E Diel, 1 Nëntor 2026

GJENEVË – OKB: Mbi 260 sulme ndaj palestinezëve në Bregun Perëndimor gjatë tetorit

GJENEVË, 14 nëntor /ATSH-DPA/ – Agjencia e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut dënoi sot atë që ajo e quajti rritje të sulmeve nga kolonët radikalë izraelitë ndaj objekteve dhe shtëpive palestineze në Bregun Perëndimor të pushtuar.

Një zëdhënës i Zyrës së Komisionerit të Lartë të OKB-së për të Drejtat e Njeriut (OHCHR) në Gjenevë tha se po shfaqej një model dhune në rritje ndaj palestinezëve.

Disa persona janë plagosur në këto sulme.

Mbi 260 sulme janë regjistruar gjatë tetorit, më shumë se në çdo muaj tjetër që nga viti 2006.

Autoritetet izraelite kanë shtuar aktivitetet e tyre, duke shkatërruar shtëpi, konfiskuar prona dhe duke kufizuar gjithnjë e më shumë lëvizjen e palestinezëve, ndërsa vendbanimet po zgjerohen dhe mijëra palestinezë po zhvendosen nga kolonët dhe ushtria.

Sipas juridiksionit ndërkombëtar, Bregu Perëndimor, njësoj si Rripi i Gazës, konsiderohet territor i pushtuar nga Izraeli.

Izraeli i kundërshton rregullisht akuzat e Zyrës së të Drejtave të Njeriut të OKB-së dhe e akuzon atë për anshmëri kundër Izraelit.

“Zhvendosja e përhershme e popullsisë palestineze brenda territorit të pushtuar përbën transferim të paligjshëm, që është krim lufte. Transferimi nga Izraeli i pjesëve të popullsisë së tij civile në territorin që pushton gjithashtu përbën krim lufte”, tha OHCHR –ja në një deklaratë të publikuar sot.

Që nga sulmet e rënda terroriste nga Rripi i Gazës mbi Izraelin më 7 tetor 2023, 1 017 palestinezë janë vrarë në Bregun Perëndimor, përfshirë Jerusalemin Lindor, gjatë operacioneve të forcave të sigurisë izraelite dhe sulmeve të kolonëve./   /Ad.Ab./

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›