2010-a, një tjetër vit me rritje rekord të pagave e pensioneve

Komiteti i Planifikimit të Strategjive ka miratuar objektivat e buxhetit të 2010-s, paraqitur nga kryeministri Berisha, të cilat planifikojnë një rritje të re pagash e pensionesh, por edhe një nivel rekord investimesh, kryesisht në shtrimin e 7 mijë kilometrave rrugë. Rruga e Arbrit, aksi Tiranë-Elbasan si dhe Boshti i Jugut, prioritetet e buxhetit të 2010-s
Shefi i ekzekutivit vlerëson vitin 2009, si viti i arritjeve të mëdha në ekonominë shqiptare. Gjatë diskutimit të projektbuxhetit të vitit të ardhshëm në komitetin e planifikimit të strategjive, kryeministri është ndalur në një performancë të të gjitha sukseseve të qeverisë në fushën makro-ekonomike. Komiteti i Planifikimit të Strategjive shqyrtoi projektbuxhetin e shtetit për vitin 2010- të, përpara se ky projektbuxhet të kalojë për miratim në Këshillin e Ministrave dhe në Parlament. Kryeministri Berisha shtoi se vitit 2009 ishte një sukses ekonomik më vete për Shqipërinë e cila ndryshe nga vendet e tjera jo vetëm që nuk e njohu krizën ekonomike, por mundi të shënojë sërish një rritje e cila në bazë të llogarive zyrtare rezulton 5.3 për qind. “Përveç fitores elektorale kemi 1 mijë arsye për të falënderuar 2009. Ky vit shënoi rritje të të ardhurave buxhetore në një kohë që i gjithë rajoni dhe bota u përfshi nga kriza”, u shpreh kryeministri. Berisha ka vlerësuar përballimin që i bënë financat shqiptare krizës ekonomike globale, duke mos harruar të nënvizojë meritat e Bankës së Shqipërisë në menaxhimin me sukses të situatës së krijuar nga forcimi i euros në të gjithë Evropën. “Në këtë vit financat e vendit dhe ekonomia në tërësi përballuan në mënyrën më të mirë, më mirë se të gjitha financat dhe ekonomitë e rajonit, krizën më të madhe që Evropa dhe bota kanë njohur që nga vitet ’30-të e deri në ditët e sotme. Ky vit jo vetëm që nuk u karakterizua nga rënia e të ardhurave duke u krahasuar me vitin 2009, jo vetëm që nuk imponoi zvogëlim të madh të rrogave dhe pensioneve, siç po ndodh dhe po vazhdon në vendet përreth në masën nga 8 deri në 20 për qind, por e kundërta është e vërtetë. Ky vit shënoi rritjen më të madhe të pagave në historinë e vendit; shënoi rritjen e të ardhurave buxhetore me rreth 8 për qind krahasuar me vitin e kaluar; shënoi rritje të madhe të investimeve të huaja, sipas Bankës së Shqipërisë, 59 për qind; shënoi investimet më të mëdha në historinë e vendit në infrastrukturë dhe në të gjitha fushat e punëve publike. Pra, përveç fitores së zgjedhjeve, ne kemi një mijë e një arsye të falënderojmë vitin 2009 – të për treguesit e tij ekonomik dhe financiarë, si dhe të falënderojmë administratën shqiptare, e cila me përgjegjësi dhe me kompetencë ia doli të menaxhojë në një mënyrë realisht të suksesshme buxhetin e vendit”, deklaroi kryeministri. Kryeministri lajmëroi gjithashtu se në 2010-n do të ketë rritje të mëtejshme të pagave të buxhetorëve dhe pensioneve. Ndërsa ka kërkuar nga njerëzit e financave siç i ka quajtur ai hartuesit e projektbuxhetit vëmendje të veçantë për rritjen e nivelit të pagave për gjyqtarët e në mënyrë të veçantë ata të gjykatës së faktit. “Si nivel rrogat e gjyqtarit të faktit janë të ulëta, prapë. Ne nuk marrim dot përsipër të ndryshojmë ligjin derisa opozita të hyjë në parlament për të bërë 84 vota, por qeveria do të gjejë mënyra të tjera, nëpërmjet bonuseve të caktuara në mënyrë që gjykatësve të faktit t’u rrisim të ardhurat”, tha Berisha. Duke folur për projektbuxhetin e 2010 kryeministri ka deklaruar se kjo mazhorancë do të ketë si synim konsolidimin e stabilitetit makroekonomik. Sipas Berishës prioritetet e portofolit shtetëror do të vazhdojnë të mbeten investimet, kryesisht ato në infrastrukturë dhe punët publike. Ai ka përsëritur premtimin për shtrimin e 7 mijë km rrugë në 4 vitet e ardhshme të qeverisjes, ku projektet që do të shohin dritën e realizimit janë Rruga e Arbrit, Boshti i Jugut dhe rruga e re me tunel që do të lidhë kryeqytetin me Elbasanin.
...