E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çmimi i energjisë ndryshon, ERE cakton si afat të fundit datën 30 shtator

CEZ-i ende nuk ka bërë kërkesë zyrtare për rritje të çmimit të energjisë. Çmimet e reja të energjisë elektrike do të hyjnë në fuqi më 1 janar 2010

Ervin KOÇI

Viti 2010 do të nisë për të gjithë konsumatorët shqiptarë me një tarifë të re përsa i takon çmimit të energjisë elektrike. Megjithëse nuk dihet se sa do të shtrenjtohet realisht çmimi për kilovat/orë për çdo kategori konsumatorësh, Entit Rregullator i Energjisë vetëm sa ka konfirmuar procedurën që sipas tij do të hyjë në fuqi sapo Operatori i Shpërndarjes të bëjë kërkesën. Por deri tani, sipas zyrtarëve të ERE-s, në këtë institucion nuk ka mbërritur ende asnjë kërkesë për rritjen e çmimit për vitin e ardhshëm. Sipas ERE-s, pronari i ri i OSSH-së, kompania “CEZ”, ka afat deri më 30 shtator për përgatitjen dhe dorëzimin e kërkesës për çmimin e ri të energjisë. Drejtuesit e ERE-s bëjnë të ditur se metodologjia që do të ndiqet në shqyrtimin e kërkesës për rritjen e çmimit do të jetë e njëjtë me atë të përdorur gjatë viteve të mëparshme. Sipas tyre, nga momenti i dorëzimit të kërkesës për rritjen e çmimit, i gjithë procesi, përfshi këtu zhvillimin e seancave dëgjimore me të gjithë palët e prekura, do të mbyllet deri në mes të dhjetorit, me qëllim që tarifat e reja të energjisë të hyjnë në fuqi më 1 janar 2010.

Rritja e çmimit

Pa e përcaktuar çmimin kreu i Entit Rregullator të Energjisë, Bujar Nepravishta, rendit faktorët që ndikojnë në shtrenjtimin e energjisë, ndër to edhe qenia e OSSH-së kompani private. "Së pari duhet të kuptojmë këtë gjë, derisa bëhet furnizim pa ndërprerje me energji elektrike, natyrisht që çmimi do të jetë më i lartë sesa çmimi që ishte me një furnizim me ndërprerje. Nga ana tjetër, sasia e importit dhe koniunkturat e tregut ndërkombëtar për importin e energjisë elektrike janë sërish një faktor që ndikojnë negativisht në çmimin e energjisë elektrike. Niveli i humbjeve tani ndikon në rritjen e çmimit të energjisë elektrike”,- u shpreh kreu i ERE-s, Nepravishta. Sipas tij, “faktor tjetër që ndikon janë investimet, duke qenë një subjekt privat Operatori i Shpërndarjes do të ketë dhe një normë fitimi të caktuar, e cila natyrisht do të jetë në rendin normal, nuk mund të jetë pra më e vogël sesa interesat bankare”. Rritja shumë e lartë e çmimit të energjisë elektrike do të përfshijë të gjithë tipat e konsumatorëve. Këtë vit, duke qenë një vit elektoral, nuk pati rishikim të çmimeve. "Përcaktohet çmimi i keqgjenerimit, përcaktohet çmimi i furnizuesit publik me shumicë, i cili ia shet furnizuesit publik me pakicë, që është OSSH-ja. Nga ana tjetër përcaktohen tarifat e transmetimit dhe të shpërndarjes dhe në fund përcaktohet dhe çmimi fundor i konsumatorëve qofshin këta familjarë ose jofamiljarë", - vijoi Nepravishta.

Privatizimi

Privatizimi final i OSSH-së te kompania çeke “CEZ” u bë në prill të këtij viti. Sipas kontratës, ndër zhvillimet më të rëndësishme që do të vijnë nga privatizimi është reduktimi i humbjeve. Aktualisht, e gjithë energjia që importohet mbulon humbjet, ndërkohë që CEZ ka marrë përsipër që të ulë me 17 për qind në 5 vjet humbjet. Ndër skenarët e parashikuar është që në total çmimi i energjisë të rritet deri në 10 për qind, por kjo edhe mund të mos ndodhë nëse qeveria ndërhyn me politikat e saj. Sipas vlerësimeve të Bankës Botërore, çmimi i energjisë gjatë vitit 2010 mund të ketë rritje deri në 10 për qind. Ndryshimi pritet nga kostot e prodhimit dhe blerjet e energjisë për vitin e ardhshëm. Përfaqësuesi i BB-së në Tiranë, Demetrios Papathanasiou, i cili është përgjegjës për energjinë, është shprehur se do të ketë rritje të çmimit të energjisë. Sipas tij, konsumatorët mund të lehtësohen nga pagesat nëse qeveria heq TVSH-në nga faturat e energjisë. “Për çdo 5 lekë energji të paguar, një lek e merr shteti si taksë. Nëse do të ketë ndërhyrje në TVSH, atëherë tarifat mund të ulen, megjithëse mbetet një vendim politik, të cilin mund ta ndërmarrë vetëm qeveria”, - ka thënë përfaqësuesi i BB-së, Papathanasiou.

Humbjet e energjisë vetëm në muajin maj shkuan 31 për qind

Humbjet e energjisë elektrike në rrjet vijojnë të jenë të larta edhe për vitin 2009. Vetëm për muajin maj kjo shifër llogaritej në rreth 31 për qind, që përfaqëson një nivel të lartë të humbjeve të energjisë në rrjet. Megjithatë mbetet një tregues i konsiderueshëm për humbjet e energjisë edhe për vitin 2009. Sipas të dhënave nga INSTAT-i, por të konstatuara edhe nga Banka e Shqipërisë, për tre muajt e parë të vitit 2009, rezulton një rritje e lartë e humbjeve të energjisë në rrjet. Kjo shifër konsiderohet deri në 23.4 për qind. Një fakt i tillë del përtej të gjithë deklaratave për një miradministrim së KESH-it, edhe në drejtimin e humbjeve energjetike. Madje, kjo u përforcua edhe nga kompania “CEZ”, e cila bleu zyrtarisht OSSH-në pak ditë më parë, duke i dorëzuar qeverisë shqiptare të gjithë shumën kundrejt së cilës kjo kompani u ble. Përfaqësuesit e CEZ-it u shprehën publikisht se nga të dhënat që disponojnë në lidhje me shpërndarjen e energjisë elektrike në rrjet rezulton se humbjet e energjisë elektrike janë humbjet më të larta se çdo vend tjetër i Europës. Kështu, kompania “CEZ’ deklaroi në një farë mënyre punën e vështirë që i takon në të ardhmen për të minimizuar humbjet e shumta të energjisë elektrike.

1 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›