E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi pret Kryetarin e Parlamentit të Maqedonisë, Ljubisa Georgievski.

14 shtator 2007

Presidenti i Republikës, Bamir Topi priti sot në mbrëmje një delegacion të Parlamentit të Maqedonisë, të kryesuar nga Kryetari, Ljubisa Georgievski.

Takimi u përqendrua në marrëdhëniet shumë të mira, që ekzistojnë midis dy vendeve, të cilat janë pjesë e sfidës së përbashkët për integrimin në NATO. “Karta e Adriatikut është një shembull konkret i kësaj aspirate e angazhimi të përbashkët, të cilin shpresojmë ta realizojmë në Samitin e Bukureshtit me marrjen e ftesës për anëtarësim”, - vërejti Presidenti i Republikës gjatë bisedës.

Duke u ndalur në çështje të rajonit, Presidenti Topi vlerësoi qëndrimet konstante të Maqedonisë për statusin e ardhshëm të Kosovës. Kryetari i shtetit ritheksoi se “Shqipëria mbështet zgjidhjen sa më të shpejtë të statusit të Kosovës, pavarësinë e saj dhe vlerëson paketën Ahtisari si zgjidhjen më të mirë edhe në kushtet kur ditët e lëna në dispozicion po konsumohen pa një shans të madh për të arritur një marrëveshje”. “Ne jemi kundër çdo skenari të ndarjes, apo të shkëmbimit të territoreve, ashtu siç jemi kundër lejimit të futjes së trupave serbe në Kosovë”, - u shpreh Presidenti Topi.

Ndërsa, Kryetari i Parlamentit të Maqedonisë, z. Georgievski konfirmoi qëndrueshmërinë e qëndrimeve të vendit të tij për çështjen e zgjidhjes së statusit të Kosovës, duke e parë atë si një proces që do të sigurojë qetësinë në rajon. Kryeparlamentari maqedonas vlerësoi se aspirata për anëtarësimin në NATO dhe pozicionimi përkrah SHBA-ve janë vullnete të përbashkëta të dy vendeve tona.

Në përfundim të takimit, Presidenti Topi i kërkoi z. Georgievski që t’i përcjellë Presidentit të Maqedonisë, Cervenkovski përshendetjet e tij bashkë me angazhimin për të kontribuar në thellimin e marrëdhënieve shumëplanëshe mes dy vendeve.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›