FOKUS – Danimarka dërgon trupa në Ukrainë për trajnim

KOPENHAGË, 16 prill /ATSH-DPA/ – Danimarka, anëtare e NATO-s, planifikon të dërgojë ushtarë të paarmatosur për t’u trajnuar në Ukrainë, tha sot kreu i ushtrisë daneze, Peter Boysen, për transmetuesin TV 2.
Ai tha se ushtarët danezë duhet të mësojnë nga personeli ushtarak ukrainas, veçanërisht nga përvojat e tyre në luftën me dronë.
Boysen tha për TV 2 se ushtarët danezë do të qëndrojnë larg vijave të frontit dhe ka të ngjarë të vendosen në qendrat e trajnimit në Ukrainën perëndimore.
”Trajnimi mund të fillojë që në verë”, tha ai.
”Ministri danez i Mbrojtjes, Troels Lund Poulsen nuk pranoi të komentojë mbi planet, duke thënë se çështja bie nën juridiksionin e ushtrisë”, njoftoi agjencia daneze e lajmeve, Ritzau.
Planet e trajnimit kanë shkaktuar pakënaqësi në ambasadën ruse në Kopenhagë.
Në një deklaratë me shkrim për TV 2, ambasadori i Rusisë në Danimarkë, Vladimir Barbin, tha se trajnimi i ushtarëve danezë në Ukrainë do ta “tërhiqte Danimarkën më thellë në konflikt” dhe “do të provokonte një përshkallëzim të mëtejshëm të pakontrolluar”.
Barbin tha më tej se vendimi “rrezikon jetën e ushtarëve danezë”, pasi të gjitha objektet ushtarake në Ukrainë, duke përfshirë qendrat e trajnimit dhe edukimit në perëndim të vendit, janë “objektiva legjitime” për ushtrinë ruse.
Danimarka, një anëtare themeluese e NATO-s, ka qenë një nga mbështetëset më të forta të Ukrainës që kur Rusia nisi luftën, më shumë se tre vjet më parë./ /b.n/