FMN-ja apel BSH-së: “Kujdes me portofolin e kredive dhe me bankat e huaja!”
Ervin Koçi
Institucionet financiare kryesore ndërkombëtare parashikojnë një kolaps të mundshëm në ekonominë shqiptare, që mund të vijë si pasojë e kredive të këqija dhe falimentimi i bankave në rast se nuk merren në kohë masat e duhura. Këtë gjë e ka shprehur qartë edhe FMN-ja në rekomandimet e saj më të fundit drejtuar institucioneve kryesore monetare të shtetit shqiptar. Përfaqësuesit e FMN-së i janë drejtuar me disa kërkesa strikte përfaqësuesve të shtetit lidhur me kreditimin e lartë në ekonomi të realizuar nga bankat e nivelit të dytë. Në raportin e fundit të Fondit Monetar Ndërkombëtar përcaktohen detyra të qarta për Bankën e Shqipërisë në drejtim të kontrollit të riskut të kredisë. "Rritja e normës së kreditimit dhe kreditë e pakthyera, duhet të jenë objekt i një raportimit të detajuar nga ana e bankave të nivelit të dytë, drejt Bankës Qendrore",- sqarohet në raportin e FMN-së. Përcaktimi i kushteve shtrënguese nga ana e FMN-së për bankat, shprehur në raport, lë të kuptohet se sistemi bankar është duke rritur riskun që vjen nga procesi i kreditimit. Kredia për ekonominë ka vijuar të shënojë ritme të shpejta rritjeje, edhe gjatë gjysmës së parë të vitit 2008. Portofoli i kredisë së sistemit bankar për ekonominë arriti në 340.5 miliardë lekë në muajin qershor 2008, duke përbërë 30 për qind të PBB-së. Vënia në zbatim gjatë këtij viti e një seti rregullator që synon kontrollin e ruajtjen e cilësisë së portofolit të kredisë, pritet të ndikojë në reduktimin e mëtejshëm të ekspansionit të kredisë.
Kërkesat e FMN-së
Raporti i FMN-së kërkon qartë nga BSH-ja, por dhe nga qeveria shqiptare, që bankat në vend të ngadalësojnë normat e provigjioneve, duke përshtatur normat e interesit dhe duke bërë rishikimin e objektivave të rritjes së kredive. Njëkohësisht në raport kërkohet që “të mos jepet më kredi, sidomos kredi konsumatore për klientët që nuk plotësojnë trefishin e pagesës mujore të kredisë, si dhe të pakësohen kreditë e dhëna pa kolateral”.
Por, nëse do të realizohej një analizë e hollësishme e këtyre kërkesave, bankat e nivelit të dytë aktualisht realizojnë pjesën më të madhe të këtyre kritereve në dhënien e kredive. Madje ato e kanë edhe pjesë të strategjisë së tyre “ekspansioniste”, pikërisht reklamimin e heqjes së këtyre kritereve që kanë bërë që pranë sporteleve të tyre të afrohen edhe mjaft klientë që tashmë po kthehen në potenciale të rrezikshme. FMN-ja kërkon nga bankat e nivelit të dytë që “të japin kredi atje ku është siguruar një kolateral 150 për qind, pavarësisht se kredia i është dhënë një personi apo është marrë nga disa persona”. Bankave të nivelit të dytë u kërkohet gjithashtu që “të rrisin kapitalin, ose të marrin masa të tjera për të realizuar një normë mesatare të kapitalit minimal. Të akumulojnë dhe të krijojnë fonde rezervë ose emergjente në bankat qendrore ose në Bankën e Shqipërisë si garanci për depozitat e klientëve”.
Masat e BSH-së
Bankat që operojnë në Shqipëri si degë të institucioneve financiare të huaja do të kenë një nivel të kufizuar të peshës së tyre në treg. Vendimi vjen nga ana e Bankës së Shqipërisë, e cila i vendos këtyre institucioneve kufizime për shkaqe që lidhen me riskun që ato marrin përsipër. Të gjitha vendimet vijnë në kuadër të një plani të Bankës së Shqipërisë, që është paralel me rritjen e kredisë së keqe dhe nivelit të kreditimit në vend. Portofoli i kredisë ka mbërritur në rreth 2.8 miliardë euro duke qenë afërsisht sa 30 për qind e Produktit të Brendshëm Bruto. Nga ana tjetër kredia e re vazhdon që të rritet me një ritëm të shpejtë dhe masat që duhen marrë sipas BSH-së janë në funksion në uljes së risqeve financiare.
Udhëzimet e fundit kanë përfshirë në mënyrë specifike edhe kushtet për sa i përket rregullave të garancisë dhe të kolateralit. Bankat tashmë duhet të jenë më të kujdesshme edhe në këtë drejtim, pasi një pjesë e madhe e kredisë po kalon për konsum duke mos pasur një garanci të mirëfilltë. Rritja e kërkesave për shpenzime kapitali për portofolat e kredive të bankave, të përcaktuar si të ekspozuar ndaj rrezikut të kursit të këmbimit, është një nga pikat e tjera që pritet të forcojë rregullat në dhënien e kredive.
Problemet në rritje të tregut bankar nga kreditë e këqija
Sipas specialistëve të bankave, një nga problemet më të mëdha të kredisë mbetet mosha e re e saj dhe këto shifra për moskthim mund të përkeqësohen në një kohë të shkurtër. Pjesa më e madhe e kredive të dhëna fillojnë që nga fundi i vitit 2005 e në vazhdim dhe kapaciteti pagues i klientëve të bankave mbetet ende i pavlerësuar. Nga kredia në ndjekje, ose me probleme, që në total shkon në 252 milionë euro, rreth 50 milionë dollarë janë kredi e keqe ose ajo që nuk mund të mblidhet më nga ana e bankave. Por veç kredive, tashmë të klasifikuara si me probleme, Banka e Shqipërisë ngre edhe një problem tjetër, që ka të bëjë më informacionin jo të plotë që jepet në ketë drejtim nga ana e bankave të nivelit të dytë, duke fshehur në një pjesë të konsiderueshme riskun që mund të vijë nga ky aktivitet. Ka qenë vetë kreu i BSH-së, Fullani, që ka bërë të ditur se megjithëse statistikat tregojnë se ende përqindjet e kredive të këqija janë të ulëta, përsëri është e domosdoshme një lloj prudence në këtë drejtim. "Të gjithë e dimë se metodat e klasifikimit dhe riklasifikimit, mund të jenë një instrument në duart e bankave për të fshehur realitetin. Hyrja e grupeve të mëdha bankare, ka rritur presionet tek operatorët e tjerë për më shumë përpjekje në drejtim të zënies së tregut. Shpeshherë kjo bëhet në dëm të cilësisë së portofolit. Po kështu, të mos harrojmë se edhe bilancet e kompanive nuk janë të sinqerta, duke shtuar një problem më shumë në këtë drejtim. Por edhe zhvillimet aktuale në tregun e pasurive të paluajtshme kanë një potencial negativ në këtë drejtim. Rritja e madhe e çmimeve, në kushtet kur pasuritë e paluajtshme përbëjnë rreth 80 për qind të kolateralit, mbart një potencial negativ në rast të materializimit të rënies së menjëhershme të çmimeve në tregun e aseteve fikse",- ka sqaruar Fullani në një nga raportimet e tij të bëra në publik.
2 Shtator 2008