RUSI – Putin: Po shqyrtojmë rifillimin e testeve bërthamore, pas deklaratave të Trump

MOSKË, 5 nëntor /ATSH-AFP/ – Presidenti rus, Vladimir Putin tha sot se po shqyrton rifillimin e testeve bërthamore ruse nëse Shtetet e Bashkuara bëjnë të njëjtën gjë, pas deklaratave të homologut të tij amerikan, Donald Trump i cili urdhëroi Pentagonin të rifillojë testimin e armëve bërthamore amerikane.
Gjatë një takimi me Këshillin rus të Sigurisë, Putin udhëzoi organet përkatëse të bëjnë gjithçka që është e mundur për të mbledhur informacione shtesë mbi këtë çështje dhe të paraqesin propozime të koordinuara mbi nisjen e mundshme të punës përgatitore për testet bërthamore, sipas raportimeve televizive.
Testi i fundit bërthamor i Moskës daton që nga viti 1990, pak para rënies së BRSS.
Megjithatë, Rusia, ashtu si vendet e tjera, teston rregullisht sisteme shpërndarjeje jobërthamore, përfshirë së fundmi dronin nënujor ”Poseidon” dhe raketën ”Burevestnik”.
Putin pohoi se Rusia gjithmonë i ka respektuar me përpikëri detyrimet e saj sipas Traktatit Gjithëpërfshirës të Ndalimit të Testeve Bërthamore, por nëse Shtetet e Bashkuara ose shtetet e tjera do të kryenin teste të tilla, Rusia do të detyrohej të merrte masa të përshtatshme hakmarrëse./ a.jor.