E Premte, 6 Nëntor 2026

FOKUS – Kryeministri i Sllovakisë Fico në rrezik për jetën pas një atentati

TIRANË, 15 maj /ATSH/- Kryeministri i Sllovakisë Robert Fico, i cili ndodhet në spital, është në rrezik për jetën pasi u qëllua disa herë në një atentat, sipas CNN.

Sulmi ndodhi pas një takimi të qeverisë në Handlova. Fico fillimisht u transportua në një spital lokal dhe më pas u dërgua me helikopter në një qendër të madhe të traumës në Banska Bystrica, rreth 30 kilometra larg.

Pamjet nga vendi i ngjarjes tregojnë kryeministrin e plagosur duke u futur në një automjet nga disa punonjës të tij, ndërsa makina largohet me shpejtësi nga vendi i ngjarjes sapo ai futet brenda.

“Ka pasur një atentat ndaj R. Ficos. Ai u qëllua disa herë dhe aktualisht ndodhet në rrezik për jetën. Orët e ardhshme do të jenë vendimtare”, thuhet në një deklaratë në faqen zyrtare të Ficos në Facebook.

“Askush tjetër nuk u plagos gjatë sulmit”, sipas ministrit sllovak të Punës dhe Çështjeve Sociale, Erik Tomáš.

Në deklaratën zyrtare thuhet se kryeministri u dërgua në Banska Bystrica në Bratislavë, sepse ishte e nevojshme “një ndërhyrje akute”.

Handlova është rreth dy orë me makinë nga kryeqyteti Bratislavë.

Presidentja sllovake Zuzana Čaputová tha se i armatosuri i dyshuar ishte arrestuar nga policia.

Ajo tha se agjencitë e zbatimit të ligjit do të japin më shumë informacion kur të kenë mundësi duke i kërkuar publikut të mos përhapë thashetheme të pakonfirmuara. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›