Metalurgjiku na vrau djalin

ELBASAN - Familja Sejati me banim në Bradashesh të Elbasanit, akuzon Kombinatin Metalurgjik si shkaktar të vdekjes nga kanceri të djalit të tyre Florald Sejati, 8 vjeç. Floraldi gëzonte shëndet të mirë, por befas një ditë ndjeu dhimbje në bark dhe u diagnostikua me tumor. Patologjia tronditi pa masë familjen, e cila nuk kurseu asgjë për t’i shpëtuar jetën djalit. E ëma e vogëlushit, Rozeta Sejati, tregon se Floraldi ishte një fëmijë i gëzuar, që shkonte me dëshirë në shkollë. “Ai ishte mjaft i lumtur kur bashkohej me shokët. Nuk kishte asnjë shqetësim më parë”, thotë ajo. Sipas saj, sëmundja iu shfaq sapo ai nisi klasën e dytë. “Në fillim u ankua për dhimbje në bark, por me shumë shpejtësi barku iu fry tej mase. Mjekët na thanë se kishte kancer. Bëmë të pamundurën për t’i shpëtuar jetën. Çdo muaj merrnim ilaçe të shtrenjta në Greqi për t’i bërë ciklin. Por nuk mundi të shpëtonte”, shton me pikëllim Rozeta, e cila dyshon se djali i saj u sëmur nga metalurgjiku. “Mjekët na thanë se vdekja dyshohet të jetë shfaqur nga ndotja e kombinatit metalurgjik. Ne jemi shumë afër zonës industriale dhe ushqehemi çdo ditë duke thithur tymin dhe pluhurin kancerogjen. Kam edhe dy djem të tjerë dhe më ka zënë paniku. I lutemi shtetit që të marrë masa, pasi ajo që më ra mua, të mos u bjerë familjeve të tjera.
Edhe kunata e saj, Manushaqe Sejati, pohon se Floraldi vdiq për shkak të metalurgjikut. “Ne jemi të bindur se djali na iku për shkak të Metalurgjikut. Edhe mjekët ashtu na thanë. Sëmundja mund të jetë provokuar nga ndotja ose nga rrezatimi i nënstacionit elektrik. Këtu tek ne është ndotur toka, uji dhe ajri”, thotë ajo, ndërsa shton se drithërat, perimet, frutat, foragjeret dhe gjithçka tjetër është e ngarkuar me pluhur toksik. Sipas saj, mushkëritë u janë mbushur me pluhur helmues, ashtu sikurse edhe nipi që tanimë ka ndërruar jetë. Familja Sejati zbulon edhe një fakt tronditës për fshatin Bradashesh. Ata shprehen se brenda këtij viti në këtë lagje kanë vdekur katër persona nga kanceri, ndërsa dy banorë të tjerë janë në agoni. Sipas statistikave që zotëron komuna Bradashesh, në këtë njësi janë regjistruar 235 lindje me defekte gjenetike. Banorët e Bradasheshit kërkojnë ndihmën e shtetit për ndaljen e ndotjes. Gjithashtu, ata kanë kërkuar vendosjen e një aparature në qendrën shëndetësore të komunës, për të kryer kontrollin e shëndetit.