Ligj i ri, me urgjencë kundër kryeprokurores, Ina Rama
Shumica ka vendosur të kalojë me procedurë të përshpejtuar ligjin për prokurorinë, një ligj drafti i të cilit ka disa muaj që fle në protokollin e Kuvendit. Arsyeja përse nxiton sot shumica të miratojë ligjin, është nevoja për t’i vënë kufizime të forta kryeprokurores dhe institucionit të prokurorisë në tërësi. Vetë prokuroria dhe organizatat joqeveritare që duan të konsultohen me të nuk kanë pasur mundësi të japin mendimet e tyre. Dje, ato janë shqetësuar seriozisht nga përpjekja për ta futur ligjin me procedurë të përshpejtuar në Komision të Ligjeve dhe kanë kërkuar stopin e këtij procesi deri në përfundim të konsultimeve me grupet e interesit. Letra e tyre ishte një lloj paralajmërimi publik për shumicën. “Vlerësoni seriozisht shqetësimin tonë që të mos kalojë asnjë reformë e copëzuar, por reforma në drejtësi të konceptohet si një e tërë, si një paketë e ligjore, pasi në këtë mënyrë do të shmangen përplasjet ligjore të mundshme ose mungesa e koherencës në legjislacion. Kryerja e reformës në drejtësi është një proces kompleks dhe i ndërlikuar, miratimi i saj i copëzuar do të shoqërohej me pasoja të dëmshme dhe të pariparueshme.”
Por e vërteta e kalimit të ligjit për prokurorinë fle gjetkë. Ditët e fundit prokuroria ka ndërmend të thërrasë dëshmitarë të rëndësishëm dhe sensacionalë rreth çështjes së Gërdecit. Për këtë shkak ajo ka nevojë për një paralajmërim të fortë. Kështu, gjëja e parë që parashikohet në draftin e shumicës është mundësia e shkarkimit të kryeprokurorit nga Kuvendi me një vendim me shumicë të thjeshtë, mundësia e emërimit të prokurorëve nga shumica, ndryshimin e disa kompetencave të kryeprokurorit që kanë të bëjnë me hetimin, duke rikonceptuar rolin e policisë dhe të prokurorisë në këtë çështje dhe ndryshimin thuajse rrënjësor të statusit të Policisë Gjyqësore që ekziston sot.
Ndryshimet e pritshme kanë zgjuar alarm te prokuroria, presidenti, por dhe diplomatët ndërkombëtarë në Tiranë.
Por brenda shumicës vendimi duket se është marrë. Korrespondenti i Antenës siguroi fakte të mjaftueshme që tregojnë për vendosmërinë e shumicës për ta kaluar pa konsultim ligjin për prokurorinë. Veç kësaj pritet të ketë dhe një kërkim ndjese nga kryeministri Berisha për vlerësimin si Silvia Konti të kryeprokurores shqiptare.
- I thashë atij burrit që atëherë se u nxitua, po nuk më dëgjon, - i tha Flamuri korrespondentit të Antenës. Ajo duhet izoluar një orë e më parë. E di unë ç’do ajo, po ç’t’i bëj atij burrit që s’më dëgjoi njëherë, s’më dëgjoi. Seç ka ca njerëz rrotull që e ngatërrojnë. Ia futi Bamiri dhe këtë radhë me këtë. S’merret vesh ku e gjeti. I thashë, kujdes, se mua më thanë që e ka shoqe gruaja e Gaz Oketës, i cili është njeri i Bamirit, por s’më dëgjoi. - E njeh Sokoli, - tha, - është e shkëlqyer.
- Ta mbajë tani. E di unë ç’do ajo, po ç’t’i bëj këtij. Dhe mua më ka kërcënuar. Se me ka dërguar fjalë për vëllain që punon si drejtor te tenderat tek Elvana Hana. Po unë me porosi të doktorit e kam nis atje. Se iu hapën llafe asaj që vjedh. Që kur ka shkuar vëllai im, s’ka më llafe. Nejse, ky ligji duhet miratuar shpejt, të mo i shoh më ca fytyra aty. Pa e di unë ç’do ajo...