E Diel, 1 Nëntor 2026

Komuniteti Mysliman: Nisma qytetare për bllokimin e martesave mes homoseksualëve

Sajmir Rusheku: “Martesat mes homoseksualëve, stereotip i rrezikshëm për rininë”

TIRANË – Nisma e paralajmëruar e kryeministrit Berisha për ligjërimin e martesave mes personave të së njëjtës gjini duket se do të hasë në një rezistencë të fortë të lëvizjes qytetare dhe komuniteteve fetare. Sinjalin e kanë dhënë përfaqësuesit e komunitetit më të madh fetar në vend. Nënkryetari i Komunitetit Mysliman Shqiptar, Sajmir Rusheku, tha se “bashkësia myslimane, në bashkëpunim dhe me komunitetet e tjera fetare, do të ndërmarrë nismë sensibilizuese në opinionin publik që të parandalojë miratimin e këtij projektligji”. Zyrtarisht, përfaqësuesit e fesë islame në Shqipëri kanë dalë dje hapur kundër nismës ligjore të shoqërisë civile, e cila u kundërshtua edhe nga përfaqësuesit e fesë katolike, ortodokse, bektashiane apo edhe parti të tilla si PDK-ja.
Stereotip i rrezikshëm për rininë
Komuniteti Mysliman, nëpërmjet një deklarate publike, shprehet bindshëm kundër nismës ligjore për legalizimin e martesës mes personave të të njëjtit seks. Katër ditë më parë kryeministri Berisha hodhi idenë e ligjërimit të martesave mes homoseksualëve gjatë mbledhjes së Këshillit Ndërministror të Integrimit. Në një prononcim për shtyp, nënkryetari i këtij komuniteti, Sajmir Rusheku, tha se ky projektligj do të përbënte shkelje të rëndë të moralit dhe do të shkaktonte stereotip të rrezikshëm për edukimin e të rinjve shqiptarë. “Në këndvështrimin e etikës islame, miratimi i këtij projektligji do të përbënte një shkelje të rëndë të normave dhe principeve të moralit njerëzor”, - tha sot Rusheku. Nënkryetari i Komunitetit tha se ky standard nuk është kushtëzues për anëtarësimin e Shqipërisë në BE dhe se Shqipëria ka më shumë çështje të tjera prioritare se ky projektligj. “Ne mendojmë se kjo nuk përbën, absolutisht, një kusht apo standard kushtëzues, por një rekomandim fakultativ të paraqitur nga KE-ja”, - theksoi Rusheku. Ai paralajmëroi se Komuniteti Mysliman, në bashkëpunim dhe me bashkësitë e tjera fetare, do të ndërmarrë nismë sensibilizuese në opinionin publik që të parandalojë miratimin e këtij projektligji.
Reagimet ndaj projektligjit
Kundër ligjit për legalizimin e martesës së homoseksualëve janë shprehur dhe dy komunitetet e tjera fetare, ajo katolike dhe ortodokse. Ato kanë dalë në mbrojtje të vlerave të familjes dhe të shenjtërisë së saj. Nisma ligjore e propozuar nga Forumi për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut Kundër Diskriminimit nuk thotë në mënyrë të qartë se kërkohet ligjërimi i martesave mes personave të së njëjtës gjini. Por, Aleanca Kundër Diskriminimit, organizatë në mbrojtje të gejve, homoseksualëve apo biseksualëve, e ka mbështetur propozimin e zotit Berisha dhe e ka konsideruar një hap të rëndësishëm për emancipimin e shoqërisë shqiptare. Deri tani, e vetmja parti që ka dalë kundër nismës së paralajmëruar të zotit Berisha ka qenë Partia Demokristiane, e cila e ka konsideruar këtë hap një tallje të qytetarëve shqiptarë. Drafti i propozuar pritet të kalojë në Parlament, por ideatorët e tij thonë se nuk kanë kërkuar legalizimin e martesave mes personave të të njëjtit seks, por thjesht vendosjen e standardeve në mbrojtje të komuniteteve të diskriminuara, duke respektuar konventat e Këshillit të Europës për të drejtat e njeriut.

Deklarata e plotë e kryeministrit Berisha për ligjërimin e martesave brenda gjinisë

“... Një ligj tjetër është shumë i rëndësishëm kundër diskriminimit. Ky ligj është ofruar nga shoqëria civile dhe ka të bëjë me të drejtat e pakicave të qëndrimeve të caktuara. Këtë ligj e ka përgatitur shoqëria civile. Duhet të shihet se cilat do të jenë qëndrimet dhe sa do të mund të favorizohen ato. Unë mendoj se pavarësisht nga debati që mund të ngjallë ky ligj, diskriminimi është i papranueshëm. Ky ligj ka të bëjë me të drejtat e martesave brenda gjinisë dhe probleme të tjera të kësaj natyre. Kjo synon thjesht vendosjen mbi baza ligjore dhe jo diskriminuese, të një të drejte, tashmë tërësisht të ligjëruar në vendet evropiane. Ky ligj është në Parlament dhe duhet të shqyrtohet me seriozitetin më të madh, pasi është një standard që gjykoj se zhduk një lloj diskriminimi. Këtu nuk ka një qëndrim armiqësor ndaj këtyre pakicave. Fatmirësisht, nuk ka një qëndrim armiqësor mediatik dhe kjo është një arritje e vërtetë. Ky është një standard që ka të bëjë qartësisht me të drejtat e njeriut dhe që ka mbështetje në konventat në të cilat aderon dhe është e detyruar t’i respektojë. Vërtet që ne nuk i ndalojmë këto martesa, por këto nuk ndodhin sepse është opinioni. Më mirë të veprojë ligji, siç veprohet me të gjitha përkujdesjet për të zhdukur diskriminimin....”.

Marrë nga njoftimi zyrtar në faqen e Këshillit të Ministrave

Ligji “Berisha” për martesat e homoseksualëve lë pa mend mediat e gjithë botës

Deklarata e kryeministrit Berisha për ligjërimin e martesave mes personave të të njëjtit seks është përhapur me shpejtësi në mediat e botës, duke “rrëmbyer” audiencë të madhe, ndoshta sa edhe ngjarja tragjike e ndodhur në Gërdec më 15 mars të vitit 2008. Brenda më pak se 48 orësh janë shkruar apo rimarrë në mediat e gjithë globit më shumë se 290 informacione, të cilat u janë drejtuar popullsive dhe kategorive të ndryshme në shumë gjuhë. Gjatë dy ditëve të fundit shtypi britanik i ka kushtuar një vend të veçantë dhe faqen e parë në disa raste, “draftit Berisha për martesat homoseksuale”. Kjo deklaratë, shkruan “Financial Times”, që citon Reuters, e ka habitur shoqërinë maskiliste dhe thekson se “kjo lëvizje është e para në Ballkan”. Prestigjiozja ekonomike citon se udhëheqësit myslimanë dhe katolikë e dënuan këtë ligj të propozuar. Kurse “The Times” shkruan se kryeministri Berisha ka thënë se me gjithë debatin që mund të provokojë, diskriminimi është i papranueshëm. E përditshmja thekson mungesën e tolerancës në Ballkan përsa i takon homoseksualizmit dhe njofton se të enjten, grupet serbe i bënë thirrje policisë që merrte masa ndaj sloganeve anti-homoseksuale që u panë nëpër mure përpara një evenimenti për homoseksualët. Agjencia britanike e lajmeve “Reuters”, thotë se me ligjin që prezantoi, Sali Berisha i çuditi më shumë nga të gjithë organizatat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Agjencia franceze e lajmeve “AFP” thotë se me 74 ndër 140 vota që duhen në Parlamentin shqiptar, “Berisha e ka në xhep fitoren për kalimin e ligjit”. “Setimes” nënvizon se “Shqipëria po merr masa drastike, siç është lejimi i martesave gej, për hir të heqjes së vizave me vendet e BE-së. Edhe mediat greke i kanë kushtuar rëndësi lajmit që përcolli Berisha. “Ta Nea” shkruan se Berisha propozoi një ligj për martesat gej që ngjalli reagime të forta nga myslimanët e kristianët në vend. Gazeta më të madhe në Greqi shkruan se lajmi ishte një surprizë në një prej dy vendeve në Europë që kanë shumicë myslimane.
Sakaq, agjencia greke e lajmeve “ANA”, thotë se Berisha ka publikuar një draft, i cili në të vërtetë, sipas vetë OJF-ve, nuk përfshinte një nen për martesat gej, por vetëm për luftën ndaj diskriminimit të personave që konsiderohen minoritete për shkak të jetës së ndryshme seksuale që bëjnë. E përditshmja tjetër, “Ethnos”, shkruan se Berisha ka si synim të fusë në Shqipëri ligjin për martesat gej, kurse vlerëson se një gjë e tillë mund të sjellë dyndje të shtetasve grekë gay, të cilët të zgjedhin Shqipërinë si vendin më të afërt ku mund të martohen. Një parashikim i tillë duket se është bërë edhe nga mediat italiane, të cilat kanë lajmëruar se së shpejti pritet të zbarkojnë në brigjet shqiptare (qoftë edhe në mënyrë klandestine) grupe të organizuara homoseksualësh apo biseksualësh, në kërkim të “parajsës së seksit”.

1 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›