PARIS – Ministrat e Financave të G7-tës shqyrtojnë përgjigjet ndaj pasojave të luftës në Iran

PARIS, 19 maj /ATSH/- Ministri francez i Financave, Roland Lescure u bëri thirrje sot FMN-së dhe Bankës Botërore të rrisin mbështetjen për vendet më të cenueshme nga pasojat e konfliktit në Lindjen e Mesme, gjatë takimit të ministrave të Financave dhe guvernatorëve të bankave qendrore të vendeve të G7-tës, në kryeqytetin francez, raportoi “Reuters”.
Takimi dyditor në Paris u përqendrua te pasojat ekonomike të konfliktit në rajon dhe paqëndrueshmëria në tregjet globale të obligacioneve.
Në diskutime morën pjesë edhe përfaqësues nga vendet e Gjirit, përfshirë Katarin dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, si dhe delegacione nga Brazili, India dhe Koreja e Jugut, në një përpjekje për të zgjeruar partneritetet ndërkombëtare mes tensioneve gjeopolitike.
Lescure deklaroi se ekziston një dakordësi mes pjesëmarrësve që FMN-ja dhe Banka Botërore duhet të intensifikojnë mbështetjen për shtetet më të prekura, duke paralajmëruar se mungesa e plehrave kimike mund të godasë rëndë ekonomitë më të brishta.
Ndërkohë, presidenti amerikan Donald Trump tha dje se kishte pezulluar sulmin e planifikuar ndaj Iranit, pasi Teherani dërgoi propozimin e paqes në Uashington, duke shtuar se ekziston një mundësi e mirë për një marrëveshje mbi programin bërthamor iranian.
Megjithatë, disa vende të G7-tës kanë shprehur pakënaqësi që SHBA-ja dhe Izraeli ndërmorën sulme ndaj Iranit pa marrë në konsideratë pasojat ekonomike, veçanërisht rrezikun e mbylljes së Ngushticës së Hormuzit, një korridor kyç për tregjet globale të energjisë.
Në fokus të bisedimeve ishte edhe diversifikimi i furnizimit me minerale dhe elementë të rrallë, ndërsa G7-ta synon të zvogëlojë varësinë nga Kina për zinxhirët e furnizimit të rëndësishëm për automjetet elektrike, energjinë e rinovueshme dhe sistemet e mbrojtjes. //a.i/