E Shtunë, 31 Tetor 2026

FMN: Ulni borxhin, është shumë i lartë

Bode: Borxhi i Shqipërisë është i ulët në krahasim me rajonin

Fondi Monetar Ndërkombëtar i këshilloi qeverisë shqiptare të ulë stokun e vet të borxhit publik, gjë që mund të kërkojë vite të tëra disiplinë financiare dhe dobësi ekonomike, por ministri i Financave, Ridvan Bode, beson se pavarësisht situatës së vështirë të hasur vitin e kaluar, borxhi publik i Shqipërisë është më i ulët se sa vendet e tjera të rajonit apo Europës. Ndërkohë, guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, kritikoi mënyrën e arsyetimit ekonomik në Shqipëri si shkencërisht të pabazë, si edhe theksoi se probabiliteti që Shqipëria të ulë borxhin publik këtë vit është shumë i ulët. FMN-ja, Ministria e Financave dhe Banka e Shqipërisë diskutuan dje në një seminar të titulluar “Shqipëria – mbajtja e stabilitetit makroekonomik në një ambient të jashtëm sfidues”. Tema më e debatuar lidhej me nivelin optimal të stokut të borxhit publik të Shqipërisë. Shqipëria ka borxhe të përgjithshme prej 634 miliardë lekësh (rreth 4.6 miliardë euro), shifër kjo e barabartë me 60 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto. FMN-ja sugjeron që borxhi të ulet në 50 për qind të PBB-së, ndërkohë që qeveria shqiptare argumenton se e ka borxhin më të ulët se sa vendet e tjera të rajonit apo të Europës.

“Politikëbërësit shqiptar u treguan të aftë të ndërmerrnin disa politika kundërciklike dhe Shqipëria ishte një nga ekonomitë e vetme në Europë që u rrit përgjatë krizës. Por sot ne po shohim që ambienti global po shtron sfida të reja. Po shohim që sërish pas krizës në rang global po ridalin disa çrregullime të hershme. Disa vende me deficite të larta korrente para krizës po vazhdojnë të kenë sërish deficite të larta korrente. Të gjitha këto sfida imponojnë ndërhyrje edhe në Shqipëri. Duhet që të ndërmerren disa ribalancime të deficiteve, të mbahet sistemi financiar stabël dhe të ndërhyhet për ristrukturimin e disa sektorëve të ekonomisë”, u shpreh Gerwin Bell, ish-shefi i misionit të FMN-së në Tiranë. FMN-ja ka aktualisht vetëm statusin e këshilltarit ekspert në Shqipëri.

Ministri i Financave, Ridvan Bode, iu përgjigj shqetësimeve të shprehura nga FMN-ja dhe Banka e Shqipërisë me një seri krahasimesh të statistikave të vendit tonë me vendet e tjera të rajonit apo të Europës. Por kjo mënyrë e të argumentuarit nuk ishte shumë bindëse.

Reagimi i Fullanit

Guvernatori i BSH-së dje nuk foli vetëm për çfarë duhet të bëjë qeveria për të ulur borxhet dhe garantuar stabilitet makroekonomik, por kritikoi mënyrën e të arsyetuarit ekonomik në institucionet publike shqiptare në tërësi. Në një fjalim të pazakontë, i cili nuk iu drejtua veçanërisht qeverisë, por që rëndonte edhe mbi të, Fullani theksoi se argumentet ekonomike të diskutuara në Shqipëri nuk kanë një bazë të vërtetë shkencore e nuk janë të testuara në mënyrë strikte teorike.

“Analistët dhe ekonomistët fokusohen kryesisht në transmetimin e konkluzioneve të mendimit të tyre ekonomik. Duke anashkaluar diskutimin e rëndësishëm të burimit të të dhënave dhe identifikimin e referencave të teorive (qoftë me autor, qoftë me vit), apo të supozimeve që janë bërë në aplikimin e modeleve mbi të cilat kanë dalë rezultatet”, tha Fullani.

“Ky model i të punuarit fol dhe dëgjo ka dominuar analizën ekonomike jashtë institucioneve. Në këtë model mungojnë dy elemente thelbësore lexo dhe shkruaj. Replika ekonomike përqendrohet vetëm në median televizive, ndërkohë që e gjithë politika ekonomike e Bankës së Shqipërisë bazohet në analiza e materiale studimore me karakter teorik e empirik dhe mbi një bazë të dhënash ekonomike”, tha Fullani, duke iu përgjigjur indirekt edhe akuzave të opozitës, e cila beson se guvernatori i BSH-së nuk e ka bërë mjaftueshmërisht të qartë realitetin ekonomik të vendit dhe problemet që po shkakton qeveria për stabilitetin makroekonomik.

“është e vërtetë se çdo analizë dhe kritikë nis nga një hipotezë ekonomike, por para se diskutimi të bëhet publik është e nevojshme që vërtetësia e hipotezës bazë të testohet. Dhe ky proces është e nevojshme të dokumentohet në një material studimor ose artikull, pasi nëse hipoteza ose modeli apo të dhënat e përdorura nuk janë të përshtatshme në analizën në fjalë, atëherë edhe konkluzionet janë të pjesshme në rastin më të mirë, ose nuk kanë kuptim në rastin më të keq. Sinqerisht shpresoj që aktiviteti i sotëm të ndihmojë edhe në krijimin e një shembulli ose kulture debati apo analize nga këndvështrimi i një pale të tretë”, tha Fullani.

Niveli i borxhit

Ekspertët vendas e të huaj janë të shqetësuar për faktin se borxhi publik prej 634 miliardë lekësh mund të jetë i papërballueshëm për financat publike në Shqipëri, pavarësisht se në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto nuk duket shumë i lartë. Kjo është për faktin e thjeshtë se qeveria shqiptare mbledh vetëm 24 për qind të PBB-së si taksa, ndërkohë që vendet europiane mbledhin 40-50 për qind të PBB-së. Në raport me të ardhurat e buxhetit, stoku i borxhit publik në vendet europiane është jo më shumë se 1.2-1.5 herë të ardhura vjetore. Por në rastin e Shqipërisë, borxhi publik është sa 2.2 herë të ardhurat vjetore të buxhetit. Qeveria shqiptare duket se ka pak hapësirë për të ulur shpenzimet publike këtë vit, ndërkohë që të ardhurat gjatë muajve të parë kanë qenë në nivel shumë të ulët. Për këtë arsye, rritja e mëtejshme e borxhit publik dhe bashkë me të edhe e rrezikut të falimentit, duket e pashmangshme.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›