E Enjte, 5 Nëntor 2026

FOKUS – Izraeli zotohet të godasë Hezbollahun me ‘forcë të plotë’ ndërsa thirrjet për armëpushim refuzohen

BEJRUT, 27 shtator /ATSH-DPA/- Luftimet midis Izraelit dhe milicisë libaneze të Hezbollahut vazhduan të enjten, me qindra të vrarë dhe dhjetëra mijëra njerëz të zhvendosur në Liban që kur Izraeli filloi bombardimet e tij masive katër ditë më parë.

Pas disa muajsh luftimesh ndërkufitare midis forcave izraelite dhe milicisë së mbështetur nga Irani, e cila thotë se vepron në solidaritet me Hamasin në Gazë – Izraeli nisi të hënën një fushatë ajrore intensive për të goditur objektivat e Hezbollahut.

Rajoni tani ndodhet në prag të një luftë të gjithanshme. Përpjekjet ndërkombëtare vazhdojnë ende – për të negociuar një armëpushim – por kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu hodhi poshtë dje pretendimet – se ai kishte rënë dakord për një plan të tillë – duke u zotuar se do të vazhdonte të godiste Hezbollahun me “fuqi të plotë”.

“Të paktën 92 persona u vranë dhe mbi 150 të tjerë u plagosën dje në Liban nga sulmet izraelite”, tha Ministria libaneze e Shëndetësisë.

“Mbi 600 persona janë vrarë këtë javë”, sipas autoriteteve libaneze. Mes tyre janë më shumë se 100 refugjatë sirianë, sipas aktivistëve të të drejtave të njeriut.

“Një total prej 70 100 personash të zhvendosur janë aktualisht të regjistruar në 533 qendra emergjente”, tha ministri i Brendshëm libanez, Bassam Mawlawi.

Ministri izraelit i Mbrojtjes, Yoav Gallant tha se sulmet do të vazhdonin pavarësisht thirrjeve për armëpushim – dhe se ai kishte miratuar grupin e ardhshëm të operacioneve.

“Ne vazhdojmë të eliminojmë terroristët e Hezbollahut, të çmontojmë infrastrukturën sulmuese dhe të shkatërrojmë raketa” postoi ai në X. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›