OSSH pranon vjedhjen ndaj qytetarëve, premton kompensim
OSHS nuk kanë pranuar asnjë ankimim. Procedura standarde do të jetë që çdo konsumator mund të paraqesë ankesën e tij në lidhje me faturën në agjencinë lokale të OSSH. Çdo rast do të hetohet dhe vlerësohet individualisht. Ankesat të cilave ju është provuar vërtetësia do të zgjidhen me kompensimin e plotë të shumës së faturuar gabimisht, ka bërë të ditur OSSH. Në një deklaratë për Mediat, OSSH ka tentuar të qartësojë pozicionin e saj në lidhje me fryrjen e faturave gjatë muajve të fundit por edhe për aplikimin e rritjes së çmimit të energjisë që në muajin dhjetor. Duke pranuar vjedhjen e që iu ka bërë qytetarëve, OSSH shprehet se nuk ka pasur sesi ti ta heqë rritjen e çmimit të energjisë për faturat e dhjetorit. Madje për të qenë sa më bindëse, kjo kompani ka bërë të ditur dje se për këto probleme dhe ankesa të qytetarëve, OSSH ka vënë përpara përgjegjësisë duke e larguar nga detyra vetëm dy ditë më parë, drejtorin e shitjeve në OSSH. Faturat më të larta janë rezultat i rritjes së çmimit me 13% dhe dimrit të gjatë dhe të ftohtë që ka çuar në një shpenzim më të madh energjie. OSSH po punon intensivisht për zbulimin e vjedhjeve të energjisë dhe vëzhgimin e matësve të dëmtuar dhe që shpenzimi historik i faturuar i energjisë të vendoset në faturën pasardhëse në këto raste, thuhet në deklaratën për shtyp të OSSH. Ndërsa përsa i përket ankesave të qytetarëve për faturat e larta të muajit janar, OSSH pretendon se e ka kryer faturimin në të njëjtën mënyrë si u bë nga OSSH në mars të 2008. Nuk ka asnjë ndryshim në mënyrën e operimit duke qenë se është teknikisht e pamundur të ndahet në mënyrë strikte shpenzimi i energjisë për dhjetorin dhe janarin, thuhet në njoftimin për shtyp të OSSH. Gjithashtu, sipas OSSH, gjatë procesit të vendimmarrjes është bashkëpunuar vazhdimisht me ERE. Në aplikimin e tarifave të reja ne u konsultuam me ERE gjatë mbledhjeve të njëpasnjëshme zyrtare në lidhje me mënyrën e procedimit. OSSH e ka bërë faturimin ekzaktësisht si është bërë para privatizimit në mars 2008. OSSH informoi dhe ra dakord me ERE-n që çmimet e reja do të aplikoheshin nëse matja do të bëhej mbas datës 20 dhjetor. Nëse data e matjes në faturë është para datës 20, atëherë faturat që do të sillen nga konsumatorët, do të kontrollohen imtësisht dhe në rast të një ankese të justifikuar e gjithë shuma e faturuar gabimisht do të zbritet nga fatura e muajit të ardhshëm. E teksa bën të ditur procedurat që do të ndiqen lidhur me hetimin e faturave, OSSH pohon se për faturat abuzive do të ketë kompensim gjatë muajit pasardhës. Megjithatë, e gjithë kjo ka qenë një shoë dhe tallje me qytetarët. Gjithsesi me vjedhjen masive të kryer në kurriz të qytetarëve OSSH rrezikon të ndiqet penalisht për vjedhje me anë të mashtrimit dhe vjedhje me anë të mashtrimit kompjuterik. Këto akuza gjejnë një mbështetje të mirë dhe tek faturat energjisë të qindra e mijëra qytetarëve, të cilat gjatë muajve të fundit kanë qenë tejet të larta deri në 2-3 fish më shumë se nga çpaguanin zakonisht. Denoncimet më të fundit që kanë mbërritur në adresë të OSSH kanë qenë dhe faturat e dhjetorit, të cilat janë përllogaritur me çmimin e ri të janarit. E ndërkohë që rritja e energjisë ishte përcaktuar nga ERE që të hynte në zbatim në janar, OSSH e ka bërë fakt të kryer çmimin e ri që në muajin dhjetor.
Last Updated on E Enjte, 04 Mars 2010 23:36