Kryeministri u gjen lajmin gazetarëve
“çdo e mirë e ka një të keqe dhe çdo e keqe e ka një të mirë”. Kjo është një thënie e vjetër kineze, kuptimi i së cilës është që shpeshherë ngjarjet duhet të shihen nga disa këndvështrime.
E keqja në këtë rast, ka qenë protesta e dytë për këtë vit e punonjësve të nëntokës. Ajo u zhvillua dje paradite në një kohë të zymtë e me shi. Por pavarësisht kësaj dhe kërkesave të tyre të shpeshta, të cilat janë bërë publike për vite me radhë nëpërmjet të gjitha formave demokratike, këto ankesa janë bërë thuajse të zakonshme për drejtuesit e shtetit, aq sa edhe mund të ironizohen. E mira në këtë histori, mbetet sugjerimi i Kryeministrit Sali Berisha për punonjësit e medias. Dje, gjatë një takimi në ambientet e Kryeministrisë, kreu i qeverisë u ka thënë gazetarëve se veç këtij takimi mund të bënin pjesë të kronikave dhe shkrimeve të tyre edhe protestën e minatorëve e cila zhvillohej përballë Kryeministrisë, në qiell të hapur.
Protesta e minatorëve ka kaluar tangjent në agjendën e ngarkuar të Kryeministrit. Madje, gjatë mbledhjes së Komitetit Ndërministror të Integrimit, Kryeministri nuk kurseu një batutë për gazetarët.
“Mund të rrini këtu po ka edhe një protestë para Kryeministrisë që është me interes për ta ndjekur”, u shpreh Berisha.