E Diel, 1 Nëntor 2026

FOKUS – Magyar viziton Poloninë për herë të parë si kryeministër, kërkon rivendosjen e lidhjeve me BE-në

VARSHAVË, 19 maj /ATSH/- Kryeministri i Hungarisë, Peter Magyar ka nisur sot një vizitë dyditore në Poloni, udhëtimi i tij i parë jashtë vendit që nga marrja e detyrës, dhe një lëvizje me rëndësi të madhe simbolike për një lider që synon ta rikthejë vendin e tij në rrjedhën kryesore evropiane, sipas “Reuters”.

Kryeministri polak Donald Tusk, me të cilin Magyar do të takohet nesër, e udhëhoqi Poloninë drejt një koalicioni pro-evropian në vitin 2023, duke përmirësuar marrëdhëniet me Brukselin dhe duke zhbllokuar miliarda euro fonde të ngrira për shkak të shqetësimeve mbi shtetin e së drejtës.

Ky është një model që Magyar synon ta ndjekë pas fitores së tij bindëse ndaj nacionalistit Viktor Orban në prill, një rezultat që Tusk e ka cilësuar si goditje ndaj qeverisjes autoritare dhe pjesë e një zhvendosjeje politike në Evropën Qendrore larg euroskepticizmit.

Marrëdhëniet mes Varshavës dhe Budapestit janë përkeqësuar ndjeshëm gjatë viteve të fundit, për shkak të mosmarrëveshjeve mbi qasjen e Hungarisë ndaj luftës në Ukrainë dhe afrimit të saj me Rusinë.

Sipas një zyrtari të qeverisë polake, vizita shihet kryesisht si një përpjekje simbolike për të rivendosur kontaktet pas një periudhe pothuajse “të ngrirë”, me synim rifillimin e dialogut mbi çështjet evropiane dhe luftën në Ukrainë.

“Është e qartë se ata synojnë të rikthejnë marrëdhëniet me Poloninë në një nivel shumë të mirë. Këto janë gjeste që tregojnë kthim te traditat më të mira të marrëdhënieve të forta dypalëshe”,  tha zyrtari. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›