Treni elektrik, Shqipëria humb gjyqin, “General Electric” merr 10 milionë USD
Habjon Hasani
Në mënyrë përfundimtare dhe të pakthyeshme shteti shqiptar do t’i paguajë firmës amerikane “General Electric” 10 milionë dollarë gjobë si pasojë e prishjes së kontratës për ndërtimin e linjës hekurudhore Tiranë-Durrës. Lajmin e konfirmoi dhe kreu i Avokaturës së Shtetit, Eduard Halimi. Gjykata Ndërkombëtare e Arbitrazhit ka dërguar vendimin e saj në Ministrinë e Transporteve që në mesin e muajit shkurt të këtij viti, ndërsa vetëm dy javë më parë Avokatura e Shtetit ka marrë përgjigje mohuese (në mënyrë përfundimtare) lidhur me mundësinë e rishqyrtimit të çështjes. Firma amerikane “General Electric” e hodhi në gjyq shtetin shqiptar në korrik të vitit 2006, pasi qeveria “Berisha” rrëzoi kontratën e lidhur me të për ndërtimin e linjës moderne hekurudhore Tiranë-Durrës, një projekt ky i iniciuar nga qeveria “Nano”.
Përplasjet
Që në lindjen e projektit të ndërtimit të një linje me tren elektrik nga Durrësi në Rinas e më pas në Tiranë, ish-opozita, maxhoranca aktuale, nuk e fshehu kundërshtimin e saj. Mbështetur edhe nga vërejtjet e organizmave të tilla si Banka Botërore dhe FMN-ja, qeveria e re e kryeministrit Berisha e rrëzoi këtë projekt duke nxjerrë si arsyetim pamundësinë e shtetit shqiptar për të marrë një kredi tregtare nga banka e njohur “ABN Ambro Bank”.
Në kohën kur opozita nisi fushatën, ky projekt u kundërshtua dhe në momentin kur u krijua kabineti i ri qeveritar, projekti dhe kontrata u lanë në harresë deri në momentin që tre ministrat e kabinetit, Bode, Ruli dhe Basha, kthyen përgjigjen se pse qeveria shqiptare nuk mund të vazhdonte një projekt të tillë. Anulimi i kontratës nga ana e qeverisë shqiptare nuk kaloi pa vëmendjen e diplomacisë amerikane në Tiranë. Gjatë një interviste dhënë në televizionet private ish-ambasadorja amerikane Marsi Ris deklaroi se qeveria e Shteteve të Bashkuara ishte e zhgënjyer me faktin që një kontratë me një kompani amerikane ishte anuluar. Ajo e bëri këtë deklaratë në kontekst të shpjegimit që po jepje për nxitjen e investimeve amerikane në Shqipëri, duke thënë se ato kërkojnë garanci. Kompania e njohur amerikane, “General Electric” (GE), kërkoi 20 milionë dollarë amerikanë dëmshpërblim nga shteti shqiptar për kontratën e prishur nga ana e qeverisë shqiptare për modernizimin e segmentit hekurudhor “Tiranë- Durrës”. Ky projekt kapte vlerën prej rreth 95 milionë dollarësh. Njoftimi për hapjen e gjyqit është bërë nga Gjykata Ndërkombëtare e Arbitrazhit me qendër në Paris (Francë) dy vite më parë.
Gjiganti
Kompania amerikane “General Electric”, porsa u bind për refuzimin e këtij projekti nga qeveria “Berisha”, hodhi menjëherë poshtë mundësitë e rinegocimit të tij dhe paditi qeverinë shqiptare. Tashmë kjo firmë do të përfitojë 10 milionë dollarë (lekë të taksapaguesve shqiptarë) duke mos bërë asnjë punë, ndërsa pika më e fortë e amerikanëve ka qenë shkelja flagrante e disa procedurave të sanksionuara në kontratën fillestare nga ana e qeverisë shqiptare. E duket se edhe kësaj here “General Electric” ka dalë e fituar, duke arritur të “thyejë” kokëfortësinë e qeverisë shqiptare. “General Electric” është një kompani mjaft e njohur prestigjioze dhe e plotfuqishme në raportet e saj me qeverinë amerikane. Kjo kompani ka ndër nivelet më të larta të kontraktimeve me qeverinë e SHBA-ve. Ajo është një ndër 3 prodhuesit më të mëdhenj në botë të makinerive, të pajisjeve për boing dhe për prodhimet e avionëve ushtarakë. Lufta kundër terrorizimit i ka rritur në mënyrë të menjëhershme kontrata ushtarake me këtë kompani. Madje “GE”, gjatë kohës së Klintonit, ka pasur një bum të kontratave ushtarake në bazë të direktivit presidencial 41, e cila lejonte diplomatët amerikanë që të promovonin shitjen e armëve jashtë me qëllim mbrojtjen e investimeve amerikane. Kompania është një nga furnizuesit më të mëdhenj në botë përsa i përket zhvillimit të teknologjive të reja si të ekonomisë në vendet e zhvilluara ku përfshihen pjesë e këmbimit për avionë, energji, naftë-gaz, hekurudha etj.
Detajet e projektit për “Trenin elektrik”
Projekti përfshin ndërtimin e një hekurudhe që përfshin modernizimin e linjës aktuale “Tiranë-Durrës”, 38 kilometra, përfshi edhe linjën “Durrës-Golem”, si dhe ndërtimin e një linje të re hekurudhore 6 kilometra për të krijuar lidhje me aeroportin “Nënë Tereza”. Përveç trasesë, do të ndërtohej edhe sinjalistika dhe sistemet e telekomunikacionit do të vendoseshin lokomotivat dhe vagonët për civilë dhe për transportim mallrash. Projekti vlerësohej në 70 milionë euro dhe realizohej për një periudhë 2-vjeçare. Kontrata mes kompanisë “General Electric” dhe qeverisë shqiptare është bërë në shtator 2003. Në maj të 2004-s është bërë emërimi i konsulentit ndërkombëtar në bazë të një tenderi, në nëntor të atij viti është paraqitur studimi i fizibilitetit 180 faqe. Ndërsa pas janarit të 2005-s ka nisur puna për sigurimin e kredisë. Pikërisht për termat e kredisë qeveria e djathtë shqiptare gjeti edhe arsyen e rrëzimit të kontratës me kompaninë “GE”. Në janar të 2005-s u hartua drafti i kontratës së kredisë e ndarë në disa pjesë. 85 për qind do të mbulohej nga banka “ABN AMRO” dhe 15 për qind do të ishin kredi tregtare nga banka të tjera, kryesisht vendase. Ndërsa sistemi i sigurimit të kredisë do të garantohej nga “SACE“ në Itali, me 27.6 milionë euro. Nga ECIO me 21.3 milionë euro dhe USEXIM bank me 10.5 milionë dollarë amerikanë. Ndërsa risigurimi do të mbulohej nga një seri kompanish të tjera të ECA network. Kostoja e kredisë që do të merrej nga banka “ABN AMRO” do të ishte 5.8 për qind, kjo për 85 për qind të shumës së kredisë totale. Ndërsa kostoja e kredisë që do të merrej nga bankat lokale do të ishte 7.75 për qind.
2 Shtator 2008