“Sky Calcio”: Bogdani te Bari
Televizioni prestigjioz “Sky Calcio” e bëri fakt të kryer kalimin e sulmuesit shqiptar Erjon Bogdani te Bari i Serisë B, pavarësisht se për momentin mungon zyrtarimi i transferimit nga Kievo. “Bogdani, - citon faqja barilive.it, - do të paraqiste një sulmues me peshë, që do të kompletonte repartin ofensiv bardhekuq, duke kombinuar më së miri në letër karakterstikat e tij tekniko-takimet me ato të Paulo Vitor Barretos”.
SKELA - Krizë goli. Tre ndeshje pa shënuar. Energi Kotbus i Ervin Skelës regjistroi humbjen e dytë rresht në shtëpi në Bundesligë dhe të gjashtën në po aq takime me Borusian e Dortmundit, që fitoi 0-1 falë golit të Neben Subotiçit (44’). Ervin Skela (luajti 78 minuta) dhe goditi shtyllën në minutën e 68-të. Dimitar Rangelov goditi me kokë topin e rikthyer nga 3 metra, por sfera përfundoi mbi portë.
KAPLLANI – Karlsuhe e Edmond Kapllanit humbi 2-0 të premten në shtëpi me Këlnin, në ndeshjen hapëse të javës së tretë të Bundesligës I-rë gjermane. Golat u realizuan nga Novakoviç (72’) e Radu (84’). Sulmuesi shqiptar hyri si zëvendësues në minutën e 78-të në vend të mesfushorit Audobe, kur rezultati ishte 0-1. Në minutën e 81-të, Kapllani pati të gjitha shanset për të barazuar rezultatin por, sfera kaloi mbi shtyllën horizontale. Edhe pse në 15 minutat e fundit trajneri Edmond Beker pati tre sulmues në fushë: Kenedi, Iashvilin e Kapllanin situata nuk ndryshoi. Vetëm dy aktivizime për Kapllanin, në total rreth 20 minuta lojë.
HYKA – Edhe rekordmeni shqiptar i golit më të shpejtë ndërkombëtar me fanellën e Kombëtares, mesfushori Jahmir Hyka, nuk ishte pjesë e fitores 4-2 të Maincit të tij kundër Osnabrykyt në ndeshjen e vlefshme për javën e tretë të Bundesligës 2. Hyka, gjithsesi, e shijoi fitoren nga bankina, ku qëndroi gjatë gjithë takimit. 20-vjeçari ka luajtur vetëm në një nga tre ndeshjet e zhvilluara (në total 10 minuta), atë kundër Kaiserslauternit (3-3) në javën e parë.
RAMA – Mesfushori kosovar i Ingolstadt, Valdet Rama, dha asistin e golit të vetëm të ekipit të tij në humbjen 1-3 me Kaiserslauternin. Rama, i cili u zëvëndësua në minutën e 63-të, është ndër më të mirët e ekipit të tij në tri ndeshjet e para: 1 gol, 2 asistë, 2.75 nota mesatare e “Kicker”-it.
LALA – Hanoveri i kapitenit të Shqipërisë, Altin Lala, do të luajë sot në transfertë kundër Shtutgartit.
Habiten të gjithë. Cana, mesfushor krahu?!
“Ku do të arrijë Cana?”. Pyetja shqetësuese ndaj shqiptarit ka të bëjë me rolin e ri më të avancuar që po bën kapiteni Lorik Cana në lojën e Olimpikut të Marsejës, pasi më parë gjatë sezonit të kaluar ai kishte luajtur shumë ndeshje në qendër të mbrojtjes. Lorik Cana, një lojtar polivalent dhe me diapazon të gjerë futbollistik u pa në ndeshjen kundër Bran Bergenit në Ligën e Kampioneve në rolin e një anësori, duke i lenë zonën e mesfushës shkatërruese kundërshtarit të tij më të madh Modeste M’Bami.
Cana ka pasur rolin e një mesfushori krahu me detyrën për të qendërzuar topat. Pas aktivizimit si titullar të M’Bamisë, ndërkombëtari shqiptar dhe lideri luftarak i Olimpikut të Marsejës është i detyruar të jetë në një pozicion më përpara.
Një rol, që sipas faqes franceze ledauphine.com,nuk i korrespondon aspak karakteristikave të tij , duke provokuar edhe një rendiment më të ulët në lojë të Lorikut (komentet pro e kundër janë të shumta), i cili më parë ka qenë një nga figurat qendrore të Marsejës, pasi ishte Cana ai që bënte presion mbi kundërshtarët pikërisht para vijës mbrojtëse. Pyetjet dhe enigmat janë të shumta. Por më të komplikuar situatën e bën vetë Cana. “Loriku më ka thënë që ka provuar të luajë saktësisht në këtë pozicion me kombëtaren e tij”, - tha trajneri Gerets pas ndeshjes kundër Bergenit. “Po, është e vërtetë që ishte katastrofik para pushimit të pjesës së parë, por në të dytën loja e tij u përmirësua mjaft”.
GALIANI
“Nuk jemi varezë elefantësh”
“Milani është klubi me më shumë trofe në Europë e në botë. Me varezën tonë kemi fituar me shumë se anglezët”. Ky është reagimi i zëvendëspresidentit të Milanit, Adriano Galiani, pas kritikave të gazetave britanike, që e konsideronin kampionatin italian një lloj vareze elefantësh, të mbushur me emra të rëndësishëm dhe ish-lojtarë jashtëklasi. “Kampionati italian, -theksoi Galini, nuk me duket aspak një varezë elefantësh”.
SUPERKUPA
Medvedev përgëzon Advokatin
Festë e madhe në Shën Petërburg gjatë pritjes së heronjve të Zenitit, triumfues në Superkupën europiane kundër Mançester Junaited. Qindra tifozë të klubit në pronës të “Gazprom” ishin në rrugët e qytetit, duke thirrur “Zeniti kampion”. Për ta bërë edhe më zyrtare festën, nuk mungoi edhe telefonata e presidentit rus Medvedev, i cili uroi trajnerin holandez Dik Advoat për fitoren e jashtëzakonshme në Superkupë, e para për një skuadër ruse.
RANIERI
“Zeniti me sulm të maskuar”
Trajneri i Juventusit, Klaudio Ranieri, mbeti i mrekulluar nga Zeniti i Shën Petërsburgut. Skuadra ruse mundi në finalen e Superkupës së Europës, Mançester Junated, fituesin e Ligës së Kampioneve. “Zeniti ka një forcë të madhe fizike, por dhe lojtarë me cilësi të mëdha. Luan një 4-3-3 të maskuar dhe ka të bërë të sajin filozofinë e lojës holandeze të Advokatit”, - tha Ranieri, që do të përballet me skuadrën ruse në fazën e grupeve të Ligës së Kampioneve. “Kur të përballemi ne do të jemi në periudhën e formës më të mirë, pasi kampionati rus ka filluar prej kohësh”.
LIPI
“Juve, ekipi më i përforcuar”
Trajneri i Italisë, Marçelo Lipi, pohoi se skuadra që është përforcuar më shumë është Juventusi, duke bërë edhe disa parashikime: “Favorite qëndrojnë të zakonshmet: Inter, Roma, Fiorentina, Juve, Milan. Interi është kampioni në fuqi, Roma është e mësuar të majë, Milanin është pa angazhime në Ligën e Kampioneve dhe mund të përfitojë, Juve është rikthyer prepotente për të bërë rolin e saj që i takon. Nga ana tjetër edhe Fiorentina ka projekt interesant”.
MILANI
Lumë tifozësh për Shevën
Andrij Shevçenko u prit në qendrën stërvitore të Milanelos nga një numër i jashtëzakonshëm tifozësh, të cilët i uruian mirëseardhjen ukrainasit. Sheva mohoi se ishte trajtuar si një princ si te Milani dhe as te Çelsi, por pohoi se ndihej sërish në shtëpi. “Nuk jam trajtuar kurrë si një prin, as këtu në Milano, - tha ai. “Në karrierën time kam pasur momente të vështira dhe i kam kaluar. Ky është një nga të tillar, por të kthehem te Milani është si të kthehem në shtëpi”.
ROMA
Spaleti thërret Menezin
Trajneri i Romës, Luçiano Spaleti, do të ketë sot edhe shërbimet e blerjes më të re të klubit, Menzit, të cilit i mbërriti edhe certifikata ndërkombëtare e transferimit. Roma do të përballet në “Olimpiko” me Napolin në javën e parë të Serisë A. “Do të jetë midis lojtarëve që do të kem në dispozicion”, - tha Spaleti. Francezi nuk do të luajë nga minuta e parë, pasi u bashkua me grupin roman vetëm të premten, duke mos pasur kohë edhe të ambientohej e të njihej me të gjitha detajet e ndeshjes.
DEL PIERO
“Jam në super formë”
Sezoni i gjashtëmbëdhjetë për Del Pieron te Juventusi: “Ndihem koma në top formë dhe kam hequr dorë së pyeturi se përse më vendosni gjithmonë në diskutim”. Mendimi i parë i numrit 10 të Juventusit lidhet me sfidën tërheqëse kundër Realit. “Kemi mbetur dy vjet jashtë dhe kanë qenë të gjatë në disa aspekte. Megjithatë, besoj se sfida kundër Realit të Madridit dhe Liga e Kampioneve është diçka që një herë ta njohësh mbetesh brenda për shumë kohë”. Në lidhje me objektivin e Botërorit: “Varet nga faktorë të ndryshëm, midis të cilëve kryesori është fusha”.
1 Shtator 2008