FJALA E PRESIDENTIT TOPI NË TRYEZËN E PARTIVE POLITIKE PARLAMENTARE PËR NISJEN E REFORMËS NË DREJTËSI.

17 shtator 2007
Reforma në drejtësi praktikisht ka qenë prej kohësh në fokus të diskutimeve, të debateve politike, por mbi të gjitha ka qenë një shqetësim i mbarë shoqërisë. Bëhet fjalë për një nga sfidat më të mëdha që kanë institucionet shqiptare dhe vetë politika, pikërisht për problemet e reformës në drejtësi. Qëllimi i këtij takimi është instalimi i një tryeze, e cila nuk do të jetë thjesht për problemet e reformës në drejtësi, por është instalimi i një komunikimi të natyrshëm midis përfaqësuesve më në zë të jetës politike dhe institucionale shqiptare për çështjet madhore që i interesojnë shoqërisë dhe kombit shqiptar. Por në çështjen e ballafaqimit të madh publik ne më shumë se kurrë sot kemi në qendër të vëmendjes problemet e drejtësisë.
Unë jam i bindur se komunikimi qytetar, konsensusi i nevojshëm për të dialoguar dhe për të arritur në një vendimmarrje është një çështje që s’ka të bëjë me pozicionet partiake. Natyrisht, pozicionet partiake dhe ato politike janë pozicione të patjetërsueshme, ndryshe nuk do të kishte sens debati politik, nuk do të kishte sens standardi i demokracisë, por sikurse thashë për çështje madhore, të cilat i interesojnë shoqërisë shqiptare, i interesojnë qytetarit të thjeshtë, për një pushtet, i cili normalisht duhet të jetë i pavarur nga politika, duhet të jetë i balancuar dhe duhet të jetë në shërbim të qytetarit, siç është pushteti gjyqësor, ne e ndjejmë të nevojshme të hapim këtë takim sot, pikërisht, për të ballafaquar idetë, për të mos e konsideruar këtë proces, si një proces që fillon sot. Eshtë një proces që prej 17 vitesh diskutohet, debatohet, ligji reformohet. Pra, kemi të bëjmë me një proces evoluimi por natyrisht me mjaft probleme ku dominant i fjalës së gjithësecilit është pikërisht problemi i drejtësisë dhe i transparencës në drejtësi.
Një ditë mbas ndeshjes me Hollandën, kam pritur në zyrë një nga përfaqësuesit më në zë të drejtësisë amerikane, i cili kishte një ndjesi shumë të hidhur pas atij gjykimi. Duke bërë një paralelizëm me sistemin e drejtësisë ai iu referua atij gjykimi të dobët të arbitrit dhe u shpreh “për gjykimin e mbrëmshëm natyrisht askush nuk e di se kush duhet të mbajë llogari, sepse nuk keni transparencë”. Dhe menjëherë bëri paralelizmin me sistemin e drejtësisë këtu në Shqipëri, e duke i njohur nga afër problemet e drejtësisë në Shqipëri, duke qenë një nga personazhet, që ka asistuar me eksperiencën e tij, ai ishte i bindur që në themel të sistemit të drejtësisë në Shqipëri duhet të jetë transparenca, e cila nuk mund të vijë në mënyrë mekanike, por vjen si rrjedhojë juridike e maturimit të klasës politike shqiptare, e cila do të jetë në një pozicion objektiv për marrjen e të gjitha nismave politike, pikërisht aty ku projektohet vullneti politik, në Parlament, për të reformuar sistemin e drejtësisë dhe për t’iu referuar legjislacionit të vendeve më demokratike në botë, që gjithsesi, edhe pse kanë shumë vite, mbeten në një proces reformimi të vazhdueshëm.
Avokati i cili unë takova iu referua drejtësisë amerikane: “Megjithëse kemi 225 vjet demokraci vazhdimisht kemi debate, kemi përplasje midis Senatit, midis Kongresit, midis Gjyqësorit, sepse janë çështje, të cilat gjithmonë janë në reformim e sipër. Por, po të merrni eksperiencën e vyer të vendeve të zhvilluara demokratike, natyrisht do të keni shansin të bëni më pak gabime”.
Jemi këtu sot jo për ta filluar këtë proces, por për ta konsideruar atë si një vazhdim dhe jo të krijohet ndonjë iluzion, që gjithçka hapet dhe mbyllet sot këtu. Institucioni i Presidentit të Republikës në ushtrim të funksioneve të veta kushtetuese dhe ligjore natyrisht ka detyrimet e veta, por në rastin konkret mbetet katalizator për të gjithë faktorët politikë dhe institucionalë, ku në radhë të parë në konsideratë merren vendimmarrjet politike mbi bazën e një përgatitjeje profesionale të ekspertëve, pikërisht aty ku projektohet vullneti politik, në Parlament. Kjo është arsyeja që sot më shumë se kurrë, duhet të jemi të bindur që aktorët e vërtetë të reformimit të ligjeve, mbeten në Parlament. Kjo është arsyeja që jemi sot këtu, të gjithë së bashku për të diskutuar rreth këtyre problemeve, rreth perspektivës së afërt, afatmesme, po pse jo dhe afatgjatë, në mënyrë që reformimi i kuadrit ligjor të sistemit të drejtësisë në Shqipëri të jetë afatgjatë dhe më një vizion të qartë për perspektivën.
Ju falemnderit!
* * *
DEKLARATA E PRESIDENTIT TOPI PËR MEDIAT NË PËRFUNDIM TË TRYEZËS SË PARTIVE POLITIKE PARLAMENTARE.
Sot, siç e dini, është mbledhur tryeza e kryetarëve të partive politike parlamentare, për të diskutuar në mënyrë specifike për problemet e reformës në sistemin e drejtësisë. Kjo ka qenë një kërkesë e vazhdueshme e përfaqësuesve të politikës, ka qenë një kërkesë e vazhdueshme e institucioneve ndërkombëtare, që merren edhe problemin e reformimit, gati ka qenë një kërkesë ultimative e institucioneve që monitorojnë arritjen e standardeve të institucioneve shqiptare në rrugën e integrimit euroatlantik. Nuk duhet harruar që kjo ka qenë dhe është një nevojë imediate dhe një kërkesë e mbarë shoqërisë shqiptare, e cila më shumë se kushdo tjetër ndjen nevojën e një sistemi drejtësie, e një gjyqësori, në parametrat e një ndershmërie e profesionalizmi të pranueshëm, e që të zgjidhë në rradhë të parë problemet që kanë qytetarët shqiptarë.
Pra nisur nga kërkesat e vazhdueshme dhe intensive do të thoja të gjithë këtyre faktorëve, duke gjetur edhe mirëkuptimin e forcave politike parlamentare realizuam një takim, i cili për hir të së vërtetës nuk duhet konsideruar si fillim procesi, por si një vazhdimësi e reformimit të institucioneve të drejtësisë, reformim që po bëhet qysh nga momenti i ndërrimit të sistemit në Shqipëri. Por, edhe nëse ka patur progres në reformimin e institucioneve, ku roli i Parlamentit është i patjetërsueshëm, duhet thënë që edhe pas 17 vjetësh ne kemi probleme në drejtësi, kemi probleme me profesionalizmin në drejtësi, ka probleme me pozicionimin në drejtësi, ka probleme me interferencën e segmenteve të caktuara të politikës në drejtësi, pra kemi probleme të tilla, të cilat tek e fundit shqetësojnë qytetarët, i shqetësojnë ata edhe për shkak të mungesës së transparencës. Ju e dini që ka mjaft probleme të karakterit civil, ka probleme me pronësinë, ka probleme të tjera që lidhen drejtpërdrejtë me interesat e qytetarëve, ka dhe çështje të karakterit penal.
Kjo domosdoshmërisht kërkon së pari një sinkronizim të vullneteve politike që u pa sot në tryezën me partitë politike parlamentare dhe me nevojën e strukturimit të një komisioni të posaçëm, ku u ra dakord si fillesë të strukturohet një Komision i Posaçëm Parlamentar, në Parlament, i cili do të asistohet nga një grup ekspertësh, që do të jenë përfaqësues të institucioneve kushtetuese, të gjyqësorit, të ekzekutivit, të Ministrisë së Drejtësisë ekspertë të forcave politike e të vetë kuvendit, të cilët do të japin një produkt, ta konsiderojmë gjysëm të gatshëm, për të kaluar pastaj në nevojën dhe domosdoshmërinë e trajtimit nga komisionet legjitime, të përhershme të Parlamentit shqiptar dhe për ta reformuar sistemin e drejtësisë në mënyrë më integrale e të gjithanshme.
Është për t’u theksuar që ka pasur një predispozicion nga përfaqësuesit e partive politike parlamentare për ta bërë këtë reformë, për ta strukturuar grupin që do të merret me reformën dhe ky vullnet i shprehur jep të gjitha shpresat që do të kemi një reformim të sistemit të drejtësisë sipas kërkesave që dikton koha, por besoj edhe perspektiva.
Unë besoj se Parlamenti do të jetë aktori kryesor. Presidenti është thjesht një katalizator i këtij procesi, i realizimit të kohezionit të forcave të ndryshme politike, pasi vullnetet politike projektohen në Parlamentin shqiptar. Parlamenti i ka të gjitha instrumentet dhe unë jam i bindur që angazhimi i të gjitha partive politike parlamentare, i strukturave të Parlamentit do të bëjë që kjo ndërmarrje kaq e rëndësishme në interes të institucioneve të shtetit shqiptar dhe të qytetarëve të këtij shteti të realizohet me sukses.
Në ditët në vijim ju do të informoheni nga Parlamenti shqiptar për strukturimin e këtyre organizmave dhe besoj se kjo reformë do ketë partnerë në Parlament, në ekzekutiv, në partitë respektive të mazhorancës dhe të opozitës, në institucionet e gjyqësorit, do të ketë edhe ekspertizë të huaj në mënyrë që të standardizojmë ligjet tona dhe t’i përafrojmë realisht me ato të vendeve demokratike më të zhvilluara, për të arritur shërbimin ndaj qytetarit, në mënyrë që të fillojnë të marrin rrugën e zgjidhjes edhe problemet që kanë mbetur pezull.
Jam I bindur se përfaqësuesit në sistemin e drejtësisë do të jenë bashkëpunues në këtë proces, sepse teksa evidentojmë disa momente negative që lidhen me sistemin,jemi të bindur se brenda sistemit të drejtësisë ka mjaft njerëz të ndershëm e kompetentë, të cilët mund të jenë kontribues, larg interesave të veta, për një sistem drejtësie, që do të jetë garant i drejtësisë, i paanësisë dhe çka është shumë e rëndësishme, e mosinfluencës nga faktorët e politikës.