E Diel, 1 Nëntor 2026

Bankat, interesi i kredive në lekë, sa dyfishi i depozitave



Interesat e kredive në lekë vazhdojnë që të jenë në nivele të larta duke bërë që kërkesa për monedhën vendëse të jetë e ulët. Të gjitha interesat për kredinë në lekë janë mbi 10 për qind, interesa këto sa dyfishi i depozitave bankare. Interesi i kredive në lekë mbetet tepër i lartë dhe kjo është një nga arsyet e braktisjes së kredisë në lekë nga ana e klientëve. Sipas Bankës së Shqipërisë interesi për kredinë 12-mujore në lekë rezulton 11.5 për qind duke qenë sa dyfishi i interesit të depozitave. Për kreditë që kanë një afat të shkurtër prej 6 muajsh interesat për kredinë në lekë shkojnë deri në 14 për qind. Një nga arsyet për një nivel kaq të lartë të interesave të kredive mbetet edhe borxhi qeveritar. Bankat e kanë të lehtë që të investojnë fondet e tyre në letra me vlerë që kanë një interes vjetor prej 8.2 për qind. Realisht ky është edhe interesi nga i cili mund të fillojnë interesat e kredive në lekë, pasi një pjesë e mirë e fondeve mund të investohen në këto letra me vlerë.

Kredia e keqe, mbi 252 milionë euro në vitin 2008

Portofoli i kredisë së bankave të nivelit të dytë në 6-mujorin e parë të vitit llogaritet në 2.8 miliardë euro. Nga kjo rreth 252 milionë euro llogaritet që të jetë kredi me probleme, ose e njohur ndryshe si kredi e keqe, që krijohet me shpejtësi si pasojë e moskthimit nga klientët kredimarrës. Raporti vjen nga ana e Bankës së Shqipërisë që llogarit se një pjesë prej 50 milionë eurosh është kredi e humbur ose të dyshimta. Ndërsa 200 milionë euro të tjera janë hua në ndjekje dhe nënstandarde. Në këto kategori përfshihen të gjitha ato kredi që paraqesin vonesa në afate të ndryshme kohore. Edhe pse shifrat e asaj që quhet kredi e keqe, mbeten të ulëta në raport me portofolin e sistemit bankar, alarmi për një risk shtesë të kreditimit është në rritje.

BSH: “Në qershor depozitat u rritën 18.8 për qind”

Depozitat gjatë muajit qershor 2008 shënuan një rritje vjetore të konsiderueshme prej 18.8 për qind, bëri të ditur Banka e Shqipërisë në raportin e publikuar pas mbledhjes së fundit të Këshiilli Mbikëqyrës të BSH-së. Sipas këtij raporti, kontributi kryesor në rritjen e depozitave gjatë kësaj periudhe, në total e kanë dhënë depozitat në valutë, të cilat janë rritur me 4 për qind në terma mujorë, kundrejt vitit të kaluar. Rol të rëndësishëm në shtimin e këtyre depozitave gjatë këtij muaji kanë patur dhe prurjet në valutë nga ana e emigrantëve, të cilat megjithëse në rënie nga viti në vit, sërish vazhdojnë të vijnë në vendin tonë dhe të zënë një peshë të konsiderueshme në të ardhurat në ekonominë shqiptare. Gjithashtu edhe ofertat e ndryshme të bankave private të cilat rritën interesat për depozitat gjatë këtyre muajve, bënë që ky volum të rritej ndjeshëm.

Leku mbylli javën me qëndrueshmëri në tregun valutor

Leku pati qëndrueshmëri në kursin e këmbimit me dollarin dhe euron gjatë javës së fundit. Në fillim të javës 1 dollar u këmbye mesatarisht me 82,5 lekë, ndërsa në fund të javës me 82,56 lekë. Ndërsa euro u këmbye mesatarisht me 121.50 lekë në fillim të javës dhe në fund të saj me 121,53 lekë. Agjencitë e këmbimit valutor kanë lajmëruar se, shkak për këtë rënie të euros në raport me lekun është bërë rritja e ofertës për euro këto ditë për shkak se kanë filluar turistët e parë nga Kosova, por edhe nga Evropa. Të dhënat që ka publikuar Ministria e Turizmit tregojnë se, numri i përgjithshëm i vizitorëve të huaj ka një rritje 21 për qind krahasuar me vitin 2007. Hyrja në Shqipëri me rrugë tokësore ishte në masën 70 për qind dhe numrin më të madh e përbëjnë evropianët me rreth 90 për qind të totalit të turistëve. Për herë të parë vitin që shkoi turizmi u ngjit në krye të klasifikimit për sa i përket prurjeve valutore në ekonominë vendase nga jashtë me rreth 1 miliardë euro. Vlerat monetare që u përfituan kaluan dërgesat e emigrantëve, të ardhurat nga eksportet dhe të ardhurat që futen nga investimet e huaja direkte.

2 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›