FOKUS – Gjermania: G20-a mbetet e rëndësishme edhe pa presidentët Trump dhe Xi

BERLIN, 14 nëntor /ATSH-DPA/ – Kancelari gjerman, Friedrich Merz do të marrë pjesë në samitin e G20-s në Afrikën e Jugut, pavarësisht anulimeve nga disa prej liderëve të tjerë botërorë, konfirmoi sot një zëdhënës i qeverisë.
”’Ky format, i cili mbledh ekonomitë kryesore të industrializuara dhe ato në zhvillim, mbetet një forum i rëndësishëm multilateral për koordinim për Gjermaninë”, tha zëdhënësi Steffen Meyer.
Komentet vijnë para samitit të G20-s në Johanesburg javën e ardhshme, në të cilin nuk do të marrin pjesë presidentët e Shteteve të Bashkuara, Kinës dhe Rusisë.
Qeveria gjermane synon të ruajë G20-n si një format për reagim ndaj krizave dhe të punojë për zgjidhje të përbashkëta globale, për shembull në fushën e bashkëpunimit ekonomik.
”Kjo është veçanërisht e dobishme në kohë si këto, kur samiti i G20-s po zhvillohet në një mjedis ndërkombëtar shumë të vështirë”, tha Meyer.
Merz pritet gjithashtu të zhvillojë takime dypalëshe dhe do të shoqërohet nga ministri i Financave, Lars Klingbeil, i cili shërben edhe si zëvendëskancelar.
Pas Trump dhe Xi, edhe presidenti rus Vladimir Putin anuloi pjesëmarrjen në samitin e G20-s duke bërë kështu që, për herë të parë që nga themelimi i grupit, presidentët e tre fuqive më të mëdha anëtare të mos jenë të pranishëm.
Sipas Meyer, Merz do të marrë pjesë edhe në samitin mes BE-së dhe Bashkimit Afrikan, më 24 nëntor në kryeqytetin angolez, Luanda./ /Ad.Ab./