E Diel, 1 Nëntor 2026

FMN: Rritja ekonomike me dy shifra, një iluzion, po raportojmë në Uashington 6%

Intervistë e shefes së misionit të FMN për Shqipërinë, zonjës Ann Margaret Westin, për “TV Klan”

Ministri i Financave ka thënë që tre muajt e parë të këtij viti rritja ekonomike do të jetë dyshifrore. Cili është komenti juaj?

Fondi Monetar Ndërkombëtar ka bërë vlerësimin për rritjen e GDP. Deri më tani ne kemi ruajtur një rritje ekonomike me 6 për qind për vitin 2008 dhe nuk ka tregues të tjerë që ta ndryshojnë këtë shifër. Nëse shohim atë që ka publikuar INSTAT deri tani, ata kanë të dhëna deri në vitin 2006. Nuk është mirë që të kemi të dhëna tremujore për GDP. INSTAT po punon për këtë dhe ne jemi duke i ndihmuar duke dhënë asistencën teknike. Kjo është shumë e rëndësishme për politikëbërësit dhe ekonomistët si ne, por ne i kemi këshilluar që nuk duhet të publikojnë të dhëna tremujore, derisa t’i përgatisin mirë ato dhe derisa të kenë të dhëna te cilësisë së lartë.

Në qoftë se shohim atë që kemi sot, ka tregues të tjerë që mund të na ndihmojnë të kuptojmë se çfarë po ndodh me ekonominë. Ne mund të analizojmë indeksin e shitjet dhe importin e makinerive që tregojnë nivelin e investimeve, por këto janë të dhëna të pjesshme dhe nuk mbulojnë të gjithë ekonominë. Sidomos, sa i përket të dhënave për importin, të cilat nuk janë të shpërndara për të gjithë vitin. Për këtë arsye është shumë e vështirë të bëhen parashikime duke u bazuar vetëm në këto tregues.

Duke iu referuar këtyre të dhënave, cili është vlerësimi juaj për këtë rritje prej 6 %?

Vlerësimet më të fundit ne i kemi bërë në muajin maj, kur ka qenë dhe misioni i FMN në Shqipëri. Ky mision vjen këtu dy herë në vit dhe shikon funksionimin e të gjithë ekonomisë, dhe vlerësimet atëherë kanë qenë për një nivel rritje ekonomike prej 6 %. Nga të dhënat që kemi marrë, nuk na kanë bërë që të ndryshojmë parashikimet për rritjen ekonomike. Nesër do t’i referojmë Bordit tonë Ekzekutiv një rritje prej 6 %. Në tetor-nëntor, misioni i FMN do të vijë sërish për të rishikuar të gjithë ecurinë ekonomike dhe ndoshta atëherë mund të ketë një parashikim.

Dua të shtoj se rritja ekonomike prej 6 % është shumë e lartë, sidomos në Evropë, ku ka shumë ekonomi që nuk duhet të mbajnë një rritje ekonomike prej 6 %. Flitet për një rritje në ritme reale, sepse, po t’i shtojmë inflacionin prej 4 %, atëherë rritja nominale është 10 %. Rritja ekonomike potenciale në Shqipëri mund të jetë dhe më shumë se 6 %, megjithëse 6 është shumë, por mund të jenë dhe 7 %, nëse vazhdohet me reformat dhe përmirësohet klima e biznesit. Atëherë mund të ketë një rritje dhe më të lartë se kaq. Deri në këtë fazë nuk kemi asnjë të dhënë që të na tregojë të shifër tjetër.

Sa i përket buxhetit që sapo kaloi në Kuvend, cili është komenti juaj?

Ne prej gjashtë muajsh kemi diskutuar me qeverinë për buxhetin dhe ajo që kemi rënë dakord është ulja e nivelit të deficitit në 5.2 % të GDP nga deficiti prej 7.9 % për qind që ishte miratuar në vjeshtën e kaluar, sepse në një ambient me presione inflacioniste që vijnë kryesisht të importuara nga jashtë, për shkak të çmimeve më të larta të ushqimeve dhe të karburantit, ju nuk do dëshironit të shtonit një impuls fiskal për të rritur më tej presionin ndaj inflacionit. Një tjetër element ka qenë, që ne kemi rënë dakord për të ruajtur nivelin e fondit të pagave, në mënyrë që të mos rritet ky fond për të shkaktuar një tjetër impuls ndaj inflacionit. Brenda këtij fondi që është në dispozicion për pagat më shumë vëmendje duhet t’iu kushtohet atyre me të ardhura më të ulëta që janë dhe më të prekurit nga rritja e çmimeve dhe e karburantit. Domethënë, duhet më shumë vëmendje për të varfrit. Dhe, sikurse kemi rënë dakord, rritja më e lartë e pagave është bërë për ata që kanë paga më të ulëta dhe për sektorët prioritarë si shëndetësia dhe arsimi. Ndërsa pjesa më e madhe e administratës ka marrë një rritje page që shkon kryesisht për kompensimin e inflacionit.

Një tjetër element i buxhetit suplementar është që pasqyron performancën shumë të mirë të ardhurave, që vjen jo vetëm si rezultat i përmirësimeve në administrimin e tatimeve, por dhe si rezultat i politikave të reja tatimore. Për shembull, e ashtuquajtura taksë e sheshtë në nivelin 10 %, në nivelin 10 për qind për tatimin mbi fitimin për korporatën, tatimin për të ardhurat personale. Unë besoj se ulja e nivelit në 10 % të tatim fitimit për korporatën ka sjellë shumë më tepër kompani në sektorin formal të ekonomisë.

Duke i patur parasysh të gjitha këto, si e gjykoni, a mund të ruajnë stabilitetin financiar dhe me këtë nivel inflacioni?

Ky është një nga shqetësimet tona kryesore dhe prandaj ne kërkuam uljen e deficitit në nivelin e 5.2 %, por, nëse e krahasoni me vitin e kaluar, që ka qenë në nivelin 3.9 %, ka një rritje të nivelit të deficitit, por kjo rritje është për shkak të projektit të madh të rrugës Durrës-Kukës. Arsyeja se përse nuk është vlerësuar kjo rritje si një impuls negativ në ekonomi, është sepse ky është një projekt që përdor shumë materiale të importuara, ka shumë punëtorë që paguhen, pra nuk është se shpenzimet në këtë projekt nxisin rritjen e kërkesës për Shqipërinë dhe nuk kanë presione inflacioniste për ekonominë shqiptare. Prandaj është pranuar një rritje në deficit, por gjithsesi është vënë një kufi te niveli i 5.2 %.

Natyrisht që buxheti ka një rol për të luajtur, për të ndihmuar Bankën e Shqipërisë në ruajtjen e nivelit të inflacionit, por në fund të fundit kjo është një detyrë e Bankës së Shqipërisë, e cila është në gjendje që ta bëjë këtë. Ata janë shumë të kujdesshëm dhe e shohin me shumë kujdes situatën. Ata kanë rritur normës e interesit, e nga viti 2006 kanë patur disa rritje të normës së interesit, dhe ato janë gati që ata të kenë sërish një rritje, nëse është e nevojshme. Ajo që ka rëndësi, është se ata janë në komunikim me publikun dhe i bëjnë të qartë duke formuar pritshmërinë e publikut për sa i përket nivelit të inflacionit dhe për t’i sjellë këto pritshmëri pranë objektivit të tyre për inflacionin.

Tani, për shembull, norma e inflacionit është 4 %, që është niveli më i lartë i objektivit që ka Banka e Shqipërisë, por është edhe niveli më i ulët i inflacionit për këtë rajon. Banka e Shqipërisë duhet të jetë në gatishmëri, por ajo është në gjendje që ta ruajë këtë.

A është shqetësues ky nivel i inflacionit në këto momente? A do të jetë në këto limite?

Sipas parashikimeve tona për vitin 2008, niveli i inflacionit është te 4 %, ndërsa vitin tjetër parashikojmë që do të kthehet sërish në nivelin mesatar të 3 %, duke marrë në konsideratë mjedisin ndërkombëtar dhe politikat që do të ndjeke Banka e Shqipërisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›