E Diel, 1 Nëntor 2026

FOKUS – SHBA-ja dhe India nënshkruajnë marrëveshje 10-vjeçare për mbrojtjen në Kuala Lumpur

NJU DELHI, 31 tetor /ATSH-DPA/- Ministri indian i Mbrojtjes, Rajnath Singh dhe shefi i Pentagonit, Pete Hegseth nënshkruan sot në Kuala Lumpur një kornizë 10-vjeçare të mbrojtjes së ndërsjellë.

“Kjo avancon partneritetin tonë mbrojtës, një gur themeli për stabilitetin dhe parandalimin rajonal. Ne po përmirësojmë koordinimin, ndarjen e informacionit dhe bashkëpunimin teknologjik”, tha Hegseth në X.

“Lidhjet e mbrojtjes SHBA-Indi nuk kanë qenë kurrë më të forta”, shtoi ai.

“Kjo marrëveshje kornizë do të sjellë një epokë të re në partneritetin tonë tashmë të fortë të mbrojtës dhe është një shenjë e konvergjencës strategjike në rritje të të dy vendeve”, tha Hegseth.

Ai shtoi se kjo ishte kritike për të siguruar një rajon të lirë, të hapur dhe të bazuar në rregulla në Indo-Paqësor.

Pentagoni tha se marrëveshja, e cila do të rinovohet çdo 10 vjet, ofron bazën për marrëdhënie të ndërsjella mbrojtëse.

“Ajo forcon ndërveprimin në të gjitha fushat, duke përfshirë tokën, detin, ajrin, hapësirën dhe hapësirën kibernetike”, tha ai.

Të dy ministrat u takuan në kryeqytetin malajzian gjatë takimit të ministrave të Mbrojtjes të Shoqatës së Kombeve të Azisë Juglindore (ASEAN).

Pas një kohe të gjatë furnizimi me pajisje ushtarake nga Bashkimi Sovjetik dhe më vonë nga Rusia, India është bërë një blerës i madh i armatimeve amerikane, si dhe një partner i rëndësishëm në kundërshtimin e ndikimit kinez në rajon.

SHBA-ja e ngriti Indinë në një “Partner Kryesor të Mbrojtjes” nëntë vjet më parë me qëllim thellimin e bashkëpunimit.

Vendosja e tarifave shtesë nga Uashingtoni në përgjigje të blerjeve indiane të naftës ruse ka dëmtuar kohët e fundit marrëdhëniet.

SHBA-ja vendosi tarifa prej 50% për produktet indiane, duke përfshirë 25% që lidhen me marrëdhëniet tregtare të Indisë me Rusinë. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›