E Shtunë, 31 Tetor 2026

FMN-ja fal interesat e kredive për 80 vendet më të varfra deri më 2011-n



Fondi Monetar Ndërkombëtar paralajmëroi një ndihmë të pazakonshme deri tani për rreth 80 shtete më të varfra, të cilat deri në fund të vitit 2011 do të lirohen nga pagesa e interesave. Detyrimet vjetore që shtetet janë të kushtëzuara t‘i paguajnë FMN-së gjatë kësaj periudhe, prej 0.5 deri 0.25 për qind në vit do të pezullohen, tha drejtori për strategji, Reza Mogadam. Bëhet fjalë për kredi me interesa të butë, që FMN-ja jep për vendet në nevojë, ku deri dje ishte e përfshirë edhe Shqipëria, e cila në tre vitet e fundit ka marrë hua 25 milionë dollarë. Pikërisht, interesat e këtyre kredive nuk do të paguhen, të paktën deri në vitin 2011, duke synuar lehtësi për vendet e prekura nga kriza. Huat e reja për këto shtete do të mund të ngjiteshin në 17 miliardë dollarë deri në vitin 2014, prej të cilëve tetë miliardë do të paguheshin gjatë dy viteve të ardhshme. "Kjo është hera e parë në histori që FMN-ja jep hua me kamatën prej shkallës zero për më të varfrit", deklaroi drejtori kryesor i FMN-së, Dominik Shtraus Kan. FMN-ja prej vitit 2006 deri në vitin 2008, mesatarisht aprovonte një miliard dollarë për shtetet më të varfra, ndërsa tre miliardë dollarë, në fillim të vitit 2009. Ndërkaq, përmirësimi i rezultateve te tregjeve financiare është lajm i mirë, megjithatë 2009-a do të jetë vit i dobët për ekonominë botërore, ka vlerësuar drejtori Shtraus-Kan. Në intervistë për "Frans 24", ai ka thënë së dollari amerikan i ka të gjitha pikëpamjet që të mbetet valutë rezervë botërore, duke shtuar se kthimi në bonuset e majme të zyrtarëve bankarë në SHBA është "skandaloze".
Detyrimet vjetore që shtetet janë të kushtëzuara t‘i paguajnë FMN-së, prej 0.5-0.25%/vit, do të pezullohen

1 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›