E Diel, 1 Nëntor 2026

Universitete apo piramida?!

Nuk di të zgjedh se ç’janë. Kam një ide të përafërt. Diçka mes universitetit dhe piramidës. Deri dje me shtirje i thoja vetes se janë vatra, ku të rinjtë marrin dije. Jam gënjyer me kast, duke i justifikuar se janë në fazë tranzicioni. S’di pse më vjen pak gjynah. Jo për mbylljen e universiteteve private, por për mijëra kandidatët që nuk do arrijnë të regjistrohen në universitetet publike. Akoma më shumë gjynah më vjen për djemtë e parellinjve dhe për pasionantët e moshuar që në pleqëri iu është tekur të marrin diploma. Atyre po iu shuhet shansi. Kjo nuk i duhej Kosovës, pasi në kohën kur fakultetet shtetërore ecin me avazin e vjetër të njëqind e një problemeve, dalin dhe piramidat private. Çfarë sollën? Ca flluska sapuni veçse e turbulluan sistemin e pakonsoliduar të arsimit në Kosovë. Për disa vjet fituesit e vetëm në këtë përballje ishin pronarët që po milnin të rinjtë shqiptarë, duke i këmbyer paratë me diploma. Universitetet private po mbinin si kërpudhat pas shiut. Duhet të ndaleshin. Ngado universitete, madje dhe në ato lagje, ku kurrë nuk ka ekzistuar më parë një kopsht apo shkollë. Debati i gjerë pritej. Ata kanë hyrë në lojë me plot risi, por edhe probleme. Emrat e tyre tërheqës kanë joshur plotë të rinj të etur. Jo pak prej tyre janë diplomuar. Ku janë sot ata? Rrugëve. Të diplomuar pa punë. Epo kjo nuk falet. Të harxhosh 10 mijë euro dhe në fund të mos gjesh një punë, kjo është fatale. Çmime të larta, mësimdhënie e ulët. Kjo nuk mund të zgjaste pa fund. Bumi i privatëve është një ndër prurjet e fundit në Kosovë, e pritur me duartrokitjen e studentëve në ditët e para të startimit të këtyre institucioneve. Në pamundësi të zgjedhjeve, ata janë sulur drejt universiteteve private pa përvojë pa u menduar shumë për tarifën vjetore që duhet të paguajnë. Gati të gjithë maturantët që nuk kanë mundur të kapin asnjë degë në fakultetet publike dhe që kanë mundur të sigurojnë ca mijëra euro, kanë marshuar drejtë privatëve. Të interesuarit e kanë të qartë se privatët nuk janë aspak seriozë. Privatët për t’i dalë ballë studentëve që po shkrijnë paratë e tyre për të marrë pak dije, kanë projektuar objekte tërheqëse dhe hedhur arsenal të (pa)konsiderueshëm. Tani që debati është i nxehtë dhe kur telashet e mëdha janë pezull, është e kohës që të tirret thellësisht të paktën arsimi privat. Kjo duhet bërë për hir të lumit të madh të studentëve që janë bunkerizuar në këto shkolla, në mënyrë që edhe ata të njihen nga “të jashtmit”. Një debat mbi këto shkolla private s’do ishte aspak me zarar, as dashakeqës, madje as për vetë këto institucione që po mëkëmben dhe për hajër na qoftë... rreth arsimit tonë, rreth zhurmës së sivjetme, të paparë ndonjëherë për të dhe rreth problemeve të tjera të akumuluara në këtë fushë. Kërkesa e ashpër për riakreditimin e tyre nga institucione dhe mekanizma të lartë pa përmbushur kritere, bëjnë shpërfillje dhe ikje nga përgjegjësia ndaj gjeneratave të ardhme, sepse kam hall se nesër universitetet do dalin piramida. Larg qoftë...!

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›