Shashkat e organizatës (jo)qeveritare
Deklarata e kryeministrit Berisha, pasionantit të lirisë dhe të drejtave të njeriut për legalizimin e martesave mes personave të të njëjtit seks, ka kaluar përtej caqeve të të menduarit dhe të të gjykuarit. Nisma e politikanit të “mençur” dhe “pragmatik” dalëngadalë po merr shtegtimin e ortekut, duke provokuar rëndë sensibilitetin e opinionit qytetar, moralin e shoqërisë, vlerat e moralit, por edhe duke injoruar dhe tallur standardet e të drejtave të njeriut. Hedhja në tregun politik të idesë për miratimin e një ligji kundër diskriminimit, me një shtesë që doli nga goja e kryeministrit, se kërkohet edhe ligjërimi i martesave mes personave të të njëjtit seks, po shkon përtej logjikës dhe misionit fisnik të promotorëve të të drejtave të njeriut, përshirë edhe vetë zonjës Elsa Ballauri. Fatkeqësisht, kjo lojë e ndezur me shkrepëse nga vetë kreu i qeverisë, po djeg edhe devijantët e shkretë, të cilët rrihen dhe dhunohen çdo ditë nëpër qelitë e burgjeve apo rrugët e kryeqytetit nga vartësit e vartësve të vartësve të zotit Berisha. Fatkeqësisht, kjo skemë, që u bë publikisht në ekranet e televizioneve përmes skërmitjeve të ministres që do të çojë Shqipërinë në Europë, është një tallje që bëhet në emër të besimit dhe katër komuniteteve fetare. Kjo nuk është thjesht prekja në sedrën dhe moralin e fesë, por është mosnjohje dhe mosrespektim i vlerave humane dhe njerëzore. Në asnjë vend të botës nuk mund të shkojë në parlament një ligj i tillë, pa u konsultuar apo pa marrë mendimin edhe të përfaqësuesve të komuniteteve fetare. Ftesa e zotit Berisha për ta “shqyrtuar me seriozitetin më të madh” këtë nismë nuk është asgjë tjetër, veçse shashka e radhës së tij, e cila iu bashkëngjitet nismave të tjera të këtij lloji që burojnë nga skutat irracionale të trurit të tij, si ngritja e fushave të golfit në periferi të kryeqytetit për emigrantët, heqjen e taksave për tre vjet për shqiptarët që kthehen në atdhe, “Shqipëria 1 euro”, centralet bërthamore, apo edhe skema e kafshatës. Por, në ndryshim nga të gjitha nismat e tjera, kësaj radhe “heroi” i lirisë ka luajtur me moralin e një shoqërie, dhe njëherësh me standardet e të drejtave të njeriut. Në mos qoftë kjo një nismë për të promovuar turizmin seksual në Shqipëri pas dështimit të qeverisë në garantimin e ujit dhe dritave në zonat turistike të vendit. Pa pretenduar për të bërë moralistin, apo marrë me seriozitet të madh shashkën e kryeministrit përmes këtyre radhëve, nuk mund të tolerohet tallja me një shoqëri të tërë nga personi që i qeveris ata në modelin e kulturuar të prangosjes; nuk mund të pranohet ky lloj standardi që kërkon të vendosë qeveria në detyrë me qytetarët e vet, apo aq më keq akoma, kur pritet të mandatohet për herë të dytë. Nëse në axhendën 4-vjeçare të zotit Berisha janë realisht këto prioritete, dhe jo ato që na bëjnë të vuajmë çdo ditë, le ta kthejmë apo konsiderojmë qeverinë në një organizatë joqeveritare që të luftojë për mbrojtjen e të drejtave të personave të diskriminuar.
1 Gusht 2009