Presidentit i shkurtohen 200 mijë USD

Shkurtimi i buxhetit për shkak të krizës ekonomike nuk kursen as institucionet më të larta dhe të pavarura e rëndësishme në vend. Sikurse është bërë tashmë publike, qeveria ka miratuar uljen e shpenzimeve me 25 miliardë lekë nga plani fillestar i fillimvitit, ku më të prekurit nuk do të jenë vetëm ministritë, por edhe institucioni i Presidencës, Kuvendi, Prokuroria, Gjykatat apo SHISH. Gazeta “Shqip” zbulon të tjera detaje të shkurtimit të shpenzimeve, të cilat pritet të bëhen efektive shumë shpejt nga Parlamenti. Konkretisht, duke parë tabelat e reja të buxhetit, hartuar nga Ministria e Financave, mëson se Presidentit të Republikës do t’i hiqen nga buxheti 200 mijë dollarë. Nga kjo shumë, gjysma prek investimet, ndërsa pjesa tjetër janë dieta, udhëtime etj. Në total, buxheti i Presidencës nga 2.36 milionë dollarë që ishte me buxhetin fillestar të 2010, me rishikimin që iu bë, rezulton në 2.16 milionë dollarë, ose rreth 10 për qind më pak. Nga institucionet e pavarura, Prokuroria e Përgjithshme është më e prekura, pasi i janë shkurtuar rreth 600 mijë dollarë shpenzime, ku edhe këtu gjysma janë investime të reduktuara. I gjithë buxheti i prokurorisë ishte në fillim rreth 13.3 miliardë dollarë, kurse tani do të ketë 12.7 miliardë dollarë, ose gati 5 për qind më pak. Nga ana tjetër, ekspertët e Financave janë treguar më të “kujdesshëm” me buxhetin e Kuvendit të Shqipërisë. Kryetares së Parlamentit i janë pakësuar fondet me rreth 100 mijë dollarë, që në raport me buxhetin total janë gati 1 për qind më pak. Shkurtim të fondeve do të ketë edhe kabineti i Kryeministrit, me 300 mijë dollarë, kryesisht dieta udhëtimi, paga dhe shpërblime.
Gjyqësori dhe SHISHInstitucionet e gjyqësorit janë përfshirë në skemë e shkurtimit të shpenzimeve, dikujt më pak e dikujt më shumë. Përveç Gjykatës Kushtetuese që vijon t’i mbeten në buxhet rreth 1 milion dollarë, të gjithëve u janë pakësuar fondet. Kështu, Kontrollit të Lartë të Drejtësisë i janë shkurtuar fondet me 20 mijë dollarë, ose me më pak se 3 për qind, kurse gjykatave me mbi 1.5 milionë dollarë. Zyra e Administrimit të Buxhetit Gjyqësor, kishte në fillim të vitit 18 milionë dollarë, ndërsa tani me rishikimin e buxhetit 2010, do të ketë rreth 16.5 milionë dollarë, ose gati 400 mijë dollarë më pak investime. Shkurtimi i shpenzimeve pritet të sjellë reagimin e fortë të gjykatave, të cilat jo më larg se dy javë më parë, ende pa u miratuar reduktimi, kërkonin më shumë fonde për investime. Shërbimi Informativ Shtetëror do të ketë me buxhetin e ri 12.7 milionë dollarë ose gati 600 mijë dollarë më pak, duke i prekur edhe planin e investimeve, kryesisht në teknologji.
#