BRUKSEL – Komisioni Evropian nxjerr listën e propozuar të vendeve të sigurta të origjinës

BRUKSEL, 16 prill /ATSH-DPA/ – Komisioni Evropian ka propozuar krijimin e një liste në mbarë BE-në të vendeve të sigurta të origjinës për të përshpejtuar procedurat e azilit në të gjithë Bashkimin Evropian.
Të mërkurën, komisioni njoftoi se kërkesat për azil nga shtetas të Kosovës, Bangladeshit, Kolumbisë, Egjiptit, Indisë, Marokut dhe Tunizisë do të shqyrtohen më shpejt.
Propozimi ende kërkon miratim nga Parlamenti Evropian dhe nga vendet anëtare të BE-së.
Sipas planit të ri, shtetet anëtare do të lejohen gjithashtu të përcaktojnë vendet e origjinës si të sigurta më herët në procesin e azilit nga sa lejohet aktualisht.
Kjo do të mundësonte përdorimin e procedurave të shpejta ose procedurave kufitare për aplikantët nga këto vende.
Komisioni e parashikon këtë opsion në rastet kur shkalla mesatare e njohjes për aplikimet për azil nga një vend i caktuar është 20% ose më e ulët.
Shumë vende anëtare të BE-së tashmë mbajnë listat e tyre kombëtare të vendeve të sigurta të origjinës.
Kriteret për përcaktimin e vendeve të sigurta të origjinës janë aktualisht objekt i procedimit në Gjykatën Evropiane të Drejtësisë, me një vendim që pritet në muajt në vijim.
Ndërsa një listë në mbarë BE-në mund të standardizojë më tej procedurat, kjo nuk do të thotë automatikisht më shumë dëbime.
Megjithatë, kjo mund të çojë në afate më të shkurtra për apelime dhe veprime pasuese pasi një kërkesë për azil refuzohet, duke përshpejtuar kështu përpunimin e çështjeve për aplikantët nga vendet e listuara.
Komisioni njoftoi gjithashtu se përjashtimet duhet të jenë të mundshme për vendet e shpallura të sigurta – për shembull, për migrantët nga grupe të caktuara shoqërore ose rajone që mund të përballen ende me persekutim.
Komisioni deklaroi gjithashtu se vendet kandidate për anëtarësim në BE plotësojnë gjithashtu kriteret për t’u përcaktuar si vende të sigurta të origjinës. Megjithatë, përjashtime mund të zbatohen ende në raste individuale.
Shtetet anëtare të BE-së i kanë kërkuar vazhdimisht komisionit të paraqesë një listë të vendeve anëtare të sigurta.
Që në vitin 2023, liderët e BE-së u shprehën në favor të përdorimit më të madh të konceptit të vendeve të sigurta të origjinës për të përshpejtuar procedurat e azilit.
Megjithatë, kritikët paralajmërojnë se situata e sigurisë në disa nga vendet në fjalë mund të mos jetë shqyrtuar mjaftueshëm./ a.jor.