FOKUS – Luftime të ashpra ruso-ukrainase për qytetin e Pokrovskut

KIEV, 5 nëntor /ATSH/ – Trupat ukrainase kanë nisur sulme me helikopterë dhe kundërofensiva për të lehtësuar presionin mbi një qytet kyç lindor, ndërsa Kremlini kërkon një fitore vendimtare në front dhe përpjekjet amerikane për paqe mbeten pezull, sipas “NBC”
Beteja po zhvillohet në Pokrovsk, një nyje transporti dhe furnizimi, marrja nën kontroll e së cilës mund të shërbejë si trampolinë për ushtrinë ruse drejt qyteteve më të mëdha përreth.
Ministria ruse e Mbrojtjes u kërkoi trupave ukrainase të dorëzohen për të shpëtuar jetën, duke pretenduar se ishin “rrethuar” në qytet, i cili dikur kishte rreth 60,000 banorë, por tani është pothuajse i shkatërruar dhe i braktisur.
Disa ekspertë thonë se marrja e Pokrovsk mund të fuqizojë gjithashtu pozicionin e Putinit në bisedime, veçanërisht pasi Trump anuloi muajin e kaluar një samit të planifikuar dhe vendosi sanksione të reja ndaj Rusisë .
“Moska mund të përpiqet të përdorë çdo fitore në front për të ushtruar presion mbi Ukrainën në tryezën e negociatave dhe për të bindur presidentin Trump të pranojë kushtet e Rusisë”, tha në një intervistë Mykola Bielieskov, hulumtues në Institutin Kombëtar për Studime Strategjike,
Ai shtoi se Ukraina ndodhet në një pozicion të vështirë.
“Politikisht, është e vështirë të tërhiqesh nga territore ,veçanërisht kur armiku përpiqet të kthejë sukseset lokale ushtarake në fitore më të gjera strategjike dhe diplomatike,” tha Bielieskov, i cili është gjithashtu analist i lartë në organizatën ukrainase joqeveritare Come Back Alive.
Megjithatë, në praktikë, mbajtja e kontrollit mbi zonën po bëhet “jashtëzakonisht e vështirë,” përfundoi ai.
Ukraina ka hedhur poshtë idenë e rrethimit. Presidenti Volodymyr Zelenskyy vizitoi dje trupat në Dobropillia, ku forcat ukrainase po organizojnë një kundërofensivë për të tërhequr fokusin e Rusisë.
“Sipas situatës aktuale nuk ka një vijë të përhershme mbrojtjeje”, tha Liana Kononchuk, pjesëtare e njësisë ukrainase në Pokrovsk. “Armiku depërton njëkohësisht në të njëjtën kohë, duke u përpjekur të shkatërrojë vijën e frontit”.
Ukraina ka dërguar forca shtesë për të mbajtur sulmin rus, duke përfshirë një operacion me njësitë speciale që përdor helikopterë Black Hawk të prodhuar në SHBA për të rivendosur rrugët e furnizimit.
Komandanti ukrainas që mbikëqyr mbrojtjen e qytetit, koloneli Yevhen Lasiichuk, tha se pretendimet e Moskës për rrethim ishin të rreme dhe pjesë e propagandës ruse. Ai theksoi se forcat ukrainase janë ende në gjendje të kontaktojnë trupat në Pokrovsk.
Analistët ushtarakë thonë se humbja e Pokrovsk do të ishte një goditje e rëndë për Ukrainën, duke komplikuar logjistikën dhe duke rritur rrezikun e tërheqjes nga pozicionet përreth. Megjithatë, kjo do të ishte një fitore strategjike e kufizuar, jo e mjaftueshme për të ndryshuar balancën e përgjithshme të luftës. /Ad.Ab./