“Rritja e pagave nuk e zgjidh problemin e inflacionit dhe çmimeve të rritura”
Ekonomia shqiptare po përballet me presionin e madh të çmimeve ndërkombëtare, me një inflacion prej muajsh të rritur. Banka Botërore tha pak kohë më parë se shtresat e popullatës pranë kufirit të varfërisë mund të zbresin nën të. Cilat janë masat që mund ta ndalojnë këtë gjë. A janë duke u marrë këto masa?
Duhet pranuar se presioni inflacionist që në mënyrë të vazhdueshme duke filluar nga viti 2007 dhe fillimi i viti 2008 ka qenë në rritje dhe përgjithësisht përtej kufijve të vendosur nga Banka e Shqipërisë, më në fund është ndalur. Përsëri duhet shënuar se janë përsëri dhe përgjithësisht faktorët e jashtëm, që kanë qenë parësorë në përfundimin e mësipërm. Përmendim stabilizimin dhe rënien e çmimeve të prodhimeve bazë si karburantet dhe drithërat në tregjet ndërkombëtare dhe përcjelljen e drejtpërdrejtë të tyre në ekonominë shqiptare.
Qeveria ka rritur pagat dhe pensionet dhe ka thënë se kjo është një prej masave për të përballuar çmimet e larta dhe inflacionin njëherazi. Po familjet që nuk kanë të punësuar në sektorin shtetëror, si mund të përfitojnë ose si mund të ndihmohen ato?
Natyrisht, që rritja e pagave të punonjësve shtetërorë dhe pensioneve është masë për rishpërndarjen e pasojave të pasojave të inflacionit brenda shtresave shoqërore, por vetëm kaq dhe jo më shumë. Për sa i përket ndikimit të masës së mësipërme në shtresat e tjera të popullsisë duhet thënë se ndikimi është vetëm indirekt dhe i papërfillshëm në afatshkurtër. Duhet të theksojmë se masa e mësipërme nuk është e mjaftueshme për të përmirësuar në afatgjatë rrënjët e së keqes inflacioniste, që duhet pranuar se në vitin 2007 dhe vitin 2008 nuk ishte prodhim i kërkesës, por për shkak të ofertës së pamjaftueshme ose me çmime të larta. Sa më sipër, të nxjerr në përfundimin se për të luftuar një inflacion të një natyre të tillë duhet të shikohet drejt rritjes sa më shpejt dhe me çdo kusht të masës së prodhimeve dhe shërbimeve vendore. Përkundrazi, rritja e pakontrolluar e pagave dhe pensioneve, shtyrë qoftë edhe nga dëshira e mirë për të shpërndarë varfërinë për një inflacion me burim ofertën e mallrave dhe shërbimeve mund të jetë shkak edhe i thellimit të tij ose uljes së konkurrueshmërisë së prodhimeve vendore në raport me ato të huaja. Për fatin e mirë të vendit tonë, zhvillimet e fundit në ekonominë botërore, sikurse e shpjeguam më sipër, janë pozitive.
Fondi Monetar Ndërkombëtar ka qenë kundër rritjes së pagave dhe pensioneve, me arsyetimin se kjo mund të nxisë një rritje të mëtejshme të çmimeve dhe se kjo rritje pagash nuk do të shkonte te familjet realisht në nevojë. Si mendoni ju, vërtet do të ketë rritje çmimesh për shkak të pagave? Familjet në nevojë a mund të identifikohen thjesht me punonjësit e sektorit buxhetor?
Mendoj se përgjigjja e mësipërme përmbledh edhe pyetjen në vazhdim.
Gjatë 6 muajve të parë kishim mbledhje të të ardhurave në nivele të mira, ndërkohë shpenzimet ishin 60%. Kjo është një sëmundje e vjetër, por tashëm BSH tha se kjo gjë ndikon edhe në rritjen e çmimeve. Ju si mendoni, është pazotësi e administratës për të realizuar shpenzimet apo ka edhe arsye të tjera?
Mendoj se në krahasim relativ me sëmundjen shumë të vjetër në kohë të mosrealizimit të shpenzimeve, shifra prej 60% për 6-mujorin e parë mund të konsiderohet e kënaqshme. Kjo është e vërtetë, kur kemi parasysh vitet e kaluara dhe për të mos shkuar larg, por edhe në vitin 2007, kur Konfindustria, tepër e shqetësuar nga mungesa e ritmikës së përmbushjes së investimeve publike, ishte e detyruar të kërkonte publikisht dhe institucionalisht me forcë përmirësimin e gjendjes. Të mos harrojmë se lënia e masës së shpenzimeve për t’u realizuar në fund të vitit është shkak shtesë për shtimin e normës së inflacionit dhe për çrregullime makroekonomike që janë me pasoja sidomos për industritë vendore dhe padyshim edhe për qytetaret. Njëkohësisht, duhet pranuar se ende ka shumë për të bërë që në fazën e projektimit të buxhetit për të qenë në gjendje për të përmbushur në kohë dhe sasi investimet publike, kusht shumë i rëndësishëm për mbarëvajtjen e gjithë ekonomisë së një vendi të vogël sikurse është Shqipëria.
Në pranverën e 2006, qeveria ndryshoi ligjin për prokurimet, pasi ai, sipas saj, kishte shumë burokraci dhe nuk lejonte realizmin në kohë të investimeve. Vitin e shkuar, kur përsëri investimet ishin mbi 170 milionë USD pa u realizuar, Ministria e Financave tha se ligji i ri prokurimeve, duke qenë se u hartua në mënyrë që mos lejonte shtigje për abuzime, ka penguar realizmin e tyre në kohë. Si mendoni ju, duke parë edhe ecurinë në përgjithësi me shpenzimet dhe investimet, cilat janë arsyet?
Mund të them shkurt se, përderisa, sikurse e shpjeguam më sipër, shkalla e investimeve publike është relativisht më e mirë se ne vitet e tjera, kur ishte në fuqi legjislacioni i pararendës, atëherë edhe ligji i prokurimeve mund të merret si një hap përpara. Megjithatë, kemi shumë për të bërë, ritheksoj, në fazën e ndërtimit të buxhetit dhe përcaktimit të projekteve sikundër edhe në fazën e zbatimit të tyre nga institucionet. Mënyra më e mirë është vazhdimi i politikës së grupimit të investimeve në sektorë strategjike dhe të mosshpërndarjes së tyre në shumë duar që sjellin vetëm ulje efektiviteti të shpenzimeve dhe shkak për korrupsion.
Në buxhetin shtesë qeveria nuk ka parashikuar asnjë fond për kompensimin e ish-të përndjekurve dhe pronarëve. Pse është bërë kjo gjë?
Sa më sipër është vendim politik 100%, që ka të bëjë me strategjinë vendimmarrëse të një force politike dhe nuk ka ndonjë shpjegim të drejtpërdrejtë ekonomik.
Pjesa dërrmuese e buxhetit shtesë po shkon për investime, ndërkohë investimet deri më tani janë realizuar në masën 25% krahasuar me planin vjetor. A është e mundur të investohen 1 miliard dollarë deri në fund të vitit?
Mendoj se ende Shqipëria dhe ekonomia shqiptare ka shumë nevojë për investime të mëdha në infrastrukturë. Natyrisht, duhet të kërkojmë në vazhdimësi për të rritur cilësinë dhe zbatimin në kohë të masës së investimeve.
A mund të ketë pasoja kjo sasi parash prej 1 miliard dollarësh që do të futet në punë te rritja e kërkesës dhe rritja e çmimeve?
Teorikisht, ky është një rrezik i madh.
Si e shpjeguam më sipër, rreziku i inflacionit shtesë qëndron. Duhet punuar të shpejtohet përmbushja e investimeve, duke filluar nga muajt e parë të 6-mujorit të dytë.
Pavarësisht disa rezultateve krahasuar me vitet e shkuara, përsëri investimet e huaja direkte janë mjaft të vogla. Ne jemi vendi i fundit në Ballkan, edhe pas Serbisë, për këto investime. Cilat janë shkaqet dhe a pritet të ketë një përmirësim të tyre?
Duhet të pranojmë se, ndonëse pa të drejtë, ende Shqipëria në psikologjinë e investitorëve të huaj është vend që paraqet rrezik. Konfindustria, sa më sipër, e ka ndjerë pothuaj në të gjitha takimet njohëse me kompani të rëndësishme evropiane dhe botërore, qoftë brenda, ashtu edhe jashtë vendit. Mendoj se institucionet përkatëse nuk e kanë bërë siç duhet punën e tyre për të shpjeguar se të paktën nga pikëpamja gjeostrategjike, por edhe politikisht Shqipëria pas zgjidhjes së çështjes së Kosovës është vend i qëndrueshëm. Problemi kryesor në vend lidhet me disa çështje ende të pazgjidhura, sikurse janë pronat dhe vështirësitë subjektive që i vihen përpara investitorëve seriozë nga instanca të ndryshme të shtetit në nivel qendror, por edhe në nivel vendor. Burimi i sjelljeve të mësipërme është jo vetëm me natyrë korruptive, por edhe institucionale dhe ligjore. Marrja e disa masave, sikurse është regjistrimi i biznesit në kohë të shpejtë dhe thjeshtimi i numrit të licencave, padyshim që është pozitive dhe pritet të sjellë përmirësim në tërheqjen e investimeve të huaja, por edhe vendore. Nga ana tjetër, mendoj se shkaku kryesor i vonesës së ardhjes në masë të investimeve në vend lidhet me tregun relativisht të vogël që ofrojmë. Këtu është pikërisht edhe puna kryesore, ku duhet të përqendrohemi, sepse kjo është në dorën tonë. Pikërisht këtu e ka burimin edhe nisma e Konfindustrisë për Krijimin e Tregut të Hapur Shqiptar dhe Rajonal që filloi me Panairin e Elitës së Industrive Mbarëshqiptare që u zhvillua në fund të qershorit 2008 në Tirane. Duhet të kuptojmë të gjithë se kemi në duart tona shansin e madh, që na e kanë dhënë miqtë tanë ndërkombëtarë me çlirimin e Kosovës: kalimin nga tregje të veçanta, në krijimin e Tregut 7 milionësh Shqiptar. Vetëm në këtë rast mund të themi se mundësitë e tërheqjes se investimeve të mëdha të huaja janë reale dhe të prekshme. Mundësitë janë sinergjike në një treg të madh. Sa më i madh tregu, aq më shumë mund të zhvillohemi ekonomikisht. Është e pafalshme që jo vetëm ta humbim, por edhe të vonohemi për të krijuar Tregun natyral Shqiptar. Pavarësia e shumëpritur e Kosovës, nëse nuk do të dimë të përfitojmë sikundër më sipër, do të kthehej vetëm në një feste folklorike pa asnjë vlerë të prekshme për shqiptarët. Këtu buron edhe nisma e Konfindustrisë për krijimin e Tregut të Hapur Shqiptar si pjesë e integrimit të përbashkët në BE.