Njerëzit e drejtësisë: Reforma që po bëhet, subjektive dhe me defekte
“Ne, përfaqësuesit e Unionit të Gjyqtarëve të Shqipërisë, Shoqatës Kombëtare e Prokurorëve, Shoqatës Kombëtare e Gjyqtarëve dhe Komiteti Shqiptar i Helsinkit, po ndjekim me shumë vëmendje dhe shqetësim ecurinë e reformës në sistemin e drejtësisë dhe e vlerësojmë atë si shumë të rëndësishëm për forcimin e demokracisë, shtetit të së drejtës dhe respektimin e lirive dhe të të drejtave të njeriut. Duke vlerësuar vullnetin politik për të ndërmarrë një reformë të tillë, shprehim bindjen se kjo reformë është e domosdoshme, madje e vonuar. Ne e mbështesim domosdoshmërinë e këtij procesi reformimi dhe jemi të gatshëm të japim kontributin tonë për të patur një proces transparent, gjithëpërfshirës dhe profesional. Konstatojmë se përgatitja e reformës në drejtësi deri më sot, sidomos procesi i ligjbërjes, lë mjaft për të dëshiruar. Në të ka mjaft formalizëm, mungesë argumentimi dhe mosangazhim në këtë proces të aktorëve kryesorë të reformës në drejtësi, gjyqtarë, prokurorë, avokatë, ekspertë të jetës akademike, aktorë të shoqërisë civile dhe subjekte të tjera, zbatuese të ligjeve, pjesë e kësaj reforme. Organizatave jofitimprurëse, ekspertëve në fushë nuk iu krijohen mundësitë praktike dhe nuk i jepet koha e mjaftueshme për të dhënë kontributin e tyre në kryerjen e një reforme në drejtësi, gjë që do të ndikonte pozitivisht në forcimin e pavarësisë e pushtetit gjyqësor dhe të organeve të tjera kushtetuese dhe respektimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut. Reforma në drejtësi është e një rëndësie të veçantë për konsolidimin e demokracisë dhe është e lidhur ngushtë me synimin e vendit tonë për integrimin në strukturat euroatlantike, por, nëse ajo nuk është cilësore, nuk do t’i shërbente këtij qëllimi”, - thuhet në letrën e tyre. Reagimi i tyre vjen ditën kur Kuvendi zhvilloi një seancë dëgjimore me kandidatët për Gjykatën e Lartë. “Konstatojmë me keqardhje se metodologjia e hartimit të disa projekteve që kanë të bëjnë më reformën në drejtësi si rrjedhim i defekteve që përmendëm më lart, shoqërohet me elementë të subjektivizmit dhe interesave të ngushta sektoriale dhe koniukturale. Ne përshëndesim seancat dëgjimore që mund të organizohen nga komisionet përkatëse parlamentare, por ato nuk janë as të mjaftueshme dhe as rezultative, nëse nuk paraprihen nga një angazhim i mëparshëm i aktorëve përkatës që ne fazën e hartimit të projekteve.
Gjithashtu, transparenca që duhet të karakterizojë procesin, duhet të fillonte që në fillesat e tij me identifikimin e problemeve, të prioriteteve, propozimeve për zgjidhjet konkrete me pjesëmarrjen e gjerë të aktorëve të sistemit të drejtësisë në proces, (në vazhdimësi) deri në miratimin përfundimtar të saj, detyrime të cilat burojnë nga direktivat e BE për teknikën legjislative, të detyrueshme për t’u zbatuar nga ana e Ministrisë së Drejtësisë.
Projektet duhet hartohen pas një debati të gjerë publik, me qëllim që t’i japin zgjidhje problemeve që rezultojnë nga ky debat dhe t’i hapin rrugën një zhvillimi progresiv. Propozimet dhe mendimet e dhëna, duhet të vlerësohen seriozisht në mënyrën më të mirë të mundshme duke shmangur çdo lloj formalizmi”, - thekson letra.