E Enjte, 5 Nëntor 2026

FOKUS – A do e bojkotojnë ministrat e Jashtëm takimin e Budapestit pas ‘udhëtimeve të egos’ së Orbanit?

BRUKSEL, 22 korrik /ATSH-DPA/ – Ministrat e Jashtëm të BE-së ishin të kujdesshëm sot në lidhje me një bojkot të një takimi të ardhshëm në Budapest, pavarësisht zemërimit të përhapur ndaj “misionit të paqes” të vetëshpallur të kryeministrit hungarez Viktor Orbán në Moskë për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.

Diplomatët e BE-së filluan të diskutojnë një bojkot pas rritjes diplomatike të Orbanit që përfshinte vizita te presidenti rus Vladimir Putin, presidenti kinez Xi Jinping dhe kandidati për president të SHBA-së, Donald Trump.

“Udhëtimet e egos së ditëve të fundit kanë shkaktuar acarim të madh”, deklaroi ministrja e Jashtme gjermane Annalena Baerbock në Bruksel teksa mbërriti në një takim të homologëve të saj të BE-së.

Baerbock theksoi se ”bojkoti i mundshëm i takon kryediplomatit të BE-së Josep Borrell ndërsa ai organizon takimet e ministrave të jashtëm të BE-së, por nuk tha nëse e mbështet idenë”.

Gymnich, një takim jozyrtar i ministrave të jashtëm të BE-së, diskuton çështje të gjera politike dhe do të zhvillohet në Budapest në gusht nën presidencën e rradhës të BE.

Ideja e bojkotit përfshinte mbajtjen e një takimi të ministrave të jashtëm në Bruksel në të njëjtën kohë në gusht.

Ministri i Jashtëm i Luksemburgut Xavier Bettel megjithatë kritikoi planin dhe tha se ministrat e jashtëm të BE-së do të përfundonin në një lojë “mace e miu” me Budapestin, duke kërkuar arsye për të mos marrë pjesë.

“Kjo është arsyeja pse unë do të preferoja që ne të shkonim atje dhe t’i tregonim njëri-tjetrit sinqerisht: në fytyrë, pa celularë, pa punonjës, çfarë mendojmë për njëri-tjetrin”, tha ai.

Ministri i Jashtëm spanjoll José Manuel Albares theksoi se ”as Spanja nuk është në favor të bojkotit”.

Albares shtoi se “nuk mund të ketë bojkot brenda Bashkimit Evropian”.

Ministrja e Jashtme sllovene Tanja Fajon tha se ”Sllovenia gjithashtu nuk është në favor, nëse nuk ka një vendim kolektiv të BE-së”.

Para takimit në Bruksel, Borrell tha se do të merrte parasysh mendimin e ministrave të Jashtëm të Bashkimit Evropian përpara se të merrte një vendim për Budapestin. /os/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›