E Diel, 1 Nëntor 2026

FOKUS – OKB: Migrantët në Libi viktima të një ‘model biznesi të dhunshëm pushtetar”

GJENEVË, 17 shkurt /ATSH-ANSA/ – Migrantët, refugjatët dhe azilkërkuesit në Libi i nënshtrohen shkeljeve dhe abuzimeve të pamëshirshme dhe sistematike të të drejtave të njeriut, duke përfshirë vrasjen, torturën, dhunën seksuale dhe trafikimin e qenieve njerëzore, sipas një raporti të OKB-së të publikuar sot.

“Fjalët nuk mund ta përshkruajnë makthin e pafund në të cilin detyrohen këta njerëz”, komentoi Komisioneri i Lartë i OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Volker Türk, duke denoncuar “lakminë në rritje të trafikantëve dhe atyre në pushtet dhe përfitimin nga një sistem shfrytëzimi”.

Raporti gjithashtu denoncon dëbimet e shpeshta kolektive nga Libia në vende të tjera, shpesh në kushte jashtëzakonisht të rrezikshme.

Raporti, i përgatitur nga Zyra e Komisionerit të Lartë të OKB-së për të Drejtat e Njeriut (OHCHR) dhe Misioni Mbështetës i OKB-së në Libi, mbulon periudhën nga janari 2024 deri në dhjetor 2025 dhe zbulon një “model shfrytëzimi” që është bërë normë, me migrantë të kapur dhe të rrëmbyer nga rrjete kriminale trafikantësh, shpesh të lidhur me autoritetet libiane, dhe nga rrjete kriminale jashtë vendit.

‘’Gjatë ndalimit migrantët i nënshtrohen rregullisht shkeljeve dhe abuzimeve të tmerrshme’’, thekson raporti.

Emigrantët e intervistuar përshkruan gjithashtu përpjekjet për të kaluar Mesdheun qendror. Ata që ndalohen shpesh kthehen me forcë në Libi, ku rrezikojnë të vuajnë të njëjtin cikël abuzimi.

Në rekomandimet e tij, raporti, i cili gjithashtu denoncon dëbimet e shpeshta kolektive nga Libia, u kërkon autoriteteve libiane, ndër të tjera, të lirojnë njerëzit e ndaluar arbitrarisht në qendrat zyrtare dhe jozyrtare të paraburgimit, të ndërpresin praktikat e përgjimit dhe të japin fund të gjitha formave të skllavërisë, punës së detyruar dhe trafikimit të qenieve njerëzore.

Raporti gjithashtu i bën thirrje bashkësisë ndërkombëtare, përfshirë Bashkimin Evropian, të vendosë një moratorium mbi përgjimet dhe kthimet e detyruara të migrantëve në Libi derisa të vendosen garanci të mjaftueshme për të drejtat e njeriut.   /os/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›