E Diel, 1 Nëntor 2026

FOKUS – SHBA 300 milionë dollarë ndihmë emergjente për Venezuelën

UASHINGTON, 29 qershor /ATSH-AFP/– Shtetet e Bashkuara kanë njoftuar një paketë ndihme prej 300 milionë dollarësh për Venezuelën, dyfish më e madhe se sa ishte planifikuar fillimisht, për të mbështetur vendin pas dy tërmeteve vdekjeprurëse që goditën vendin pesë ditë më parë.

Sipas një deklarate të Departamentit amerikan të Shtetit, fondet do të përdoren për të siguruar kujdes mjekësor emergjent, ndihmë ushqimore, ujë të pijshëm, shërbime sanitare, strehim, mbrojtje për të prekurit dhe mbështetje logjistike.

Ndihma do të shpërndahet përmes organizatave ndërkombëtare, përfshirë Programin Botëror të Ushqimit (WFP), Kryqin e Kuq, ”Samaritan’s Purse”, ”Catholic Relief Services” dhe Organizatën Ndërkombëtare për Migracionin (IOM).

Ndërkohë, qindra ushtarë amerikanë, përfshirë tre njësi me qen kërkimi, janë dislokuar tashmë në Venezuelë për të ndihmuar në kërkimin e të mbijetuarve të mundshëm.

Dy tërmetet me magnitudë 7,2 dhe 7,5 ballë të shkallës Rihter goditën Venezuelën më 24 qershor, duke shembur ndërtesa të shumta, dëmtuar aeroportin kryesor të vendit dhe shkaktuar të paktën 1 450 viktima, sipas bilancit më të fundit.

Ngjarja vjen në një periudhë afrimi të marrëdhënieve mes Uashingtonit dhe Karakasit.

Në muajin mars, të dy vendet rikthyen marrëdhëniet diplomatike, të ndërprera që nga viti 2019, ndërsa administrata e presidentit Donald Trump ka lehtësuar gradualisht sanksionet ndaj Venezuelës, pas reformave të ndërmarra nga autoritetet e përkohshme në sektorët e hidrokarbureve dhe minierave./  /Ad.Ab./ a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›