PEKIN – Kina nuk i frikësohet një lufte tregtare me SHBA-në

PEKIN, 16 prill /ATSH/ – Kina paralajmëroi sot se “nuk kishte frikë” për t’u përballur me një luftë tregtare me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe përsëriti thirrjet për dialog, pasi presidenti i SHBA-së, Donald Trump tha se i takonte Pekinit të ulej në tryezën e bisedimeve, sipas CNA.
“Nëse SHBA-ja vërtet dëshiron ta zgjidhë çështjen përmes dialogut dhe negociatave, duhet të ndalojë ushtrimin e presionit ekstrem, të ndalojë kërcënimet dhe shantazhet dhe të bisedojë me Kinën mbi bazën e barazisë, respektit dhe përfitimit reciprok”, tha zëdhënësi i ministrisë së Jashtme, Lin Jian.
Trump, fillimisht vendosi tarifa për importet nga Kina për rolin e saj të supozuar në zinxhirin e furnizimit me fentanil – dhe së fundmi i rriti taksat mbi praktikat tregtare që Uashingtoni i konsideron të padrejta.
Këtë vit, Trump ka vendosur një tarifë shtesë prej 145% për shumë mallra nga Kina.
Kjo përfshinte 20% ndaj fentanilit dhe droga të tjera të paligjshme, si dhe 125% ndaj praktikave tregtare.
Administrata e Trump, megjithatë, ka dhënë një afat të përkohshëm për produkte të caktuara teknologjike – si telefonat inteligjentë dhe laptopët – nga taksa e fundit.
Presidenti amerikan tha dje se “i takon Kinës të vendosë”.
“Kina duhet të bëjë një marrëveshje me ne”, sipas një deklarate të sekretares amerikane për shtypin, Karoline Leavitt.
Pekini u përgjigj sot duke thënë se ishte SHBA-ja që e kishte nisur këtë luftë tarifore.
“Pozicioni i Kinës ka qenë shumë i qartë. Nuk ka asnjë fitues në një luftë tarifash apo në një luftë tregtare”, tha Lin.
“Kina nuk dëshiron të luftojë, por nuk ka frikë të luftojë”, tha ai.//a.i/