FOKUS – BE dhe Roma bashkojnë forcat kundër tarifave amerikane për makaronat italiane

BRUKSEL, 6 tetor /ATSH-ANSA/ – Komisioni Evropian ka reaguar pas tarifave të njoftuara nga presidenti amerikan Donald Trump mbi prodhimet e makaronave italiane.
”Komisioni Evropian është në koordinim të ngushtë me qeverinë italiane. Ai po bashkëpunon gjithashtu edhe me Shtetet e Bashkuara në hetimin antidumping të nisur nga Uashingtoni për të vendosur tarifa mbi makaronat dhe do të ndërhyjë nëse është e nevojshme”, deklaroi Olof Gill, zëdhënës i ekzekutivit të BE-së për tregtinë.
Lufta e tarifimeve e nisur nga presidenti amerikan Donald Trump ka përfshirë edhe sektorin e prodhimit të makaronave italiane.
Tarifës aktuale prej 15% që SHBA aplikon mbi to, pritet t’i shtohet një tjetër prej 91,74% duke filluar nga janari, duke e çuar tarifimin e tyre në gati 107%.
Çdo vit, Departamenti i Tregtisë i SHBA-së kryen një audit të importeve të makaronave nga Italia me kërkesë të të ashtuquajturve ”peticionerë” (”ankues”).
Në këtë rast, auditimi fillon me raportet nga kompanitë konkurruese amerikane, shumë prej të cilave kontrollohen nga grupet italiane.
Për të kryer auditimin, departamenti zgjedh vetëm dy kompani (të anketuar të detyrueshëm) për t’iu nënshtruar një shqyrtimi gjithëpërfshirës të të dhënave të tyre të shitjeve dhe kostos.
Në këtë rast, u ekzaminuan markat ”La Molisana” dhe ”Garofalo”./ /os/