E Shtunë, 31 Tetor 2026

FMN: Në rrezik rimëkëmbja e ekonomisë botërore

Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) ka korrigjuar të dhënat duke ulur parashikimin e tij për rritjen ekonomike në botë. Shkaku sipas FMN-së janë tensionet në Eurozonë. Evropa duhet të presë një recesion të butë, thuhet në raport.

Fondi Monetar Ndërkombëtar e shikon të rrezikuar rimëkëmbjen e ekonomisë botërore. Për këtë arsye ai ka korrigjuar të dhënat duke ulur me 0.75 për qind parashikimin e tij për rritjen ekonomike globale, në krahasim me prognozën e shtatorit 2011. Rritja e ekonomisë globale sipas raportit të fundit të Fondit do të jetë 3.25 për qind. "Arsyeja është kryesisht që për Evropën këtë vit presim një recesion të butë", tha ekonomisti i FMN-së Olivier Blanchard të martën në Uashington.


Sipas Blanchard dy janë frenuesit të rritjes ekonomike në Eurozonë. Shumë shtete janë të detyruara të rimëkëmbin buxhetet dhe të zvogëlojnë borxhet, por nëse masat e marra për këtë qëllim janë shumë të forta, ato mund të frenojnë rritjen. Megjithatë jo të gjitha shtetet e Eurozonës janë në të njëjtën situatë. Disa vende janë në një pozitë më të favorshme se të tjerat dhe duhet të ecin më ngadalë me masat e konsolidimit të buxhetit, për të mos rrezikuar rritjen ekonomike.

Së dyti, bankat duhet të marrin më shumë masa për përballimin e krizës dhe të pajisen me më shumë kapital bazë. Por kjo nuk duhet të arrihet nëpërmjet kufizimit të kredidhënies nga bankat. Përkundrazi, duhet bërë gjithçka për shmangien e një ngushtice kredish dhe pasojat e saj shkatërrimtare në ekonominë reale. Për këtë arsye Banka Qendrore Evropiane duhet të vazhdojë të ofrojë likuiditet të mjaftueshëm dhe të mos ndërpresë programin e saj për blerjen e obligacioneve shtetërore, këshillon FMN.
 

Për SHBA-në Fondi parashikon një rritje të dobët prej vetëm 1.8 për qind, ndërsa Eurozona do të tkurret në total me 0,5 për qind. Kjo ka pasoja edhe tek vendet në ekspansion industrial, thotë ekonomisti i FMN-së Olivier Blanchard. "Këto vende tashmë janë prekur. Kur në vendet e industrializuara ekonomia paralizohet, bie edhe niveli i tregtisë me vendet në ekspansion dhe ato mund të eksportojnë më pak." Kësaj i shtohet edhe pasiguria financiare: "Vendet në ekspansion do të përballen me flukse tejet të luhatshme. Kjo ndoshta nuk do të rezultojë katastrofale, por problemi do të paraqitet" ka shtuar ai

Ekonomitë e zhvilluara sipas të dhënave të FMN-së do të rriten mesatarisht 1.5 për qind gjatë këtij viti. Pas rënies drastike në vitin e krizës 2009, kjo rritje është shumë e vogël për të luftuar me efikasitet papunësinë, thotë Blanchard: "Ne kemi nevojë për rritje të fortë. Pa rritje të fortë nuk mund të bësh shumë kundër papunësisë. Ajo mund të zbutet dhe është e rëndësishme të mbështeten ata që janë për një kohë të gjatë të papunë. Por duhet të jemi realistë: rritja e fortë ekonomike është rruga e vetme"

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›