimi i faktorit shqiptar në terren ishte i vlerësueshëm. U zhvilluan zgjedhje të lira në Malin e Zi dhe këto kanë ardhur në një kufi kohor do të thoja, të afërt me njëri-tjetrin. E kemi radhën ne. Shpresojmë dhe unë jam i bindur që do të arrijmë këto standarde për të rritur më shumë kredibilitetin e institucioneve tona dhe në funksion të situatës në Ballkan. Situata në Ballkan vlerësohet jo vetëm e qetë, por mbi bazën e perspektivës që kanë vendet e tij për t’u anëtarësuar qoftë në NATO, qoftë në Bashkimin Evropian, konsiderohet një rajon, ku duhet të mbizotërojë ideja për një zhvillim të rëndësishëm ekonomik. Pra, një vend që fiton sigurinë, që fiton sigurinë e paprekshmërisë së kufijve, patjetër i futet marrëdhënieve njerëzore, marrëdhënieve ekonomike dhe perspektiva për Shqipërinë dhe për Ballkanin natyrisht që është një perspektivë e garantuar.

Unë dëshiroj së fundmi që t’ju uroj sukses në mbylljen e ciklit të këtij viti shkollor, duke e konsideruar këtë vetëm një shkallë të rëndësishme në intensifikimin e karrierës tuaj. Sikurse thashë në fillim dhe dëshiroj ta përmbyll, këtu, midis jush, ata që njihen publikisht, sigurisht kanë një performancë shumë të mirë, por jam i bindur edhe ata, që nuk njihen publikisht, kanë performancën e tyre atje ku janë dhe uroj që punët që ju po realizoni t’i keni jo thjesht në shërbim të institucionit, por edhe në shërbim të një publiku më të gjerë. Urimet më të mira dhe shpresoj që do të takohemi dhe në raste të tjera! Dëshiroj që të jap komplimentet e mia për rritjen e peformancës së shkollës dhe ju uroj që vitin që vjen ta keni akoma më të lartë këtë performancë ! Do të jem i hapur për të gjitha pyetjet.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›