E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tokat në Kashar, zhvarroset denoncuesi

 Dyshimet për vrasjen e Gani Kamberit sollën zhvarrimin e tij. Viktima denoncoi abuzimet me tokat në Kashar

Një grup hetimor zhvarrosi trupin e Gani Kamberit. U raportua i vetëvrarë, por dyshohet për vrasje

TIRANË- Zhvarroset trupi i denoncuesit të skandalit të Kasharit, pas dyshimeve për ekzekutimin e tij.Gani Kamberi u gjet i vdekur, tetorin e vitit 2007 në një pellg 500 metra larg shtëpisë së tij në Kashar. Asokohe ngjarja u raportua si vetëvrasje, por pas arrestimeve për abuzimet me tokat, i biri hodhi dyshimet se i ati mund të ishte vrarë. Prokurorisë së Tiranës iu deshën katër muaj kohë që nga dita e apelit të djalit të viktimës, Eltonit, në gazetën 'Shekulli" për të rihetuar vdekjen e Gani Kamberit. Paraditen e djeshme, prokurori i çështjes Ervin Karanxha ka shkuar në varrezat e komunës së Kasharit, bashkë me specialistët e mjekësisë-ligjore dhe familjarët e Gani Kamberit, duke bërë zhvarrosjen e trupit të viktimës. Trupi i viktimës është dërguar më pas në laboratorin e Mjekësisë Ligjore, ku do t'i nënshtrohet një ekzaminimi të hollësishëm të plagëve të marra gjatë kryerjes së aktit të "vetëvrasjes". Pas denoncimeve të familjarëve, prokuroria dyshon se Kamberi është vrarë me plumb pas koke, pasi kishte denoncuar në prokurori drejtuesit e Komunës së Kasharit për vjedhjen dhe tjetërsimin e pronave. Sipas burimeve nga prokuroria, është përpiluar pyetësori që i është dërguar ekspertëve mjeko-ligjorë, për ekzaminimet dhe autopsinë e trupit të viktimës së zhvarrosur mëngjesin e djeshëm. Mësohet se një pjesë e pyetësorit, dërguar ekspertëve ka të bëjë me ngritjen e dyshimeve në lidhje me hyrjen dhe daljen e plumbit dhe gjurmëve që ai ka lënë në kokën e viktimës. Familjarët e 50 -vjeçarit Kamberi, në denoncimet e tyre kanë pretenduar se mënyra e hyrjes së plumbit në kokën e viktimës dhe pozicioni , vështirë së mund të përshkruhen si vetëvrasje, pasi mbrapa kokës ndodhet zgavër e vogël e krijuar nga hyrja e plumbit ndërsa para në anën e djathtë të ballit ndodhet zgavër më e madhe. Kjo ka ngritur dyshimet e familjarëve, të cilët e kanë denoncuar atë kohë më parë në gazetën "Shekulli". Pretendimet e familjarëve të Gani Kamberit pritet të zbardhen pas kryerjes së autopsisë dhe ekzaminimit të shenjave tjera të mundshme që mund të ketë pasur në trupin e të vrarit. Ndërkohë, paralelisht me hetimet për vrasje, për shkak të pronësisë, prokuroria e Tiranës po heton edhe grupin prej 11 personash që kanë abuzuar me pronat në komunën e Kasharit që nga viti 2001-2007, kur janë arrestuar. Sipas prokurorisë, mes provave materiale gjendet edhe dëshmia para vdekjes e 50- vjeçarit Gani Kamberi, si një prej denoncuesve të këtij skandali.

DENONCIMI

Dyshimet për  vdekjen e Kamberit

TIRANË- Më 14 tetor të vitit të kaluar, Gani Kamberi është gjendur i vdekur në afërsi të një pellgu uji, vetëm pak kohë pasi kishte denoncuar skandalin e abuzimeve me tokat në zonën e Kasharit. Viktima 50 -vjeçare kishte marrë një plagë vdekjeprurëse në kokë, ndërkohë që banorët thonë se kanë dëgjuar dy të shtëna pistolete. Megjithëse është klasifikuar si një vetëvrasje nga policia, të afërmit kanë këmbëngulur se Gani Kamberi nuk kishte asnjë arsye për t'i dhënë fund jetës. I biri pohon se Ganiu ishte rrahur nga njëri prej të arrestuarve, Xhevahir Hyka, për shkak të tokës së grabitur, ndërsa dyshon se ky mund të jetë edhe motivi i vdekjes së të atit. Ndërkohë, burime nga Prokuroria e Tiranës bëjnë me dije se janë hapur hetimet dhe po punohet në zbardhjen e së vërtetës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›