PORTRET – Robert Fico, kryeministri sllovak i afërt me Orban

ROMË, 15 maj /ATSH-ANSA/ – Robert Fico, kryeministri sllovak, i cili mbeti viktimë e një sulmi të rëndë me armë sot, është kthyer në krye të vendit për më pak se një vit, që kur mori mandatin e tij të katërt në tetor 2023 me partinë e tij të majtë populiste Smer DS, e cila mposhti konkurrencën nga progresistët, duke fituar 23% në zgjedhje, përpara liberalëve-progresistë pro BE-së (PS).
Pas një debutimi në politikë me një matricë fort pro evropiane (me të Sllovakia hyri në zonën euro), 60-vjeçari Fico – i lindur në shtator të vitit 1964 në atë që ishte Çekosllovakia e atëhershme – gjatë karrierës së tij politike është kthyer gradualisht drejt nacionalistëve.
Duke u bërë një ”gjemb në këmbë” për Evropën, Fico, në fushatën e fundit sulmoi disa herë Brukselin për mbështetjen e tij për Kievin, por edhe për sanksionet ndaj Moskës.
Dhe ai gjithmonë ka kundërshtuar anëtarësimin e Ukrainës në Aleancën Atlantike, duke përfaqësuar së bashku me Hungarinë e Orbanit një pengesë të mundshme për vendimet me një shumicë prej 27 vendesh anëtare.
Partia e tij në Parlamentin Evropian qëndron mes socialistëve dhe demokratëve, por qëndrimet e saj, si ato për emigrantët, janë më të ngjashme me ato të së djathtës, aq sa u përjashtua nga socialistët evropianë./ a.jor.